2 Prill, 2020 - 8:00 pm
Përrallë nga Hans Andersen
Një qiri u shkëput një ditë nga shandani ku ishte ngjitur dhe u përplas përmbi një tullë. Atje kuptoi se tulla ishte më e fortë se ai.
— O mike — i tha — jam shumë i gëzuar që rashë përdhe dhe të njoha ty! Dua të të pyes si bën që je aq e fortë: dëshiroj dhe unë të bëhem i fortë si ti dhe të mos thyhem të mos shtrembërohem as të
mos shkrihem.
Dhe tulla iu përgjigj:
— Të të them troç të vërtetën: njeriu që me bëri prej balte argjili më futi në një furrë ku flakëronte një goxha zjarr. Dhe, ashtu e rrahur dhe e pjekur në zjarr, u bëra e fortë si guri.
— Vërtet flet apo tallesh? — ia preu qiriu, i cili në fillim nuk i besoi.
— Po, po, të betohem se kështu është; këtë e dinë të gjithë, të mëdhenj e të vegjël.
Qiriu, gjithë gëzim, duke mos ditur ndryshimin që ka dylli nga tulla, mendoi të përfitonte nga këto fjalë të tullës dhe tha me vete: “Do të hyj dhe unë në furrë. Sa do të habitet zonja e shtëpisë kur të më
ndezë dhe të verë re se nuk do të shkrihem. Pastaj do të inatoset, do të më përplasë për tokë dhe do të habitet akoma më shumë kur të shikojë se nuk do të thyhem as do të shtrembërohem si më parë”.
Kështu qiriu i papjekur nga mendja ruajti çastin kur ishte ndezur furra e kuzhinës dhe kur e zonja nuk ndodhej aty. Me një të hedhur hyri brenda në furrë që të forcohej si tulla. Pas pak minutash, në vend që të bëhej më i fortë, u shkri i tëri, ndërsa tulla që e vuri re kur po mbaronte fare, e ngushëlloi me këto fjalë:
— Ti s’e paske ditur se natyra na ka bërë të ndryshme. Ti ndriçon shtëpinë me dritën tënde, unë ngre mure; po ti s’ngre dot mure, as unë s’ndriçoj dot shtëpinë. Çdo send ka cilësinë dhe natyrën e vet. /KultPlus.com