8 Prill, 2020 - 1:00 pm
Recension nga Fjoralba Gojani
Vepra “Kthimi i profetit” ka në total tetëmbëdhjetë tregime. Në vepër ka tregime që për bazë kanë fenë isalme, tregime që demaskojnë brendësinë e njeriut, tregime për lirinë e vdekjen, të cilat sa herë të lexohen zbulojnë diçka të re.
Përmes tetëmbëdhjetë tregimeve autori nxjerr sheshit realitetin e sotëm, keqinterpretimet, gënjeshtrat, arrogancën e krenarinë e qenies njerëzore, përmes ironisë dhe metaforës mundohet ta luftojë unin e brendshëm të njeriut, t’i nxjerr në pah ato vese që tashmë janë bërë përditshmëri dhe madje quhen edhe sjellje normale. Ollurin këto “sjellje normale” e revoltojnë dhe zgjedh që përmes tregimeve të kundërshtojë jo njerëzoren, të zbulojë atë që sot ka kapluar mbarë botën: egoizmin. Egoja është ajo që mbizotëron në qenien njerëzore, do të thotë ta shkelësh atë që është poshtë teje dhe kështu të ndihesh fitimtar. Humbësit gjithmonë janë më të gatshëm për t’u bashkuar thotë Olluri sepse egoja e atij që fiton është në nivelin më të lartë të vetëkënaqësisë dhe humbësi nuk zgjon interes për të.
Përveç që revoltohet ndaj politikës shkelëse, Olluri tregon se asaj i vjen fundi kur populli lodhet dhe bashkohet për të luftuar të keqen. Egoizmi dërgon në shkatërrim, e madje madje edhe në vdekje. Kështu edhe shkrimtari R.R i tregimit “Vdekja e autorit” vdes nga egoizmi, nga krenaria që ndien për veten dhe shkrimet e tij, ndonëse për të është folur shumë pak. Ai këtë e di dhe nga përpjekja për t’u bërë më i miri, ai edhe ngulfatet e humbet në krahët e vdekjes.
Realja bashkëvepron me irealen, me imagjinatën e autorit për të dalë jashtë të zakonshmes dhe nëpërmjet dukurive fiktive ndërton skena që tregojnë se bota po merr kahje tjetër. Në një botë “të marrësh” po të jesh i ndryshëm të dënojnë. Sot ai që ka pushtetin, të shkel në atë moment që veprimet e tua nuk i shkojnë për shtat atij. Olluri na lë të kuptojmë se për t’u përshtatur në shoqëri duhet të jesh shurdhë e memec e të veprosh si të gjithë “të marrët” sepse ndryshimi nuk iu konvenon “të fortëve”.
Vepra lufton me pushtetin, me matrapazllëqet e tyre, me shantazhet, me ligësinë e dukuri të tjera të ulta që ata përdorin për t’iu shkuar punët si duan vetë, e po hasën në rezistencë jeta e rezistuesit do të bëhet pothuajse e pamundur, sepse ata ta ndalojnë edhe bukën e gojës, edhe vetë jetën për të qëndruar në pushtet. Po deshe të jetosh duhet të bindesh, e thotë tërthorazi Olluri në tregimin “Kozmosi i një të ndryshmi”. Në vepër shtjellohet edhe ana e brendshme edhe ajo e jashtme e njeriut. Subjektivja me objektiven gërshetohen dhe na japin një finale që nuk e mbron të padrejtin por as nuk i jep një zgjidhje përfundimtare të drejtit, sepse enigma e jetës nuk është zgjidhur deri më sot, dhe pikërisht atëherë kur mendon se ke fituar lirinë, të përzënë nga tufa e kjo të lëndon më shumë se secili dhëmb ujku, secili plumb gjahtari e secila thikë kasapi.
“Revolta e minjëve” në të vërtetë është revolta e popullit kundër atyre që po ia zënë frymën, me ndryshimin e vetëm se minjtë e autorit e shijojnë fitoren edhe pse jetë shkurtër, kurse populli i Kosovës ende nuk e ka gëzuar triumfin, ende mbetet nën thembrat e atyre që vrasin secilen qenie që është më e dobët se ata. Përmes personazhit të Feratit në tregimin “Vrasësi i Titos” nxirren në shesh ujditë e paskrupullta që bëjnë pushtetarët për të pastruar terenin e tyre nga kundërshtarët, e Ferati për të mbetur gjallë luan rolin e “të marrit” dhe shan e akuzon shtetin për të zbuluar kush përbën rrezik për këta të fundit: Ferati kishte liri të plotë të tallej dhe t’i shante pushtetarët e kuq. Udhëheqësit e qytetit e mbanin në burg kohë pas kohe, që të mos vërehej ujdia dhe që loja të dukej më bindëse. U duhej edhe pranë të burgosurve.
Dëshira për liri, për jetë, për dashuri, për pushtet, për një arritje sa më të lartë, për barazi, këto e shumë fenomene të tjera shtjellohen nga autori në vepër. Ai analizon jetën e njerëzve të thjeshtë duke i futur shpesh nën kthetrat e “forcave të larta”. Personazhet e Ollurit nuk i përkasin vetëm një shtrese, aty përfshihen: fshatarë, pushtetarë, të ditur e të paditur, personazhe kafshë të cilat personifikojnë qenien njerëzore dhe përmes robërisë së tyre shpalosin robërinë që ka kapluar frymorin njeri. Pjesë nga jeta e personazheve na jepen përmes tregimtarit, që tregon realitetin i cili jetohet çdo ditë. Tregimtari bëhet një, me ngjarjen që e rrëfen herë në vetën e parë e herë në të tretën, duke na nxitur të kërkojmë më në thellësi të tregimeve dhe secili që merr mundimin të lexojë veprën do të gjejë në të pjesë nga jeta e vet. Personazhet e Ollurit shpeshherë na jepen pa emra duke krijuar kështu hapësirë për zëvendësimin e tyre me personalitete që lexuesi ndesh gjatë jetës së përditshme.
Përveç egoizmit, gënjeshtrave, lakmisë e marrëzive të “ të marrëve” autori na përcjell me tregimet e tij edhe mallin për ata që s’i kemi më: Sytë ia shihnin më së shpeshti. Po, po sytë ia shihnin më së shpeshti. Ata sy që ktheheshin orë e çast kah fotografitë e që gjallonin vetëm falë tyre. Njëkohësisht trajton edhe luftën dhe lirinë. Me figurën e babait , eshtrat e të cilit po i kthen në shtëpi protagonisti i tregimit “Kthimi i Babait” simbolizon edhe mijëra të rënë të tjerë që vdiqën në luftë, e që trupat e shumë prej tyre edhe sot vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Veprën e përfundon me tregimin “Transistori” i cili lajmëron përfundimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës, e cila edhe sot pas kaq vitesh lirie gjendet në një luftë edhe më të madhe e të pafund me vetvetën. Përveç luftës, në këtë tregim e shohim edhe dukurinë të cilën Olluri e nxjerr në sipërfaqe gjatë tërë veprës, egon e njeriut i cili në momentin që i bie rëndësia, parapëlqen edhe vazhdimin e luftës vetëm që të mund ta mbajë fronin.
“Kthimi i Profetit” na jep një pasqyrë të qartë për shtresat e ndryshme të shoqërisë, për jetën dhe dukuritë me të cilat po jeton njeriu. Olluri vendos përballë njëra-tjetrës dijen dhe injorancën, frikën dhe ndërgjegjen, jetën dhe vdekjen, lirinë dhe robërinë, dashurinë dhe urrejtjen, marrëzinë dhe bindjen, për të na dhënë përfundimin se të gjitha këto bashkëveprojnë në mënyrë reciproke mes vete, na kthejnë në kohë, na ndihmojnë të jetojmë të tashmen por edhe të shpresojmë në të ardhmen.
(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në nivelin e studimeve master në Degën e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë) /KultPlus.com