Publikohet botimi i dytë i monografisë kushtuar aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu

5 Dhjetor, 2021 - 9:59 pm

Publicisti dhe gazetari, Fahri Musliu, e ka botuar të plotësuar monografinë për aktorin shqiptar, Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës. Në botimin e dytë, Musliu ka përfshirë edhe 20 tekste të reja të publikuara nga shtypi Italian.

Zoti Musliu, i cili për një kohë të gjatë ka raportuar nga Beogradi edhe për Zërin e Amerikës thotë se e ka ndjerë detyrim profesional e moral që të botojë monografinë për aktorin Bekim Fehmiu.

“Një vlerë e tillë fare ka qenë Bekimi me përmasa ndërkombëtare do të ishte keq të mos ishte i pranishëm dhe me te të mos njihen sidomos gjeneratat e reja sepse gjeneratat e vjetra e njohin Bekimin mirë. Bekimi në Kosovë, tek të rinjtë dhe hapësirën shqiptare nuk është shumë i njohur për arsye se është injoruar nga të gjitha pushtetet e mëhershme dhe institucionet kulturore por edhe pas vdekjes, fatkeqësisht vazhdon një injorim të tillë në nivel lokal, këtë rast po flas për Prizrenin”, tha ai.

Bekim Fehmiu i dha fund lojës në skenën jugosllave në vitin 1987, në shenjë proteste ndaj qasjes së pushtetit të atëhershëm ndaj shqiptarëve.

“Rreth Kosovës, ai ka vuajtur jashtëzakonisht prej viteve 80-ta kur edhe braktisi teatrin dhe profesionin e vet në moshën më të re, më kulmore për punë, shkaku i Kosovës, shkaku i dhunës serbe mbi shqiptarët viteve 1988-1989 dhe pastaj e ka përjetuar keq edhe shkatërrimin e Jugosllavisë sepse ai në atë hapësirë ka jetuar, vepruar dhe ka arrit kulmin, por për Kosovën ka vuajtur shkaku i vuajtjeve të shqiptarëve dhe represionit serb mbi Kosovën”, tha zoti Musliu.

Zoti Musliu thotë se Bekim Fehmiu gjatë viteve 90-ta ka lobuar në Shtetet e Bashkuara për Kosovën duke përdorur lidhjet e tij kulturore. Ai thotë se kur është shkatërruar Jugosllavia, Bekim Fehmiu është angazhuar për pavarësinë e Kosovës por sipas tij, ka qenë i pakënaqur me mënyrën e drejtimit të institucioneve të saj.

”Dhe shpesh në këtë aspekt kemi biseduar se për keqpërdorimet e mëdha dhe ai është habitur vet, ka pasur një pasqyrim tjetër një mendim tjerët për shqiptarët, për kosovarët që kanë vuajtur se do të silleshin më ndryshe, do të silleshin me një vetëdije dhe ndërgjegje më të lartë, do ta ndërtonin shtetin, do të investonin në shtet dhe jo ta shkatërronin dhe kjo ka qenë elementarja. Bie fjala shpallja e pavarësisë së Kosovës ai e ka pritur me një entuziazëm të veçantë por prapë një frikë e tij se gjërat nuk po shkojnë si duhet”, tha ai.

Aktori shqiptar, Bekim Fehmiu ka ndërruar jetë më 16 qershor të vitit 2010 ndërsa ai u bë i njohur me filmat “Edukimi i Posaçëm”, “Skuadra Partizane”, ndërsa famën më të madhe në ish Jugosllavi e arriti me filmin “Mbledhësit e Puplave”./VOA /KultPlus.com

Të ngjajshme