23 Prill, 2021 - 10:30 pm
Era Berisha
Promovimi i librave si: ‘’Me ekzistu është vetë kuptimi” nga Sibel Halimi dhe “Mjegulla” nga Dhurata Hoti, si dhe promovimi i punës së rezidentes Katarina Saric, e cila është pjesë e programit të shkrimtarëve në rezidencë “Prishtina nuk ka lumë”, erdhën pikërisht në Teatrin Oda me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Librit, ngjarje kjo e organizuar nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.
Në një ditë kaq të rëndësishme nisi edhe diskutimi rreth letërsisë, prozës dhe poezisë, diskutim ky i moderuar nga Aurela Kadriu, e cila shprehet e kënaqur që sot do të diskutonte me tre gra të cilat sipas saj janë shumë të suksesshme, qoftë në punën letrare e poashtu edhe në profesionet e tjera të tyre.
Fokusi kryesor në këtë mbrëmje ishte edhe krijimtaria letrare e autoreve, që ngjalli emocione për dashamirësit e librit dhe artit në përgjithësi e për të cilën qetësia totale gjeti vend në sallën e mbushur plot me pjesëmarrës.
Ndërsa, për të folur më shumë rreth këmbënguljes për zhanrin e poezisë, prozës dhe tregimit të shkurtër, e pranishme ishte vetë autorja Sibel Halimi.
“Sa herë që diskutohet për poezinë, i atribuohet nocioni i tregut që nënkupton se poezia ik nga ideja që thjesht ne shkruajmë, jo për të përfituar në kuptimin klasik se si kapitalizmi e sheh materializimin e një rezultati të krijuar. Thjesht, po të ishte ashtu atëherë nuk do të kishte ekzistuar as talenti, pra kur talenti krijohet nuk mendohet as fama e as tregu, por thjesht poezia brenda vetes ka një botë të brendshme të shqetësuar”, tregon Halimi.
Sipas saj, poezia ka një kompleksitet prapa vetes që lidhet me shqetësime të brendshme, prandaj akumulohet dhe ndryshohet dialektika duke bërë që komunikimi i shqetësimeve në mënyrë poetike me publikun, për të është vetë vlera. Prandaj, të shkruash poezi në një kohë kaq dinamike është një kohë e distancuar mes lexuesit dhe librit në kuptimin klasik të fjalës sepse në këtë kohë kanë ndërhyrë mjetet teknologjike duke pasuar në strukjen e poetit në një mënyrë komplekse.
“Poezia gjithmonë është konsideruar nga shumë filozofë si niveli i parë i njohjes imagjinative por që nuk ka të bëjë me njohjen por është thjeshtë një reaksion i brendshëm i komunikimit që bëhet me një kategori të caktuar të shoqërore. Por që me kalimin e kohës, poezia është kthyer në zhanër të nivelit të lartë të njohjes, prandaj të shkruash poezi kur ekzistojnë çasje të ndryshme është një karakteristikë që duhet komunikuar”, shpreh Halimi.
Tutje ajo ka folur edhe për problemin që poezia nuk lexohet shumë ose i takon një grupi të caktuar ku sipas saj kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me sistemin arsimor, me ç’rast poezia është një zhanër jo atraktiv, e lidhur me nacionalizmin dhe elemente të figurave historike dhe e cila nuk promovohet shumë në kurrikulën e arsimit, prandaj që poezia të gjallërohet e kultivohet, sipas Halimit duhet të ndryshohen mënyrat se si kremtohen ngjarjet e ndryshme kulturore duke ofruar lexuesve poezinë moderne që i dedikohet përditshmërisë, subjektit grua dhe njeriut.
“Sa më shumë që ne e shkëpusim poezinë nga historia dhe turma dhe e afrojmë afër individit, e shohim që poezia është shumë më atraktive se cilido zhanër tjetër”, potencon ajo.
Për Halimin, përkthimi i aktivizmit në poezi nuk mund të jetë një lidhshmëri e thjeshtë sepse ka elemente tematike të dekonstruktimit të gruas në sistemin patriarkal në poezitë e saj por që poezia duhet të shihet përtej aktivizmit, grupeve dhe lëvizjeve moderne që duhet të kenë elemente kritike sepse historia gjithmonë e ka parë gruan vetëm nga elementi i të qenurit ‘nënë’ e për çka në poezi zhveshët komplet elementi ‘nënë’ duke i dhënë liri nënës përmes rolit të plotësuar ndaj vetvetes.
“Ajo çfarë më ka shqetësuar gjithmonë është portretizimi i gruas në dy dimensione, thurja e himneve për të bukurën si kategori estetike, prandaj kur poezia përdoret për dekonstruktimin e normave të krijuara nga shoqëria atëherë konsiderohet një mesazh i rëndësishëm dhe emancipues” përfundon ajo.
Ndërsa, dramaturgia Dhurata Hoti, ka folur për vështirësinë e të shkruarit nëse do të ekzistonte varësia për përfitimet e shitjeve
“Nevoja për të shkruar ka lindur si nevojë për të thënë gjëra që shpesh nuk kanë qenë të përshtatshme ose nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm shprehja e vetme ndaj njerëzve. Por që në përgjithësi nuk do të kishin pasur vlerë artistike nëse do të ekzistonin vetëm shkrimet me porosi”, tregon Hoti.
Sipas saj, zhanri i tregimeve të shkurtra erdhi si nevojë për të shprehur skena e momente intensive dhe emocione të skajshme, por që pa pasur nevojë të qëndrohet brenda rregullave të shumta të skenarit dhe dramës, ajo ka shkruajtur për të argëtuar veten, diçka që ka pasur qejf ta lexoj vetë. Prandaj, janë diçka poetike që i përshtaten kohës e jo diçka konsumuese.
Natyra e shkrimeve të Hotit, është cilësuar si një realitet magjik që është i bazuar në gjëra të kohës të tanishme por karakteret kalojnë në gjendje emocionale absurde e sureale dhe që mënyra e perceptimit të saj ndaj karakteristikave të personazheve si ankthi, një cregullim emocional ka bërë që përjetimet e detajuara të ndjehen në lëkurën e çdo kujt, prandaj kjo ndjenjë është përcjell gjatë gjithë librit të saj ku tingujt, ngjyrat, emocionet të ndjehen shumëfish.
“Ky është realiteti im sepse personalisht ekziston tendenca që unë ti shoh gjërat në këtë mënyrë prandaj qëllimi kryesor që nga fillimi për këtë libër ka qenë një emocion i caktuar”, përfundon ajo.
Kurse për anën perspektive rajonale mbi shkrimin e poezisë, ka folur edhe Katarina Saric e cila ka shprehur se ajo shkruan nga rrokullimi i brendësisë shpirtërore.
“Shkrimet i mbaj gjatë në vete derisa i përpunoj në fazën finale, pra në hedhjen në letër. Puna profesionale si shkrimtare është shkrimi nga ndjenjat e brendshme, një rrëfim i brendshëm sidomos kur ajo transmetohet në publik duke zbërthyer kështu shtresat e mia më intime në krijimtarinë dhe përvojën time”, tregon Saric.
“Poezia e angazhuar e shpreh shpirtin e një kombi”, potencon ajo.
Krejt në fund, pas këtij diskutimi për tema nga më të ndryshmet, një larmi mendimesh dhe zërash që portretizuan fuqinë artistike të gruas, ngjarja gjeti fundin me leximin e fragmenteve nga puna e këtyre shkrimtareve duke përmbyllur kështu identitetin e zhanreve diversive në një frymë sa poetike aq edhe thumbuese për secilin që përjeton tërësisht ndjenjën e të dëgjuarit të poezisë. Po ashtu, pas promovimit të librave të pranishmit patën mundësi të marrin nënshkrimet e autoreve për librat e promovuara. / KultPlus.com