7 Gusht, 2023 - 12:35 pm
Nga Ramadan Musliu
Një autor që arrin të ndërtojë një opus sistematik, çfarë është vepra letrare, publicistike dhe historiografike e Jusuf Buxhovit, kulmi i rezultatit për të është kur vepra e tij i nënshtrohet një procesi të valorizimit, domethënë të një stadi të receptivitetit, akt që veprën autoriale e fut shkallë-shkallë nga klasika, në grupin e veprave ekzempël, që janë paradigmatike për kohën kur u krijuan si vlera të verifikuara për periudhat e tjera.
Vepra letrare e Jusuf Buxhovit fillin e ka në librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus impozant si vëllim, ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama.
Pjesën komplementare të Jusuf Buxhovit përben edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).
Një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm i të arriturave në këtë fushën e historiografisë është vepra voluminoze:”Kosova”I,II dhe III, më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera,. domethënë historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme të dihomisë shtetërore midis “periferisë si qendër dhe qendrës si periferi”, që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.
Me veprën historiografike, e cila kërkon një qasje të specializuar ekspertësh, dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela,drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një mozaik të plotë nga i cili del profili i një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij politike, ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi, ai që kërkon idealitetin në të gjitha sferat e jetës. E gjithë kjo nxjerr në pah koherencën botëkuptimore të autorit, pra veprimin e një mendjeje paradigmatike intelektuale që është jetësisht i lidhur me proceset historike të etnisë.
Jusuf Buxhovi në radhë të parë është shkrimtar, krijues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, autor, që siç thamë, i më shumë se 30 veprave në zhanrin e tregimit, novelës, dramës,romanit, por që pjesa qendrore i takon romanit. Që në tregimet e para autori arrin të ndërtojë bërthamën tematike, amzën e rrëfimit, tematikën që arrin të bëhet obsesion autorial, së pari lojën si kuptim i thellë i ekzistencës njerëzore me të gjitha modulacionet e saj, dhe, së dyti, që është më kryesorja, historinë si ekzistencë kolektive në kontuum kohor. Tema e historisë nga vepra në vepër vjen duke u zgjeruar, duke pësuar modulacione dhe duke u bërë një refleksion permanent, e cila do të përfundojë si një botëkuptim, si një filozofi e historisë, e cila doemos se autorin do ta detyrojë, them kushtimisht, të kalojë edhe në domenin e shkencës, duke sjellë jo vetëm interpretime interesante, por edhe një pikëvështrim të ri të historisë së etnisë, që në periudhat më të hershme dhe riinterpretimin ndryshe të fatit kombetar, në periudhat më të vonshme.
Kështu seria e romaneve “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, (1982), “Nata e shekujve”, (1985), “Galeria e te vdekurve”,(1987), “Libri i të mallkuarve”,(1989), “Prapë vdekja”,,I-II-III, (1991,1993,1995), “Qyteti i dënuar me vdekje”,(2000), “Letrat për Kryeprincin”,(2000), “Vera e fundit e Gjin Bardhit” (2003), “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun “Kodi i Dashurisë” (të botuara në vitet 2004-2006), dhe “Udhëtimi i Mendim Drinit”, (2006), imponon një klasematikë historike, e cila mbështetet në dokumentin historik, përkatësisht empirinë historike dhe përpunimit të tyre, me ç’ rast faktografia historike merr dimensionin subjektiv, domethënë atë artistik, atë që i falet fiksionit, përkatësisht imagjinatës autoriale dhe sistematikës që kërkon filozofia autoriale e historisë. Duhet thënë se në narracionin romanor të këtyre veprave mbizotëron parimi i kronologjisë, domethënë preokupimi dhe trajtimi i historisë nacionale, që zë fill në antikitet, për të kaluar pastaj nëpër të gjitha stadet që e shpijnë nga e sotmja. Në planin e trajtimit artistik nisma me dokumentin shënon anën “fizike” të botës, trajtim i reales, i asaj që ka ndodhur dhe që në forma të ndryshme është ruajtur si një lloj empirie historike, për të kaluar pastaj në anën metafizike të botës dhe të vetë procesit historik, që mbruan atë komponentën artistike. Brenda këtyre dy skajeve shtrihet fusha e gjerë e refleksionit, e cila tangjenton me filozofinë e historisë, domethënë pikëvështrimin autorial dhe interpretimin e faktografisë nga prizmi vetiak, duke vjelë më këtë rast përvojat hegeliane e sidmos niçeane e shopenhaueriane në “përpunimin” e procesit historik.
Si fushë e markuar dhe më e preferuar del mesjeta, koha e prerjeve në ndërgjegje, periudhë e mbizotërimit të konflikteve religjioze, kohë e gërshetimit të mosmarrveshjeve grandioze civilizuese dhe përleshjeve mes tyre, e ballafaqimeve vendimtare të koncepteve civilizuese të burimeve të ndryshme dhe të kundërta, por gjithherë duke e shquar diagonalen nacionale në të.
Në kontinuitetin narrativ buxhovian ndeshet një proces permanent i evoluimit të formave të trajtimit të historisë. Evoluimi ka të bëjë me modifikimin e brendshëm të percepcionit historik por edhe të procedimeve artistike dhe të teknikave të trajtimit të fabulës historike. Nga procedimi klasik, që e ndeshim te romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, ku e gjithë historia apo ngjarja, në kuptimin narratologjik, ndërtohet duke rrëfyer një “gjendje epidemie” (I.Rugova), procedim që ndeshet edhe te romanet vijuese, “Galeria e të vdekurve” dhe “Libri i të mallkuarve”, kalohet në rrëfim-meditim, në një refleksion mbi ngjarjen, domethënë se shkojnë paralelisht, drama historike, zakonisht presupozohet si një tragjedi etnike, me dramën në ndërdijen e personazhit. Ky procedim, po qe se duam t’i japim një status teorik, mund të trajtohet si një “psikohistori”, në pajtim me pikëpamjen e njohësit të kësaj problematike, Frank Fernar, që është një formë e individualizuar e perceptimit të historisë përmes mekanizmave subjektivë. Pikërisht ky lloj trajtimi , i cili arrin ta rrudhë fabulimin në refleksion, i mundëson autorit ta projektojë një lloj filozofie të historisë, e cila herë është një koncept i ciklizmit historik, siç e percepton filozofi mesjetar italian, Xhanbatista Viko, që pastaj të evoluojë në një “frymë absolute”, si formë iniciale e historisë që e afirmoi botëkuptimi niçean për zhvillimin e historisë njerëzore, për tu shfaqur pastaj si një botë e vullnetit dhe e përfytyrimit, që të përmbyllet me idenë autoriale mbi ngadhënjimin e perandorisë të së mirës. Autori nga rrëfimi i ngjarjes, i historisë , i fabulimit kalon në refleksion, në psikohistori, në të rrëfyerit e përjetimit të frymës historike. Duke u marrë më këtë lloj të mbindërtimit artistik, duke u lëshuar në krahët e refleksionit, autori i jep vetes mundësinë që të merret me rivlerësimin e historisë, veçanërisht historisë nacionale, për të nxjerrë konsekuenca për të sotmen dhe për të anticipuar të ardhmen. Po qe se opusin e tij romanor e vështrojmë nga kjo pikëpamje do të ndeshemi më fenomenin e projektimit të të sotmes në planin historik, por edhe hipostazim të një filozofie politike në praktiken aktuale. Kështu, duke lexuar, madje tani duhet rilexuar, romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, do të ndeshim profilin e intelektualit dhe rolin e tij në histori. Pikërisht zhvillimet politike të mëvonshme kanë vërtetuar këtë supozim të autorit mbi rolin dhe përgjegjësinë e intelektualit në raport me historinë.
Vështrimi i historisë, duke ndjekur kronologjinë strikte, prek segmentet më të ndjeshme të ekzistencës kolektive të etnisë që nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Brenda këtij korpusi romanor është me interes të veçohet trilogjia e ashtuquajtur “gjermane”, ku përfshihen romanet “Vdekja e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, ku preken raportet gjermano – shqiptare, duke filluar nga sfera e kulturologjisë e deri te raportet historike e aktuale të natyrës politike. Këtë relacion të këtij binomi autori e arsyeton me argumentin historik mbi gjenealogjinë e lashtë dhe të një burimësie të njëjtë, por që ka dimensione të ndryshme: madhështinë tragjike të historisë gjermane dhe historinë tragjike të një civilizimi të rënë pellazgo-ilir.
Derisa trilogjia gjermane trajton raportet gjermano-shqiptare në diakroni dhe sinkroni, ajo pasohet nga romani “Udhëtimi i Mendim Drinit”, që është vazhdim, kësaj radhe në planin refleksiv, i trashëgimisë mendore gjermane dhe projektim i një filozofie të historisë, që është në një farë mënyre eksplikim i tezave niçeane mbi procesin historik të një kombi. Në këtë roman kemi një fabulim të minimalizuar, të rrudhur deri në maksimum, që jepet trajtën e refleksionit të thellë mbi rolin e individit, mbi konceptin e zhvillimit të historisë, mbi vullnetin për fuqi, por edhe mbi botën si vullnet dhe përfytyrim e që është thelbi i historisë shopenhaueriane. Në qendër të kësaj filozofie është individi, forca e vullnetit të tij, pra të një individualiteti të jetërsuar fizikisht, por mendërisht superior, çfarë është Mendim Drini. Kësisoj bëhet një prerje e trungut historik të etnisë, për të nxjerrë ata rrathët koncentrikë të epokave të shënuar njëri pas tjetrit me gjithë empirinë e vet tragjike. Edhe ky roman, si edhe romanet e tjera, bëjnë apel për vetëdijesimin historik dhe për shquarjen e forcës së brendshme të etnisë që ka akumuluar gjithë atë përvojë, e cila mund të shndërrohet në një energji që do të gjenerojë perspektiven e etnisë. Dimensioni nacional edhe këtu është ajo lepeza gjithëpërfshirëse tematike që derivon nga amza historike. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se autori nga romani në roman ndjek një vijë të vazhdueshme të përdorimit të procedimeve të reja dhe teknikave të nduarnduarta , duke filluar nga ditari, rrëfimi linear, rrëfimi i tipit epistolar e deri te hulumtimi i teknikave të ashtuquajtura të pasqyrimit të historisë përmes prizmit të dokumentaritetit dhe fakticitetit.
Avancimi në përdorim të teknikave shihet veçanërisht te romanet më të fundit, “Dosja e hapur” (2014) dhe “Dosja B”, (2016), që janë romane-kronikë, të mbështetura në dokumentaritet dhe pluralitet procedimesh, ku elementi më shques i rrëfimit romanor del të folurit për tabutë politike, domethënë ligjërim pa eufemizëm, rrëfim i drejtpërdrejtë, konkret deri në gjuhën e dokumentit.
Të gjitha këto na bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një korpus romanor që lidhen mes veti në mënyrë ciklike, që domethënë se janë shfaqje e një vizioni autorial me një spektër të gjerë të vështrimit të problematikave.
Prandaj, në fund, mund të nxjerrim si konstatim, madje edhe kategorik, se i gjithë ky opus ndërtohet nga një autor i një profili origjinal, i një intelektuali aktiv, një sfiduesi i të së kaluarës dhe të tashmes dhe anticipuesi i të ardhmes dhe perspektivës historike të etnisë, që janë të rrallë sot edhe në letërsitë e mëdha.
(2018). / KultPlus.com