26 Prill, 2022 - 6:32 pm
Monografia “Parashkollorët- në njohjen e parë me gjuhën amtare”, e autores Zamira Shkreli është një punim i pasur në fushë të studimeve gjuhësore, ku rroken disa disiplina të dijes.
Autorja Zamira Shkreli vjen para lexuesit të kualifikuar me këtë botim duke shkelur në një rrugëtim relativisht të gjatë, që fillon me formimin e saj universitar në dy degë të USH, në atë të Ciklit të Ulët, e më pas në Gjuhë shqipe e Letërsi, duke vazhduar me studimet në ciklin e thelluar të Doktoraturës, ku ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor”në Gjuhësi, pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Në përvojën e saj si kërkuese shkencore pranë QSA të U SH-ës, e lektore në kursin “Didaktikë e gjuhës shqipe”, në Fakultetin e Mësuesisë, si dhe në degën Gjuhë shqipe e Letërsi, ajo është tërhequr e joshur prej dëshirës për të kërkuar dhe hulumtuar drejtpërsëdrejti aty ku buron e fillon e përftohet gjuha amtare te të vegjëlit, e duke shkuar hap pas hapi si zhvillohet ajo bashkë me rritjen fizike, mendore e shpirtërore.
Në hyrje të monografisë, autorja Shkreli shkruan:”… Ky punim ka si qëllim t’u përgjigjet disa pyetjeve që më kanë lindur gjatë punës sime:
Si e përvetësojnë gjuhën amtare fëmijët parashkollorë? Cilët janë faktorët e jashtëm e të brendshëm që ndikojnë në ndërtimin e përftimin gjuhësor të tyre? Cilët janë elementet didaktikë që ndihmojnë të vegjëlit, dhe sa leksik aktiv përftojnë parashkollorët gjatë këtij harku kohor?
Studiuesja Shkreli në këtë hulumtim disavjeçar ka bashkërenduar shumë mirë përvojën profesionale me përvojën jetësore, si nënë duke ndjekur procesin e rritjes së dy fëmijëve të tyre.
Duke ju referuar objektivit të punimit të saj, si dhe pikave mbështetëse mund të themi, se kemi të bëjmë me një punë të mirëmenduar e duke shfletuar me kujdes faqet e librit kuptojmë, se është mbarështruar me kujdes i gjithë materiali teorik e praktik që përmbledh autorja falë dhënies saj për një botim të kësaj natyre./atsh/ KultPlus.com