5 Korrik, 2017 - 5:36 pm
Poezi e shkrimtares Mimoza Ahmeti.
Fytyrë e bukur dikur, tani stigmatike,
në gjurmët e tua gjej vrasjen që të kanë bërë,
në gratë që i humbe, që i braktise, a shpëtuan duke ikur prej teje,
për të mbetur gjallë diku
në lemoshe ndjenje.
Fytyrë e bukur dhe sot, me gjithë prishjen, dyshimin,
dekompozimin,
trup që zvarrisesh e birresh në tokë të mallkuar.
Masë vigane dhe e dëshpëruar njëkohësisht.
Një vath në vesh-diç ja nxit kotësisë kuptimin.
Çdo ditë humb diçka nga cilësia e yllit,
vdiresh në rërë.
Çdo natë fiton diçka nga pamortësia e vdekjes.
Oh, tani që po shuhesh, ndërsa vazhdon akoma të shuhesh
vërvit në ajër tentakula të tmerrshme vetmie të shthurur
me lak fshikullues kap, tërheq e shtrëngon,
robëron
me buzët sterile, trupin e pandjeshëm.
Shpesh kam rënë në gjurmët e bjerrrjes sate, shfrimit
mënyrës së tërthortë të shfaqjes, helmimit,
fshehjes, sofizmit, lëkundjes, së paqenës,
asaj paqendrueshmërie që nuk ngre dot bazë.
Ndjenja luksoze, në esencë shkatërruese,
gërryejnë si macet gjire grash të lëna.
Rrugëhumbur i bukur që vazhdon të humbësh,
që di të sillesh, por që etika s’ta përmush dot shpirtin.
Jam jotja, më ke, gjithmonë më ke pasur,
mbështetje, frymë, shteg në rrugë pa krye,
Por ti s’e kupton, ngaqë je gomar,
dhe ky është shkaku
që unë të dua tmerrësisht.