2 Mars, 2019 - 9:34 am
Rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët ushtruan profesionin e tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99, pritet që të marrin beneficionet e tyre, sipas Ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Këta punëtorë të arsimit gjatë kohës së para dhe gjatë luftës, pritet që të marrin beneficionet pas daljes së tyre në pension.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar në tërësi Ligjin për mësimdhënësit e arsimit shqip në vitet e 90-ta.
Ai tha se beneficionet shtetërore do t’i takojnë të gjithë punonjësve të arsimit gjatë asaj kohe, ku përfshihen edhe punëtorët të tjerë, si teknik dhe administrativ.
Sipas Bytyqit, të drejtë për të përfituar nga beneficioni do të kenë edhe bashkëshorti ose bashkëshortja e ndonjërit prej ish punëtorëve të arsimit shqip në vitet e 90-ta, të cilët nuk ndodhen më në këtë jetë.
“Ky ligj ka përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tjerë, si punëtorë të tjerë, punëtorë teknik, punëtorë administrativ. Edhe informacionet ekzistojnë edhe këtu në ministri, mirëpo proceduralisht kërkohet që ne ta kemi një akt nënligjor që specifikon mënyrën e aplikimit secilit mësimdhënësit apo trashëguesit të mësimdhënësit, këtu flasim që mund të jetë mësimdhënësi por edhe bashkëshorti ose bashkëshortja në rast se kemi ndonjë që nuk jeton tashmë në këtë periudhë që të aplikon dhe të fillon ta shfrytëzon pjesën pensionale”, tha ministri Bytyqi.
Bytyqi ka bërë të ditur se përqindja përfituese do të jetë në kohën kur punëtori i arsimit të asaj kohe do të del në pension dhe e cila është e përcaktuar në bazë të viteve sa ka punuar, të cilat fillojnë nga 1 deri në 9 vjet kontribut.
“E drejta për ta shfrytëzuar këtë beneficion do të jetë në ditën kur është pensionuar, që nga ajo ditë do të fillon e drejta për shfrytëzim edhe këtu pastaj kemi një kategorizim sipas kontributit që kanë dhënë këta persona, duke filluar nga një vit deri në nëntë vite është periudha e kontribut-dhënësve që kanë kontribuar në periudha të rëndësishme gjatë këtyre viteve të rëndësishme dhe sipas këtyre viteve do të jetë edhe pjesa që është e ndame me përqindje si beneficion. Ma e ulëta është diku për një vit është 3.45 për qind e pagës aktuale të mësimdhënësit dhe më e larta që është për nëntë vite 17.28 për qind e pagës aktuale të mësimdhënësit. Kjo është pjesa shtesë që do ta marrin secili mësimdhënës apo punëtorë administrativ apo bashkëpunëtorë mbi pensionin që i takon në kohën që do të pensionohet”, bëri të ditur ministri Bytyqi për Ekonomia Online.
Madje sipas Bytyqit, edhe ata të cilët veçse kanë dalë në pension dhe deri më tani nuk kanë marrë beneficione, priten që këto të fundit t’i llogariten që nga momenti që kanë marrë statusin e pensionistit.
Sa i përket aplikimit, Bytyqi thotë se ende nuk është bërë e ditur se si do të jetë. Sipas tij, pas miratimit të projektligjit nga ana e presidentit të vendit, do të fillojnë procedurat e nevojshme, për të gjitha udhëzimet administrative.
Bytyqi ka bërë të ditur se ligji do të futet në fuqi sapo të dekretohet nga presidenti dhe të del në gazetën zyrtare.