Publikohen dokumentet që dëshmojnë ndjekjen që Sigurimi i Shtetit i ka bërë Kadaresë

6 Shkurt, 2018 - 10:01 am

Materiale, që dëshmojnë ndjekjen që Sigurimi i Shtetit i ka bërë Ismail Kadaresë, do t’i dorëzohen në dorë, vetë shkrimtarit.

Autoriteti për Informimin e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit e ka gati tashmë dosjen me materialet e gjetura deri më tani, ndërsa priten të dalin në dritë edhe të tjera dokumente. Këtë lajm e ka dhënë drejtoresha e AIDSSH-së, Gentiana Sula, gjatë promovimit, të botimit të katërt të serisë dokumentare për Kadarenë, përgatitur nga studiuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi.

Një aktivitet organizuar nga Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare”, e cila tanimë ka mbyllur një projekt dyvjeçar, titulluar “Kadare dhe regjimi”.

“Unë e kam këtu dosjen, po të ishte këtu shkrimtari do ia dorëzoja, por ende nuk do ia jap qendrës, do pres shkrimtarin, por doja ta ndaja me ju që po e kryejmë këtë proces. Dua t’i them qendrës dhe autorit që puna nuk ka mbaruar, besoj se të tjera materiale do të dalin. E përgëzoj Qendrën e Studimeve Shqipe “Kadare”, është krijuar edhe Instituti për Studime “Musine Kokalari” nga familjarët, Instituti “Marash dhe Martin Ivanaj”, pra, ka një ndërhyrje qytetare për të parë thellë çështjen dhe jo për të ndjekur një faksimile të paautorizuar apo të paverifikuar aty-këtu, por për të hyrë thellë e për të punuar jo vetëm me arkivin, por me një arkiv të përpunuar në mënyrë shkencore, për të bashkëpunuar në rrjete kërkuesish, për të lidhur arkivin bashkë me dëshmitë gojore të këtyre qytetarëve që patën fatin e keq të jenë në teleskopin e ish-Sigurimit, por që ndërkohë i kemi gjallë dhe mund ta plotësojnë historinë në dosje me ekzistencën e tyre.

Po të shohësh dosjet e Sigurimit kanë një gjuhë negative, ka stereotipa, le të biem dakord që këto dosje nuk ishin krijuar për t’i lavdëruar njerëzit, por për shantazh e përgjunje. Ndaj duhet lexuar mes rreshtash, kërkon qytetari, patriotizëm, dëshirë për të ecur përpara, pajtim dhe për ta plotësuar atë që gjendet në dosjet, me kontestin e kohës, dëshmitarët okularë dhe dëshmitë”, tha Gentiana Sula, duke shtuar se “Kadare ka qenë i pari që ka ngritur zërin për një shkëputje morale me të shkuarën, nëpërmjet hapjes së dosjeve në vitin 2006, kur Këshilli i Europës nxori një rezolutë të fortë për kohën dhe ai është nga ato figura që diti ta lexojë, përkthejë dhe la disa porosi si duheshin bërë hapjet e dosjeve.
U deshën më shumë se 12 vjet përpjekje të shoqërisë që nuk reshtën, e as qytetarët nuk reshtën së dëshiruari dhe porositë e tij u vunë në vend. Dhe po të shohësh ligjin e dosjeve, kuraja e tij qytetare është e përkthyer në aktet dhe nenet aty. Kuraja e tij qytetare nuk reshti edhe kur qe ndër të parët njerëz që bëri aplikimin në institucionin tonë për t’u njohur me dosjet e tij dhe autorizoi Qendrën e Studimeve ‘Kadare’ që të ishte ‘agjenti’ i kërkimit shkencor për të punuar me dosjet e tij”.

PROJEKTI “KADARE DHE REGJIMI”

Botimi i katërt i veprës dokumentare që vërteton ndjekjen që i është bërë shkrimtarit Ismail Kadare gjatë diktaturës dhe raportin që ai ka pasur me regjimin, përmbylli një projekt dyvjeçar kërkimesh dhe botimesh nga Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare”. Vepra e parë, e mbështetur nga kjo Qendër, ka qenë libri “Kadare i denoncuar” për të vijuar më pas me librin e studiueses Viola Isufaj, “Kadare në letrat e sotme franceze”, i cili sillte një pasqyrë të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar në studimet franceze.
Më pas, “Kadare në Pallatin e Ëndrrave” me 101 dokumente sekrete të papublikuara më parë. Ky botim është risjellë nën titullin “Kadare dhe regjimi komunist”. Këtij botimi i janë bashkangjitur dhe shënime nga personazhe të njohura të publicistikës e letrave shqipe, si Henri Çili, Mustafa Nano, Romeo Gurakuqi, Mero Baze, Agron Fico dhe Bedri Islami, ndërsa shoqërohet me një ekstrakt të qëndrimeve publike të një prej figurave të njohura mbi qëndrimet e tij mbi të shkuarën, avokat Spartak Ngjelës, nën titullin “Pse sulmohet Ismail Kadare”.
“Ky është një ndër projektet më ambicioze që një qendër studimore ka marrë këto vite, me kontribut historik, si një material i rëndësishëm bazë për studiuesit. Ky studim tregon jo vetëm sesi shkroi letërsi nën kushtet e një survejimi të vazhdueshëm një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli, por dhe mekanizmin gati shkatërrues sesi funksiononte diktatura komuniste.
Këto dokumente i japin përgjigje dhe pyetjes së vazhdueshme që ngrihet në shtyp këto vite se ‘Përse sulmohet Kadare?’. Në 101 dokumente sekrete ne mund të shohim se si letërsia e madhe arrin të çajë dhe diktaturat më të egra. Tashmë, ky libër është duke u botuar në gjuhën angleze”, thotë Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës së Studimeve Shqipe “Kadare”, shkruan Panorama./ KultPlus.com

Të ngjajshme