Psikanalizë e romanit ‘Hoteli i bardhë’ nga D. M. Thomas.

13 Prill, 2020 - 7:35 pm

Nga Albanikë Ymeri

Me fillimin e shekullit XX, në fushën e psikologjisë klinike, do të krijohet një teori e re, që do të quhet psikanalizë. Kjo teori do të ndërtohet mbi veprat e mjekut vjenez, Zigmund Freud, i cili do të theksojë rolin e fuqishëm të nënvetëdijes dhe kënaqësisë seksuale.

Shumë shpejt, psikanaliza do të zgjojë vëmendje si brenda, ashtu edhe jashtë komunitetit psikanalitik, e sidomos në fushën e artit letrar.  Kjo sepse, Frojdi e shihte letërsinë si shprehje analoge e të pavetëdijshmes, pjesa ku ruhen ndjenjat e ndrydhura të secilit njeri, dhe në rastin e krijuesit letrar, ato dalin në pah përmes veprës së tij.  Andaj, karakteri letrar trajtohej sikur të ishte një qenie jetësore brenda fantazisë, me një kompleks të vetin.

Në anën tjetër, njësoj si letërsia edhe psikanaliza, gjallon përmes aktivitetit gjuhësor, madje që të dyja në rrëfimet e tyre përdorin gjuhë figurative, ligjërim të cilin autori e ringjall vazhdimisht, kurse i sëmuri neurotik është një simbolist pedant i pashembullt.
Prandaj, nuk jemi jashtë fushës së letërsisë, atëherë kur flasim për marrëdhëniet e ngushta të saj me psikanalizën. Madje, ky bashkësundim ndriçon kompleksivitetin e shkrimit letrar, ironinë mes të shkuarës dhe të tashmes, përballjen e realitetit me përpikëri, dhe në fund fare, ndriçon hije-dritat, dëshirat e fshehura të krijuesit letrar.

Kjo ndodh, sepse, autori, njësoj sikurse pacienti, është i angazhuar në një akt interpretimi, që përfshin vlerësimin e përvojës së kaluar.
Pra, interpretimi subjektiv i subkoshiencës, është një epiqendër rreth së cilës sillen ligjërimet e të dyja fushave, dhe kjo gjë vetëm se e forcon lidhjen mes tyre.

Në romanin “ Hoteli i bardhë” prania e së shkuarjes, është nyja që lidhë tërë shenjat diskursive, njëherësh është njëra ndër postulatet kryesore të psikanalizës. Ky pluralizëm diskursiv na e shfaqë të sotmen, qoftë individuale apo kolektive, si trashëgimi e së kaluarës. Por çfarë qëndron në mes këtyre dy periudhave kohore?!

Në qendër të kësaj lidhjeje të së shkuarës me të përjetuarën është kujtesa. Dhe, pikërisht përmes nocionit të kujtesës, ne futemi brenda botës të psikanalizës.
Psikanaliza, si metodë terapeutike, zhvillohet përmes dialogut që bëhet në mes mjekut dhe pacientit. Figura madhore e Frojdit, analizon pacienten tonë, Frau Anën, e cila  vuan nga një sërë simptomash histerike: nga astma, nga dhimbjet misterioze në gjoks dhe në vezoren e majtë, halucinacione të katastrofës, zjarrit dhe përmbytjes.

Vetë shënjimi i saj, si histerike, arsyeton shikimin në retrospektivë. Prandaj Ana, gjurmon në hirin e vdekur të jetës së saj, dhe zbret deri tek kujtimet më të largëta të fëmijërisë, sepse çrregullimet histerike duhen kërkuar në intimitetin e jetës psikoseksuale të pacientëve, dhe se simptomat histerike janë shprehje e dëshirave të tyre me të fshehta dhe të larguara..

Fillimisht, analiza drejtohet rreth historisë familjare të Anës, me ç’rast kuptojmë mungesën e prindërve gjatë fëmijërisë së saj. Babai një biznesmen, i dhënë shumë pas punës, harron dashurinë edhe ndaj gruas edhe ndaj familjes. Nëna, një e krishterë, egoiste, e cila mendon vetëm për përmbushjen e epsheve, dhe tradhton bashkëshortin, me burrin e motrës binjake.

Prandaj, simptomat e zjarrit dhe ankthit, që paraqiten tek Ana, lidhen me këtë fakt të turpshëm të nënës. Sepse, ajo vdiq, si pasojë e zjarrit që kaploi hotelin, në të cilin ndodhej bashkë me dashnorin e saj.

Por, gjurmimi në të fshehtat e të pavetëdijshmes tregonte diçka tjetër. Zjarri, ndoshta, kishte të bënte më shumë me xhelozinë e pavetëdijshme të Anës, që nëna e saj ishte në gjendje të ndërmerrte çdo hap për të realizuar dëshirat seksuale, por edhe për të sakrifikuar çdo gjë për dashurinë e saj. Një dëshirë dhe sakrificë, që Ana pareshtur ia ka mohuar vetes.

Moslumturia në familje, që e përcollën Anën, edhe pas vdekjes së nënës dhe mospërmbushja e saj në aspektin  profesional, e sidomos në atë seksual, ndikoi që ajo të kishte çrregullime në sferën psikike, sepse, cilido që të jetë rasti apo simptoma që zgjedhim si pikënisjeje, më në fund hyjmë pashmangshmërisht në fushën e përvojës seksuale.

Një traumë të madhe, Ana e kishte pësuar, atëherë kur ishte fare e vogël. Kjo kishte të bëjë me skenën e shtëpisë verore, ku kishte parë nënën, tezen dhe burrin e saj, që të tre bashkë, në një marrëdhënie intime. Si e vogël që ishte, arriti që ta largonte këtë pamje, përmes lojës.
Ndërsa përvoja e parë seksuale, që Ana e kishte përjetuar kur ishte 15 vjeçe, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e saj. Ajo e kishte përjetuar këtë akt, kur ishte “zënë rob” nga marinarët: “Më detyruan forcërisht të beja seks oral me ta duke thënë se, si një çifute e ndyrë, vetëm për këtë gjë isha e mirë, për..”

Por, sipas teorisë frojdiste, rrënjët e histerisë së Anës, qëndronin në ndrydhjen e ndjenjave të homoseksualitetit. Zgjedhje seksuale kjo, në të cilën kishte ndikuar prania e shumë femrave në jetën e saj, pas vdekjes së nënës.

Mirëpo, çdoherë gjatë marrëdhënieve seksuale, Anës i kujtohej përvoja e saj e parë, dhe ofendimet e tyre rreth përkatësisë fetare. Prandaj, ajo, assesi nuk mundej të jepej plotësisht pas qejfit, ngaqë e dinte që ka njerëz që vuajnë” në anën tjetër të kodrës.”

Dhe, ai që do të vuante, mbas kodrës, do të ishte fëmija i saj pikërisht, sepse në venat e tij do të kishte gjak hebreu. Kjo shpjegon, se dhimbjet e Anës, të cilat i ndiente në vezoren e organit riprodhues, vinin nga frika se do të mbetej me barrë.

Ndërsa dhimbjet, në gjirin e majtë, simbolizonin mungesën e nënës, dashurisë së parë dhe të vërtetë të fëmijës, pasi gjiri është objekti i parë i dashurisë, që fëmija ka ndaj nënës.  Andaj, për të ikur nga ky realitet i brishtë, Ana gjeti strehim tek sëmundja, si një ngushëllim për fatkeqësitë që i kishin ndodhur.
Në anën tjetër Liza, përveç që është krijuar si karakter histerik nën emrin e Anës, është krijuar edhe si subjekt gjinor, por edhe historik.
Të ndalemi, fillimisht tek shënjimi i Lizës si femër. Nëse këtij shënjimi, i qasemi përmes poetikes së postmodernizmit, kuptojmë se autori është fokusuar në eks-centriken, pra në një subjekt lokal, i cili konteston qendërzimin. Kjo do të thotë, se femra është sjellë në qendër, dhe qendra në skaje.

Prandaj, për tu paraqitur si e tillë, si femër në qendër, ajo duhet të mposhte praninë dhe mbisundimin mashkullor. Andaj në kapitullin Qendra e kurimit, ndodh shpalosja e  “tradhtisë” së femrës përballë mashkullit, e Lizës përballë Frojdit. Ky deshifrim i të gjithë atyre interpretimeve të gabuara nga ana e Frojdit, nuk është realisht një kërkim falje ndaj tij, por bëhet për të lënë gjurmë në shijimin e subjektivitetit vetjak.

Mirëpo, në formimin e Lizës, përveç nxitjeve biologjike, kanë ndikuar edhe rrethanat sociale, pasi që interpretimet e tyre (Lisës dhe Frojdit) janë të ndryshme, sepse tashmë socialistë janë të formuar si mashkull dhe femër..
Prandaj ajo, pikë së pari, është portretizuar si paciente e Frojdit, sepse ndrydhja dhe turpi nga ndjenjat seksuale, është patologji tipike femërore. Fantazitë dhe dëshirat seksuale, të një femre, atëherë kur ajo braktis ombrellën e moralit, dhe lëshon veten drejt përmbushjes së erotikës, paraqiten në dy kapitujt e parë të veprës.

Nga kjo që u tha, del që, Liza zbërthen tërë termat teorik, si feminizëm, femërore dhe feminist, sepse edhe tekstualisht ajo është produkt i leximit femëror. Një lexim i tillë, na dërgon te përkufizimi i gjinisë femërore, si gjini me impulse të fuqishme të kundërthënies.
Dhe, a nuk është, përgjithësisht, Liza, një karakteri i tillë?!…

Brenda këtij huazimi të diskurseve, na ka mbetur edhe ai i historisë, sepse, ky roman tregon për mënyrën se si ne prodhojmë kuptimin në fiksion dhe histori.
Por çfarë është tamam historia?, Cilat janë raportet e saj me realitetin dhe fiksionin?

Në këtë kontekst, e kaluara shpaloset si trashëgimi historike, por kjo nuk është rikthim nostalgjik i së shkuarës, është më tepër rivizitim kritik mbi historinë dhe dijet historike, që në postmodernizëm quhen metafiksione historiografike.
Pra, nga historia private kalojmë në historinë e shoqërisë, barrë e cila i është dhënë përsëri Lizës, protagonistes kryesore.
Kjo ndodh, për shkakun se, Liza, është çifute, pjesëtare e një populli të persekutuar historikisht, andaj ngjarjet, në këtë rrafsh diskursi, lidhen me Holokaustin.

Një pjesë e referencave, të përdorura në roman, me të vërtetë janë historike, siç janë disa skena (kreu i pestë i veprës), të lidhura drejtpërdrejt me Baby Yar-in, urdhri për t’u mbledhur të gjitha çifutet, prania e Dina Proniçeva, si e mbijetuara e vetme e asaj tragjedie.
Vagoni i fjetjes, përshkruan gjumin e përjetshëm të Lizës, dhe sprovat e saj për të shpëtuar nga vdekja.  Ajo nuk mund t’i shpëtonte fatit të trashëgimtarëve të saj, ajo ishte vetëm një, nga gjysmë milioni i hoteleve të bardha në Baby Yar. 

Dhunimi i Lizës, me bajonetë në prag të vdekjes, e shpërfaq triumfin patriarkal, të mashkullit ndaj femrës, luftën mes erosit që krijon jetën dhe tanatosit, që e shkatërron atë.Por, romani Hoteli i bardhë, lejon edhe një tjetër lexim, i cili përmbys çdolloj besimi, sipas të cilit racionaliteti  patriarkal dhe kujtimi i së shkuarës janë çelësa të të kuptuarit: na duhet dija mbi të ardhmen.

Dhe, si shpaloset kjo e ardhme tek romani “ Hoteli i bardhë”. Shpalose përmes një sinkronimi kompleks te metaforave.
“Hoteli i bardhë” ndjek një formë krijuese, e cila i nënshtrohet statusit të ironisë, dhe prek kufijtë e parodisë. Në këtë lojë figurash, sigurisht që ka vend edhe për metaforën. Ajo është vendosur që në titullin e romanit, si një paraftesë për të hyrë në botën metaforike të psikanalizës, dhe jo vetëm.

Të fillojmë që nga struktura e romanit. Ajo qëndron në një përputhje të brendshme me përmbysjen strukturore të rendit kronologjik, e cila i përgjigjet fantazisë së një neurotiku. Të gjashtë kapitujt, duke anashkaluar këtu pjesën e Prologut (e cila përmban shkëmbime të letrave mes personaliteteve të psikanalizës), nuk përfillin një organizim kronologjik. Këtë e dëshmon edhe kapitulli i fundit i veprës, i cili vë në dukje përfundimin arbitrar të romanit tradicional.

Ndërsa narracioni, pothuajse gjatë tërë veprës, e sidomos në 4 – kapitujt e parë, është i tejmbushur me nuanca metaforike, duke përcjellë kështu një tekst të fuqishëm psikanalitik.
Në fillim të veprës, na shfaqen dëshirat dhe fantazitë seksuale të Anës, përshkruar me një të folur metaforik të neurotikut, janë pjesë të cilat, e parashikojnë tërë strukturën tjetër të veprës.

Kështu, “Hoteli i bardhë” është metaforë e organit gjenital të femrës gjatë aktit seksual, zjarri dhe përmbytjet, metafore e frikës nga vdekja, ndërsa treni simbol i rrugëtimit drejt saj, yjet dhe liqeni, metaforë e gëzimeve, bukurive të jetës, që Anës, iu mohuan, pasi ishte çifute. Ky çrregullim në sferën e seksualitetit, bën që Ana, çdo person të jetës së saj, ta zbërthen përmes prizmit të erotikës, duke mos anashkaluar as personalitetin e vet, të cilin e she si një karakter të dyfishtë, dhe portretizohet si prostitutë pensioniste.

Prandaj mund të themi që në këtë sinkroni metaforash (herë letrare dhe herë psikoanalitike) trajtohet ekzistenca e njeriut brenda dy ekstremeve, brenda lindjes dhe vdekjes, brenda luftës mes Erosit dhe Tanatosit.
Me zhvillimin e terapisë, vazhdon deshifrimi dhe thellimi përmbajtjesor i metaforave. Sepse, tashmë Hoteli i bardhë, nuk paraqet vetëm një akt seksual, por do të simbolizojë mitrën e nënës, strehën e siguritë të Anës:
“Dëshmia e Frau Anës shprehte dëshirën e saj për t’u kthyer te streha e sigurisë, te Hoteli i bardhë – ne të gjithë kemi ndenjur aty – në mitrën e nënës.”

Dhe ja, histeria fillonte pikërisht këtu, nga vetëdija e Anës, se ajo nuk do të mund të ishte një strehë për fëmijën e saj të ardhshëm. Prandaj simptomat histerike të Anës, ishin të lidhura me frikën e mbetjes me barrë, e rrjedhimisht edhe nga e ardhmja, sepse fëmija është simbol i së ardhmes:
“… shkaku i dhimbjes që ajo ndien si qenie njerëzore nuk qëndron në të shkuarën e saj individuale (por universale) psikologjike, por më parë në ardhmërinë kolektive të saj, si hebre në momentet e caktuara të historisë.” 

Prandaj, vetëm kur gjendet përballë me vdekjen, në fushën e Babi Yar-it, ajo arrin të kuptojë se pse s’ka dashur të ketë kurrë fëmijë, ndonëse kishte një instinkt të fortë amësie.

Kësisoj, kuptojmë se historia e saj ishte e lidhur, me të ardhmen dhe jo me përvojat e së kaluarës, siç pretendon metoda e psikanalizës.
Por, leximi metaforik vazhdon edhe në kapitullin e fundit, që risjell peizazhe të koduara dhe ndërtohet sipas logjikes së ëndrrave.
A është ky kapitull, një metaforë e jetës brenda mitrës së nënës, ku gjithsecili nga ne është në pajtim të plotë me të tjerët?! Është parajsa apo purgatori?! Apo ndoshta, ky kapitull hedh dritën përfundimtare, mbi histerinë e Anës, dëshirën e saj për të mos lindur as si vajzë dhe as si çifute?!  –

“Por krah për krah me këtë dëshirë, ishte një tjetër dëshirë që jo vetëm nuk ishte me kontradikte, por e forconte më shumë mendimin tragjik që ajo të mos kishte lindur kurrë as si vajzë e as si Ana.”
E rëndësishme është se këtu, asgjë nuk mund të përcaktosh me saktësi: as Metaforën, as Kohën dhe as Vendin. Sepse një përfundim i tillë postmodernist, hedh poshtë çdo përfundim!
Prandaj, natyrshëm lind pyetja: Kush ishte në kërkim të heroinës, gjatë gjithë kësaj kohe?

Nëse, vepra letrare është parë si analoge e fantazisë dhe, në këtë mënyrë, është trajtuar si pasqyrë e një shkrimtari të caktuar, atëherë në kërkim të heroinës nuk është Liza, por vetë autori.
Liza, është vetëm një pasqyrë, në të cilën është reflektuar gjithë bota e pavetëdijshme e autorit, prandaj në vend të “ishte Liza”, të e lexojmë “ishte Thomasi”. Kjo analogji e brendshme, personazh – autor, mundëson zbërthimin e individualitetit real të Thomasit, tashmë jo si krijues por, si individ.

Pra, rasti i histerisë, ishte vetëm një maskim i Thomasit, që siç duket ai e shfrytëzoi, për të zbritur në kujtimet e fëmijërisë. Gjithë ky udhëtim, për të gjetur strehën e vërtetë të jetës, e ka rikthyer gjithmonë tek heroina e parë e tij, tek nëna.

Kjo shpërfaqë, atë që e njohim si kompleksi i Edipit, kur fëmija, djali dashuron seksin e kundërt brenda familjes, nënën. Dashuria e madhe e tij ndaj nënës, dhe humbja e heroinës kryesore, ka ndikuar në tejhuazim të ndjenjave ndaj seksit femëror.
Prandaj, ndjenjat e homoseksualitetit që i vishën Lizës (sipas teorisë së Frodjit), nuk tregon asgjë tjetër, përveç lakmisë së tij, për të pasur nënpushtet, sa më shumë hotele të bardha. Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe vdekjen e Lizës. Mashkulli mbisundon mbi femrën, jo vetëm nga dëshirat erotike të tij, por edhe nga nxitjet egoiste dhe ambicioze.

Por, nëse depërtojmë edhe më thellë, shohim se ai flet gjithmonë, me zërin e femrës, që është heroina e tij. Kjo do të thotë, se në personalitetin e tij, femra është ana tjetër, është zëri kumbues i kundërshtive shpirtërore, ndoshta edhe i kundërshtive transgjinore! Sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe, gjithë këto përpjekjeje për të menduar dhe folur si femër, për t’u futur në botën e saj!  Dhe këtë ai, nuk e konsideronte aspak të vështirë, sepse tashmë uni i tij, e kishte çelësin e kësaj bote, të fshehur pikërisht në nënvetëdije.

Kjo tregon shumë qartë se prania e femrës, si në jetën psikike dhe jashtë saj, është e domosdoshme për Thomasin, si individ. Kjo domosdoshmëri tregon vetën e dytë të tij, e që është femërorja. / KultPlus.com

Të ngjajshme