Publikohen emrat e pesë finalisëve për “Çmimin Kadare”, të dielën shpallet fituesi

27 Shkurt, 2021 - 12:05 pm

Mes 30 veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët u përfshinë në këtë konkurs, u veçuan dorëshkrimet e paraqitura nga këta pesë autorë në gjininë e romanit dhe të prozës së shkurtër.

Pesë finalistët në garë për Çmimin letrar “Kadare” 2021 janë Arbër Ahmetaj, Ballsor Hoxha, Behar Jacaj, Gani Mehmetaj dhe Marcel Hila. Ditën e dielë, më datë 28 shkurt pritet që të shpallet fituesi i këtij çmimi në gjininë e prozës, në edicionin e gjashtë të këtij konkursi.

Mes 30 veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët u përfshinë në këtë konkurs, u veçuan dorëshkrimet e paraqitura nga këta pesë autorë në gjininë e romanit dhe të prozës së shkurtër.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj bën me dije se veprat e paraqitura pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues shkrimtarësh që gjakojnë letërsinë e mirë.

“Nga dorëshkrimet e paraqitura, vihet re një tendencë që sa vjen e konsolidohet, sidomos nga autorët e rinj, për të shkruar letërsi që nuk njeh kufinj gjeografikë apo konvencionalë,”- thotë Zogaj.

Këtë vit, ndryshoi edhe kalendari kohor i mbajtjes së këtij aktiviteti për shkak të kushteve të pandemisë.

Veprat e kualifikuara:

Arbër Ahmetaj me romanin “Koha e thertores“ 

Personazhi, Hetuesi L, gjatë vizitës në një fshat të humbur, në fëmijërinë e tij, gjen në tavanin e shtëpisë së tezes, qindra qelqe negativash, foto që dëshmojnë historinë e vendit tij. Por, s’duhet t’ia tregojë kujt këtë zbulim, pasi ato i janë lënë në besë të zotit të kullës, nga frika se do t’ia shkatërronin Shqipërisë atë thesar dokumentar. Ngjarjet zhvillohen në kohë…Shqipëria zien. Shenjat e luftës në Kosovë nuk vonojnë të bëhen të lexueshme. Qyteti ku janë të vendosura ngjarjet është në kufi…

Fati i Shqipërisë, si ai i xhamave të negativave të historisë së saj, vjen përmes dinamikës së zhvillimit të secilit personazh. Në emigracion, hetuesi, përpiqet të deshifrojë sëmundjet e qytetit, nisur prej barnave!  Vite më vonë, ia bën dhuratë të birit regjistrin e vjetër në formë libri. Të gjithë personazhet kryesore të këtij libri largohen nga Shqipëria. Atdheu u thërrmohet nëpër duar.  Përpiqen të rikrijohen jashtë tij, si shprehje e ripohimit të vetes: atdheun në supe, në shpirt. Këto janë dhimbjet e personazhit, kjo është nyja e rrëfimit!

Ballsor Hoxha me përmbledhjen me tregime “Momenti, ndanë lëkurës”

Përmbledhja me tregime “Momenti, ndanë lëkurës” përmban gjashtë kapituj, ku secili ndërlidh tregimet e tij me një hyrje filozofike-poetike dhe një përfundim të së njëjtës natyrë. Të gjithë tregimet kanë një temë të trajtuar në situata dhe personazhe të ndryshëm, gjithnjë duke krijuar një përmbledhje të së njëjtës temë në perspektiva të ndryshme. Po ashtu edhe si lajtmotiv i të gjitha tregimeve të përmbledhjes ndërlidhet edhe një këngë, e cila ndërthuret me temën e tregimit.

Në përgjithësi, kjo përmbledhje me tregime del si një trajtim i menduar i tërë bashkëkohësisë sonë, por edhe duke përfshirë situata të të kaluarës, të cilat  provokojnë reflektim tek lexuesi dhe mishërojnë pavetëdijësinë tonë në të përditshmen e rëndë dhe shpesh tragjike. Po ashtu përmbledhja tenton të kapë në tërësinë e saj – kalimin e njeriut bashkëkohor, ndërgjegjes  dhe sjelljes sonë, në këtë përshpejtim global të egzistencës së njeriut.

Behar Jacaj  me përmbledhjen me tregime “Rrëfimi i tredhjes”

 Paçka se me përmbajtje dhe personazhe të ndryshme, thuajse të gjitha tregimet e përmbledhjes “Rrëfimi i tredhjes”, i bashkon konflikti që ka njeriu me shoqërinë, me kohën, me vdekjen dhe mbi të gjitha konflikti që ka ai me veten. Në konfliktin me shoqërinë dy fate e presin individin: ose të fitojë ose të tredhet. Të tredhet psikologjikisht. Konflikti me kohën të interrnon në harrim. Të shndërron në një hije nëse nuk je i zoti t’a mbarsësh. T’i lësh një gjurmë. Tek konflikti  me vdekjen njeriu nuk kërkon asgjë më shumë sesa një kapitullim të paqtë. Lufta e luftrave është lufta me veten.

Ajo nuk bën amnisti as kur njeriu është në gjumë. Mizoria e kësaj lufte qëndron tek fakti se as nuk mund ikësh, as nuk mund të rrish. Paqja është më e zorshmja për t’u arritur me të.  Pjesa më intriguese e një konflikti mund të duket fati që merr përballja, kush humb, kush fiton dhe me çfarë kostoje vijnë humbja dhe fitorja. Ky libër intrigohet nga vuajtja dhe dhimbja që shoqërojnë gjatë gjithë kohës konfliket. Jo pa shkak, asnjë tregim në këtë përmbledhje  nuk merret me shoqërinë, por me individin, me ato skuta ku rrinë të fshehura plagët dhe dhimbjet e tij.

Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”

Romani “Zogjtë e qyqes” është qasje e veçantë, me personazhe të veçantë,  në ambiente të pazakonshme e ekzotike. Janë tre breza kolonësh nga gjyshi të nipi, secili më ëndrrat dhe zhgënjimet e veta. Romani “Zogjtë  e qyqes” është kujtesë dyzetvjeçare e një koloni serb.

Dragani, protagonisti i kronikës, rrëfen në vetën e parë për gjyshin, ish-xhandar i Kralit, babanë milic i Titos, ai inxhinier- vrojtues pasiv dhe kronist i ngjarjeve, dhe së fundi për të birin ushtarak, që kthehet shumë vjet më vonë. Dashuria në mes serbit e shqiptares (Draganit e Vjollcës) është nëntema tjetër, ashtu si janë edhe martesat e përziera, në një mjedis të përzierë. Dëshpërimi i protagonistit të paanshëm, nis, kur sheh se janë mu si zogjtë e qyqes që i kanë hedhur në çerdhen e huaj, ndërsa ata s’dinë si të sillen.

Marçel Hila  me përmbledhjen me tregime “Vëllazëri Ujqërish”

Tregimet marrin subjekte nga realiteti i afërt dhe bashkëkohor shqiptar – domethënë i kohës së komunizmit apo edhe i aktualitetit problematik të sotëm – ndonëse, tek këto rrëfenja subjekti nuk është një element aq i rëndësishëm. Me një narrativë të rrjedhshme shpërfaqen galeria e personazheve të këtyre tregimeve, duke mbajtur gjallë kuriozitetin e lexuesit për t’i shkuar rrëfimit deri në fund.

Personazhet komunikojnë intensivisht me njëri-tjetrin, duke i lënë pak hapësirë narratorit për të orientuar lexuesin. Tregime ku ndjehen teknikat e romanit, por duke ruajtur pavarësinë e gjinisë tregimtare. Tregimet janë të shkëputur nga njëri-tjetri, në një pavarësi të plotë. Lënda jetësore ku mbruhen këto tregime dominon rrëfimin, duke e mbajtur atë larg moralizimeve. E vërteta e shkrimtarit mëton të vijë si kategori estetike. /dosja.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme