QKLL ndan çmimet kombëtare të letërsisë, romani më i miri i vitit shpallet “Fati i marrë” i Besnik Mustafaj

10 Janar, 2025 - 2:29 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë çmimet kombëtare të letërsisë.

“ROMANI MË I MIRË I VITIT” i është dhënë autorit Besnik Mustafaj për romanin “Fati i marrë” për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave.

“VEPRA MË E MIRË STUDIMORE E VITIT” i është dhënë autorit Pëllumb Xhufi për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” për hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare.

“PËRKTHIMI MË I MIRË I VITIT” i është dhënë përkthyeses Ana Kove për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass, për punën mjeshtërore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit.

“VËLLIMI MË I MIRË ME TREGIME I VITIT” i është dhënë autorit Shpëtim Kelmendi për librin “Dashnia asht”, për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë…”

“VËLLIMI MË I MIRË POETIK I VITIT” i është dhënë autores Entela Tabaku për librin me poezi “Qeramikiana”, për eksplorimin mjeshtëror në poezinë e saj të brishtësisë dhe reziliencës; për mënyrën se si përvojat e saj personale filtrohen në një gjuhë poetike më të madhe se jeta, duke kapur thelbin e emocioneve njerëzore me imagjinatë të gjallë dhe thellësi të jashtëzakonshme; si dhe për pasurimin e poezisë shqipe me zërin e saj lirik unik.

“LIBRI PËR FËMIJË MË I MIRË I VITIT” i është dhënë autores Ledjona Braho për librin “Kroni dhe Pulëbardhat”, për kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore”./ KultPlus.com

Të ngjajshme