16 Nëntor, 2023 - 4:08 pm
Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve” është çelur në kryeqytet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Tirana 2023”, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale atmosferë e bukur në hyrje të Panairit të Librit, i cili çdo vit tërheq gjithmonë e më shumë lexues.
Rama u shpreh se është kënaqësi të shohësh kaq shumë interes në këtë organizim vlerash dhe promovimi të leximit.
Panairi i librit përgjatë 5 ditëve do të mbledhë bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, të cilët njihen me botimet e reja, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë aktivitete të tjera me autorë dhe studiues.
Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 18 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku.
Festa e librit tashmë është kthyer në traditë, ku dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishme dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve.
Panairi i Librit “Tirana 2023” do të qëndrojë i hapur deri më 19 nëntor për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh / KultPlus.com