3 Shtator, 2020 - 12:13 pm
Dramat e tij janë duartrokitur nëpër teatro të ndryshme, madje duke rrëmbyer edhe çmime vendore e ndërkombëtare. Mirëpo, kësaj radhe ato nuk do t’i shfaqen vetëm shikuesve por, do të kalojnë edhe në duart e lexuesve.
Dramaturgu dhe regjisori teatror, Naser Shatrolli shumë shpejt do të sjell përmbledhjen e 6 dramave nën emrin “Qiell”, shkruan KultPlus.
Autori i kësaj vepre në ardhje është frymëzuar nga historia vendore, duke trajtuar në dramat e tij tema si: traditat, themelet familjare, lufta e fundit, të zhdukurit, Kosova përballë Lindjes e Perëndimit, heroizmi, profiterët.
Në një intervistë për KultPlus, Shatrolli ka treguar që libri është brenda natyrës ballkanike në kontekstin ideo-tematik, ndërsa si format, qëndron brenda frymës psikologjike, natyrë e teatrit të absurdit që luhen në domino interaktive.
Dramat janë puna shumë vjeçare e Naserit, i cili në njërën anë mbante lapsin duke i shkruar dhe në tjetrën anë i shfaqte në skenë përgjatë karrierës së tij si regjisor dhe organizator në teatër.
“I kam inskenuar më tepër tekstet e mia. Pra, dramat janë të inskenuara dhe të adaptuara enkas për teatrin modern. Fundja, nuk e kisha nevojën që t’i botoja pa i testuar në teatër”, thekson Naseri.
Gjashtë dramat të cilat ka vendosur t’i sjell në një përmbledhje, i ka emëruar simbolikisht “Qiell”.
“Është emër i bukur para së gjithash, kudo që ndodhemi, qiellin e mbajmë mbi kokë. Nuk ka të bëjë me mua personalisht, ka të bëjë me nevojën që personazhet e mia kanë për qiellin, për universin qiellor, është dëshirë e tyre”, shprehet autori.
Tutje, ai tregon se çfarë kuptimi mban ky titull për personazhet e tij.
“Titulli ndërthuret me fatin e individit, me tranzicionin e tij dhe të shoqërisë ku ai manovron. Në situata të vështira personazhet e librit i drejtohen qiellit, sikur atje gjejnë xixa shprese, por jo vetëm, e kaltra e mban pezull njerëzimin. Sikundër që Teatri e ka thellësinë e vet, dramaturgjia thellësinë e saj, janë të ndërlidhura këto njëra për tjetrën”, thotë krijuesi i këtyre personazheve.
I profilizuar në fushën e dramaturgjisë dhe regjisurës teatrore, Shatrolli njëherësh ka eksperimentuar ndër vite me dramën dhe sipas autorit kjo vepër assesi nuk është shkruar sa për të mbushur fletët e bardha me dialogje. Dramat në thelbin e tyre dramaturgjik tentojnë që të futen në kutinë e dramës origjinale, po Shatrolli ka edhe synime të tjera.
“Teatri ka nevojë për dramaturgji të re, ky është njëri nga qëllimet e këtij libri”.
Përkrahja nga publiku në shfaqjet e dramave e kanë bërë Shatrollin të ndjehet mirë që i ka inskenuar.
“Në shfaqje janë duartrokitur sikundër që është shkruar e folur goxha shumë për to. Mendoj se kam bërë mirë që i kam inskenuar së pari. E kam këtë bindje që nuk e ndërroj edhe në botime tjera”, shprehet Naseri.
Ndërkaq për lexuesit, të cilët shumë shpejt do të mund ta kenë në duar përmbledhjen, ai thotë se e ka një dëshirë: “E kam një merak të vogël – do të dëshiroja që të ‘mashtroheshin’ lexuesit me këtë Qiell në Trenin e destinacionit të tyre. Ky është mision i secilit dramaturg”.
Tutje Shatrolli tregon pikëpamjet e tij për ndarjet e dramaturgëve, sipas manovrimit me audiencën.
“Pra, ka dramaturg që janë mashtrues të përhershëm – metaforikisht, të dëshiruar dhe të lexueshëm kurdoherë, ka mashtrues sezonal, dikush ngelet ikonik, ka të tjerë mesatar”.
Botimi i veprës i është besuar shtëpisë botuese “Artini”, ndërkaq promovimi i veprës pritet të ndodh shumë shpejt.
Kujtojmë që dramat e Shatrollit janë kurorëzuar me çmime nga më të ndryshmet, ndër to, “Karamel” – ka fituar çmime vendore dhe ndërkombëtare dhe është shfaqur në vitin 2018 për tre netë në Manhatan, Nju Jork. “Kosovatrans” poashtu është vlerësuar me çmimin e parë në festivalin e Gjilanit “Talia e Flakës” dhe njëherësh ka qenë në festivalin Internacional në Bursa të Turqisë. /Medina Pasoma / KultPlus.com