13 Shtator, 2018 - 9:10 pm
Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.
Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.
Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?
Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.
Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com
Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli