17 Nëntor, 2020 - 3:27 pm
Medina Pasoma
Koha ka qenë dëshmitare e shumë vargjeve lirike, himnizimeve dhe ngritjeve të shkrimtarëve nëpërmjet kultit të gruas. Mirëpo, përherë më e vështira ka qenë pasqyrimi i banorëve të shpirtit të saj, dhimbjes dhe fuqisë.
Shkrimtari Ag Apolloni ka vendosur të dal nga kornizat e frymëzimeve individuale, të mos bëhet kumt i historisë por, ai ta bëj historinë. Dy protagoniste me fate të ndryshme, por dhimbje të njëjtë, janë shpalosur në veprën e tij më të re “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Në çdo faqe të romanit dokumentar merr banim pritja e Ferdonije Qerkezit, rrokullisja e syve të saj në katërmurëshin e ftohtë të mbushur me fotografitë e të dashurve të saj që lufta ia morri. Katër djemtë dhe burri i saj janë sinonime të fjalës ‘mungesë’ për të, ndërkaq ajo është kthyer në kuptimin dhe gjallërinë e fjalës ‘fuqi’. Në vitin 2005 ajo do t’ua hidhte dheun përmbi eshtrave të dy bijve të saj, teksa edhe sot vazhdon t’i pres gjurmët e burrit dhe dy djemve tjerë.
Kundër padrejtësive të jetës, dikush vendos të ‘protestoj’ në formën e vet. Pashkë Marku nuk mund të qëndronte indiferente karshi humbjes së dy djemve, andaj ajo vendosi të mbetet një vulë historike e mbështjellë me zjarr. Disa ditë pas varrimit të eshtrave të të bijve, ajo dogji veten me benzinë, si revoltë ndaj humbjes që kishte pasur.
Fati i këtyre nënave, të cilat janë përfaqësuese të mijëra të tjerave që lëngojnë nga humbjet e luftës, kanë marrë banim në veprën më të re të Apollonit, i cili ka vendosur ta ndaj me KultPlus rrugëtimin e “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.
Ai rrëfeu se letrat e tij kishin filluar të mbushen me fjalë që në prill të vitit të kaluar, atëherë kur me shokët e tij, Dritan Dragushën dhe Gazmend Bajrin kishin vizituar shtëpinë-muze të Ferdonijes.
“Linjat i krijova ditën e vizitës, por përpunimet, saktësimet faktografike dhe lëmimet stilistike kanë marrë krejt kohën e mbetur”, nis detajimin e rrugëtimit të romanit dokumentar Apolloni.
Përveç në mendjet e lexuesve për nga aspekti tematik, vepra ka pasur veçanti edhe te shkrimtari për mënyrën e të shkruarit. Tanimë, ai kishte dal nga fiksioni dhe ishte kapur për realiteti.
“Kjo është hera e parë që shkrova këtë tip të romanit, pra dokuromanit, i cili është duke dominuar në letërsitë e vendeve të tjera”, thekson autori, i cili tregon se leximet e shkrimtarëve të huaj i kanë shërbyer si model.
Kthesa emocionale e çdo vepre qëndron në protagonistët dhe fatet e tyre. Apolloni i cili i ka lënë një vend të veçantë në krijimtarinë e tij këtyre dy zonjave të fuqishme, i portretizon në forma të ndryshme.
“Ferdonija është simbol i durimit, kurse Pashka – simbol i rebelimit. Përtej këtyre simboleve nuk ka një simbol të tretë, por natyrisht ka tragjedi të shumta ndërmjet”, vlerëson shkrimtari.
Teksa çdo nënë e Kosovës që ka ndjerë të njëjtën dhimbje është simbol i diçkaje, ai ka vendosur t’i zgjedh pikërisht këto dyja, arsyen e së cilës e rrëfen:
“I kam zgjedhur këto dyja, sepse nëpërmjet tyre arrihet te përgjithësimi filozofik i këtyre rasteve. Ferdonija pret, Pashka revoltohet. Njëra bëhet simbol sizifian i absurdit, tjetra simbol i revoltës. Thënë shkurt: çdo nënë ose pret, ose revoltohet”.
Një ndihmesë në këtë zgjedhje i ka dhënë filozofia e shkrimtarit Alber Camus.
“Figura e nënë Ferdonijes, përmban brenda vetes edhe rastin e Zoje Prendit, që ia vranë pesë djem, por edhe të shumë nënave të tjera që vazhdojnë të shpresojnë e të presin. Ndërsa figura e nënë Pashkës i përfaqëson rastet e nënave të revoltuara”, sqaron autori duke përmendur personazhe të Camus.
Ashtu siç është tërë libri, edhe titulli ka një peshë të rëndë. “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ndërlidhet me fatin e dy grave të cilat do të mbeten të paharruara në historinë e Kosovës.
“Ferdonija kapet për një fije shprese, ndërsa Pashka e realizon revoltën nëpërmjet një fije shkrepëse. Kur fiket shpresa, ndizet shkrepësja. Por vetëvrasja e saj ishte edhe thirrje për kujdes ndaj nënave zemërdjegura”, shprehet Ag Apolloni.
Mesazhi i kësaj vepre kalon së qenuri në shinat e moraleve të protagonistëve të letërsisë, mirëpo ajo ndërlidhet me gjakun dhe shpirtin e dy qenieve reale. Andaj, ashtu edhe siç thotë autori, çdo histori e këtij libri është kod dhe mesazh në vete.
“Mesazhi që theksohet më shumë, është ai që përfaqëson shkrimtari hebre, Elie Ëiesel, që të mos rrimë indiferentë përballë krimeve. Mbi këtë motivacion është inkorporuar edhe ligjërata e tij, “Kurthet e indiferencës”, të cilën e pati lexuar në Shtëpinë e Bardhë, para se të ngarkohej nga presidenti Clinton për t’i vizituar kampet shqiptare dhe për ta bërë një raport mbi gjendjen e refugjatëve”, thotë shkrimtari Apolloni.
Ajo që do t’ia ‘heq’ pluhurin e harresës kësaj vepre do të mbetet versioni real i saj dhe thirrja për vëmendjen ndërkombëtare.
“Ky roman dokumentar mund të lexohet dhe të trajtohet edhe nga ata që merren me çështjet e drejtësisë. Pra, ky është roman që sjellë prova të pakontestueshme për spastrimin etnik dhe gjenocidin mbi shqiptarët”, thotë autori.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse” do të mbetet gjatë në mendjen e lexuesve dhe do të jetë përherë një gjurmë me përplot dhimbje të Kosovës. /KultPlus.com