‘Psikoterapia e kohezionit të Brendshëm’ tani edhe në anglisht, Jemini-Gashi: Libri i Fitim Ukës, një thesar për departamentin e Psikologjisë

21 Shkurt, 2025 - 9:48 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në një ngjarje të veçantë, në Amfiteartin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, u bë promovimi i librit në gjuhën angleze ‘The internal Cohesion Theory and Psychotherapy”, të autorit Fitim Uka. I përkthyer nga shtëpia botuese ‘Wiley’, ky botim i cili trajton teorinë e kohezionit të brendshëm, shënon një moment të rëndësishëm për karrierën e autorit Uka, tashmë edhe në rrafshin ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Ky promovim, ishte shumë më tepër se një ngjarje e zakonshme promovimi. Të pranishmit patën mundësi të konsiderojnë këtë ngjare edhe si një ‘terapi’, pasi Uka mbajti publikun të vëmendshëm për më shumë se një orë, duke u përpjekur të përgjigjej në pyetjet e thella ekzistenciale që prekin shumë njerëz – pyetje që shpesh çojnë në shqetësime emocionale dhe japin ndjenjën e ngecjes në sfidat e jetës.

Fitim Uka, i cili është professor në departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, shfrytëzoi këtë promovim për të pasqyruar thelbin e librit, duke ofruar perspektiva të reja për tejkalimin e konflikteve të brendshme dhe gjetjen e qëllimit jetësor, për të gjetur një paqe me veten dhe për të krijuar rrugë komunikimi mes vetes dhe problemeve të domosdoshme e të pashmangshme.

Në promovimin e librit “The internal Cohesion Theory and Psychotherapy”, i pari fjalën e mori dekani i fakultetit të Filozofisë, Bekim Maliqi, i cili theksoi rëndësinë e këtij libri për paqen dhe qetësinë e brendshme.

“Në një kohë kur stresi, pasiguria dhe frika, përcaktojnë përditshmërinë dhe jetën tonë, psikologjia dhe psikoterapia shpeshherë na udhëzojnë dhe na ndihmojnë që të kalojmë këto sfida. Autori i librit, Fitim Uka, me kujdes të veçantë shkencor, me përkushtim dhe pasion shumë të madh ofron jo vetëm një teori inovative por edhe qasje praktike për të ndërtuar një harmoni ndërmjet kërkesave të jashtme dhe nevojave dhe qetësisë së brendshme”, u shpreh Maliqi.

Po ashtu, një fjalë rasti e tha edhe profesoresha e Fitim Ukës, po ashtu profesoreshë në departamentin e Psikologjisë, Liridona Jemini – Gashi.

“The Internal Cohesion Theory and Psychotherapy” tashmë është një titull shumë i njohur për ne, është një titull që ka marrë rrugë të mbarë vite më parë dhe që është dëshmuar dhe vlerësuar në vend por që tani kemi një vulë të shënuar edhe në nivelin ndërkombëtar, nga një shtëpi botuese me kaq kredibilitet. Ka kohë që libri na bën me dije rëndësinë e kohezionit të brendshëm si një komponent thelbësor për mirëqenien tonë psikologjike, por unë sot nuk do të ndaloj shumë tek libri sepse libri ka kohë që na flet, libri ka kohë që ju flet psikologëve, ka kohë që ju flet psikoterapeutëve, ka kohë që ju flet studentëve dhe të gjithë neve, tani flet edhe në gjithë botën, libri madje do të flasë edhe atëherë kur ne mbase nuk do të mund të flasim. Është një kaplim ndjenjash shumë të bukura dhe pozitive për të gjithë neve këtu. unë personalisht ndjehem shumë e lumtur, ndjej një krenari të paparë, ndjej një entuziazëm dhe motiv, ndjehem e lumtur sepse ky botim në këtë nivel është një thesar i çmuar jo vetëm për autorin e këtij libri por është edhe një thesar për departamentin e psikologjisë, për fakultetin Filozofik, për Universitetin e Prishtinës, për mbarë botën”, theksoi Jemini – Gashi teksa më tutje tha se ndjehet krenare që ky botim vjen si rezultat i një pune të palëkundur të autorit dhe profesorit Fitim Uka.

Fjalën në këtë promovim e mori edhe Arian Musliu, një ndër studentët më të dalluar të profesorit Fitim Uka, i cili përveç se foli për librin, prezantoi edhe një rrugëtim të autorit Uka drejt suksesit.

“Kur flasim për teorinë dhe psikoterapinë e brendshme duhet të kemi parasysh se çdo sukses, prapa saj ka vite të tëra e nuk mjaftojnë vetëm disa javë për të mbërritur një sukses të caktuar, koha është determinuese, e ne themi ‘koha i tregon të gjitha’, e sot po e tregon konsistenca e profesorit Fitim Uka, drejt punës për avancimin e psikologjisë në Kosovë. E ngjarjet e tilla, kur suksesi ndahet me ju, është mirë të ndalemi pak në kohë e të shohim pas si filloi gjithçka, ‘Kush?’, ‘Çka?’, ‘Pse?’, janë disa prej pyetjeve që kërkojnë përgjigje. Për profesorin Fitim Uka, ky mund të jetë vetëm reflektim, si shkëndijë sekondash, ku i shpërfaqet përpara krejt rrugëtimi, por për neve nuk mjaftojnë sekondat e as nuk mjaftojnë këto fotografi, që ta prezantojmë të gjithë sfidën deri tek ky sukses sot”, tha Musliu, përderisa dalë ngadalë shpaloste fotografi përgjatë rrugëtimit të Fitim Ukës drejt suksesit, si një dëshmi e një pune të palodhshme pothuajse dy dekada.

Në vijim, në projektor, përpara publikut, u shfaqën komentet dhe kritikat e psikologëve nga mbarë bota, të cilët vlerësojnë lart librin dhe rëndësinë e tij në psikoterapinë e brendshme.

Ndërkaq, më pas foli edhe kryeredaktorja e librit në gjuhën angleze, Veronë përçuku, e cila shpalosi edhe më shumë informacione rreth librit.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot para jush, njëherazi si kryeredaktore dhe në të njetën kohë, paradoksalisht si dikush që në përditshmëri dëshmon limitet personale të kujtesës, përceptimeve të gabuara dhe sistemeve emocionale që shpesh funksionojnë në kundërshtim me veten dhe gjej guximin që të flas për të ashtuquajturën ‘Kohezion të brendshëm’. Në këtë libër, profesori Fitim Uka nuk ofron vetëm një përgjigje të thjeshtë, ai na propozon një rregull që i përshtatet çdo rasti por në një mënyrë për ta parë veten brenda marrëdhënieve tona, si me kohën, ngjashëm edhe me hapësirën”, tha Përçuku.

E krejt në fund i erdhi radha edhe vetë autorit Uka, i cili si rrallë nëpër promovime të zakonshme librash, shndërroi këtë ngjarje jo vetëm si mjet për të arritur qëllimin parësor, por edhe si një ligjëratë reflektuese dhe kuptimplote për të shpjeguar definicionin e kohezionit të brendshëm, arritjes së paqes së brendshme dhe jo vetëm.

Gjithçka filloi me një video, me imazhe që lëviznin shpejt, me imazhe që tregonin momente përditshmërie e rastesh së personave, brengave dhe përplasjeve me momente të jetës, të momenteve që ballafaqohet gjithë secili në jetën e tij, e që në fund të ditës, e përcaktojnë njeriun dhe identitetin e tij.

Pas kësaj video, në projektor u shfaq edhe një video tjetër, kësaj here edhe me zë, si një pasqyrim i momentin ku nis gjithçka, fjalët që një person i cili i drejtohet një psikologu rëndom i thotë. Fjalë ku nis i gjithë rrëfimi i një brenge, i një vështirësie me të cilin mund të ballafaqohen njerëzit, dhe që i bënë të mos shohin dritë në fund të tunelit, e që kërkimin për paqe ia adresojnë një psikologu apo terapisti. E për këto momente autori Fitim Uka ka një shpjegim.

“Kështu nis rëndom një rrëfim i vështirë, brenda katër mureve të një dhome ku jo rrallë pllakos edhe heshtja sepse lehtë thahet fyti, dridhet zëri, mezi dëgjohet, sepse kjo nuk është një bisedë e thjeshtë, kësaj i thonë, psikoterapi, përjetime të ngjyrave të ndryshme, nga situata të zakonshme jete që ne dukje janë të thjeshta e as ua shohim problemin deri tek përvoja reale që ndonjëherë nuk i krijon dot as imagjinata, sekrete të errëta, të trishta, ngjarje që nuk do të donit t’i shihni as në ekranin e madh të kinemasë. Përplasje, konflikte, trauma, të gjitha teksa rrëfehen nga protagonistët përballë një psikologu apo terapisti që e luan rolin e pasqyrës. Në këtë rast, terapia shndërrohet në diçka të jashtëzakonshme, që ia mundëson njeriut që të njohë veten dhe të vërteten, ta njohë atë anë të vetes që mbase nuk e ka besuar që ekziston, ta njohë atë të vërtetë që ndoshta nuk e ka dëgjuar askush tjetër, ta njohë atë të vërtetë që ndoshta, nuk ja ka pranuar as vetes, nuk ja ka pranuar kurrë me zë. Narratorët përballë një psikologu mund të jemi secili prej nesh, sepse po besoj që secili prej nesh e ka prekur një herë të vetme fundin, secili prej nesh e ka ndjerë deri në palcë nevojën për ta thënë të vërtetën troç, pa e filtruar, e ka ndjerë nevojën për të nxjerrë në pah gjithë grumbullime ndjenjave dhe të emocioneve që e përziejnë edhe stomakun. Narratorët, përballë një psikologu qëllojnë të jenë viktima që e kërkojnë ndihmën, e kanë të vështirë që ta ballafaqojnë dhimbjen, e kanë të vështirë madje ta besojnë se çka ka ndodhur. Në ndonjë rast tjetër, narratorët mund  të jenë edhe abuzuesit, edhe ata vijnë tek psikologu, e ndjenjë një pendim të vogël, tentojnë të kërkojnë falje. Narratorët në raste të tjera janë thjesht vëzhgues, edhe ata mbesin të shtangur nga fuqia e njeriut për keq”, thotë Uka në fjalimin e tij, që përtej kësaj, ngjasonte si një fjalim i niveleve të larta, në salla të mëdha, fjalime të njohura në gjithë botën, që mund të kemi parë nëpër kërkimet e tona në internet.

Më pas, në projektor shfaqet sërish video tjetër, kësaj radhe, me zëra të njerëzve që nuk arrijnë të gjejnë paqe me veten, të atyre që me gjithë sfidat e dështimet arrijnë deri në urrejtje ndaj vetes dhe fajësimi i vetes për çdo rezultat. Në këto raste, sipas Ukës, vetja jonë bëhet armiku ynë më i vështirë.

“Vetja jonë mund të jetë miku më i mirë, apo armiku më i vështirë, ky zë i brendshëm, ndonjëherë është zë i qetë, zë i butë, që qetëson edhe atëherë kur shembet bota, e ndonjëherë tjetër ai zë i brendshëm prodhon veçse një zhurmë të tmerrshme edhe atëherë kur ajo çka sodisim është thjesht një peizazh i qetë, gjithçka fillon dhe mbaron me veten. Të gjitha ato përjetimet e panumërta që dëshmitare i kanë shqisat tona, derdhen si një lumë në mendjen tonë, aty ku përpunohen, shpeshherë edhe gabueshëm. Ajo gjendja që nuk e kontrolloni dot, ato ndjenjat që bëhen të pa rezistueshme, arsyeja që ju bën që të vizitoni psikologun ose psikiatrin, ajo diagnoza ose etiketa është më shumë se gjithçka tjetër, një interpretim, ma shumë se për gjithkënd tjetër, ka të bëjë me veten tonë. Sa e sa debati është shteruar duke pritur në përfundim që interpretimet tona, e jo ngjarjet, e bëjnë diferencën. I njëjti mjedis që për dikë është prehje e për dikë tjetër makthi vetë, të njëjtat situata që për dikë janë kënaqësia shpirtërore e për dikë tjetër janë ferri. Ndonjëherë është një grumbull problemesh, e ndonjëherë një problem i vetëm, por kurrë, asnjëherë, nën dritën e interpretimit të një klienti, pse ndjehet ashtu siç ndjehet nuk është e thjeshtë”, shprehet Uka në fjalimin e tij, në tentim të pasqyrimit të dobësisë që një njeri mund të ndjejë, kur zbehet besimi në vete, kur prishen ekuilibrat e brendshme, e çdo gjë i ngjason vetëm një terri.

E ndonjëherë, jo gjithmonë është vetja ajo që mund të fajësohet për të situatat e vështira në jetë, ato situata që çojnë drejt rrugëve pa krye. Videoja e radhës sjell zëra të njerëzve që pasigurinë e gjendjen e vështirë e kanë arritur si rezultat i veprimeve të të tjerëve, madje nga ata që i konsiderojnë si krah ku mund të mbështesin kokën.

“Shpeshherë ata, të tjerët, janë burimi i problemeve tona, por për çudi janë edhe mbështetja më e madhe, ata janë trazimi i ndjenjave tona por janë edhe qetësia, janë zjarr dhe akull. Megjithatë, më duhet ta pranoj se njerëzit ndonjëherë i ndryshojnë rolet, familja – prehja që e dëshirojmë me çdo kusht bëhet çerdhe e parehatisë, përplasjeve presionit e ndonjëherë edhe e dhunës. E njëjta dorë që e përkund djepin kthehet në dorën  që e këput ëndrrën. Babai, mburoja përpara çdo rreziku që e përshkruante një adoleshente, kthehet në grushtin që godet pamëshirshëm, kthehet në arsyen e frikës, ankthit. Mungesa e dorës që zgjatet dhe ndihmon, kthehet në distancën kilometërshe në mes të miqve që nuk shohin përtej hundës së tyre”, vë në pah Uka, duke dhënë një reflektim të asaj që ndonjëherë problemi nis e buron nga ata që i kemi më afër, nga të cilët në këmbim të së keqes, presim për një dorë mbështetëse.

Në një jetë kur pothuajse për të gjthë njerëzit, nevoja për të punuar e për t’u avancuar zë një rëndësi të madhe, dështimi në këtë aspekt ka shumë mundësi të manifesohet me gjendje stresi, ankthi e edhe depresioni. E në këto raste kur asgjë në jetë nuk funksionon e duket sikur çdo gjë ka kthyer shpinën, Uka thotë se secili duhet t’ia kujtojë vetes që thjesht nuk është momenti dhe koha e tij.

Më tutje, Fitim Uka vë në pah edhe të kaluarën dhe të ardhmen, të dyja si determinuese të gjendjes shpirtërore, e kaluara, si një peng që të lë në vend dhe s’të lë të vazhdosh më tutje, e po në të njejtën mënyrë shqetësn edhe e ardhmja, shqetësimi e frika se çka do të ndodhë në të nesërmen, çka nëse humbim gjithçka, ose-ose, frika se nesër mund edhe të mos jemi më.

Ndërkaq, ju kujtojmë se libri “Teoria dhe Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” është botuar në vitin 2022 në gjuhën shqipe fillimisht, ndërkaq tani ky libër vjen edhe në gjuhën angleze./KultPlus.com

Të ngjajshme