19 Mars, 2019 - 2:00 pm
Ditari për Kosovën…
Pritje në ambasadën shqiptare pas nënshkrimit të
marrëveshjes. Është ora tetë e mbrëmjes. Sallonet e ambasadës janë plot. Të
gjithë presin me padurim personazhët e ditës: delegatët e Kosovës.
Ata mbërrijnë grupe-grupe. Janë të lodhur, të çlodhur, të kënaqur, gjysmë të
kënaqur, me besim se kanë bërë atë që duhej, me mëdyshje se mund të bënin më
shumë. Të gjitha këto ndjesi janë të shpjegueshme. Askush s’mund të jetë profet
e të parashikoje gjer në fund atë që mund të ndodhë.
Urimet e njerëzve iu japin zemër. Shumica e të pranishmëve, francezë e
shqiptarë, janë plot ngazëllim. Është bërë ajo që duhej bërë. Serbia do të
ndëshkohet!
Ka edhe zëra të kundërt. (A mund të përfytyrohet që midis shqiptarëve të mos
ketë të tillë?)
“Urime për tradhtinë!”, thotë dikush, duke i zgjatur dorën një delegati.
Është e habitshme xanxa e shqiptareve për të futur hundët në çdo gjë, për të
ngatërruar, për të kundërshtuar, për të shitur mend, për të qenë në qendër të
vëmendjes. I shikoj se si hyjnë në polemikë me delegatët, me ambasadorin
shqiptar, me ministrin e Jashtëm, me këdo që iu del përpara. Japin mendime për
atë që ka ndodhur, për atë që do të ndodhë, për atë që s’duhet të ndodhë, e
kështu me radhë. Japin gjykime për platformën shqiptare, për zgjidhjen
rajonale, për strategjinë globale. Kërkoj të marr vesh se ç’punë bëjnë ata më
të zellshmit: një pjesë janë pa punë, disa janë shoferë djathi, të tjerë lyerës
apartamentesh, pastrues në metro, përgjues hajdutësh në shitoret e mëdha.
Natyrisht që s’kanë asnjë faj që janë të tillë, përkundrazi, kjo bën pjesë në
fatin e të shkulurve nga toka e vet dhe, si e tillë, meriton ndjeshmërinë më të
madhe ndaj tyre. Natyrisht që s’kanë faj që nuk dinë të flasin asnjë gjuhë,
madje edhe shqipen e flasin gjysma-gjysma, por kur i dëgjon si përzihen me duf
në bisedë, si kundërshtojnë për çdo gjë e japin mendime për gjithçka, ata që
nuk dinë asgjé, s’ka se si te mos nervozohesh e t’u thuash: llafazanë të
pandreqshëm, mbylleni atë gojë të prapë!
Pritja mbaron vonë. I vetmi që nuk ka ardhur është Rugova. Vazhdon armiqësinë
me shtetin shqiptar.
Pas pritjes, shkojmë me disa miq për të ngrënë darkë në “Fouquet’s”. Nga një
tryezë më përshëndet, Wolfgang Petrisch, që e kam njohur pak më parë në
ambasadë. Edhe ai po ha darkë me gruan.
*Pjesë nga ditari për Kosovën nën titullin ”Ra ky mort e u pamë” nga Ismail Kadare.