Reflektim mbi të kaluarën dhe të tashmen

29 Nëntor, 2024 - 5:26 pm

(Rreth librit poetik “Përvojë dhe thagmë”, të Arben Idrizit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2024)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Arben Idrizi njihet për konributin e tij në letërsinë shqipe si prozator dhe poet. Ai ka krijuar disa përmbledhje poetike: Heqakeq, Libri i të qenit, Zveri vole utadžbinu, Fletore poezish ‘10-’15, Poezi, 2016, Poezi, ’17-’18, Libri i dhunës, Poezi, ‘19-’20. Ndërsa së fundmi ka botuar një përmbledhje me forma të ndryshme poetike, të titulluar “Përvojë e thagmë”. Përveç krijimtarisë së tij origjinale ky autor ka pasuruar kulturën letrare shqipe edhe me përkthimin e disa veprave të letërsisë botërore si “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.

“Përvojë dhe thagmë” është libër poetik i strukturuar në tre pjesë dhe i përbërë nga forma të ndryshme poetike të krijuara përgjatë viteve ’21-’23. Në këto tre pjesë pasqyrohen përjetimet emocionale të poetit, të cilat e kanë shoqëruar atë gjatë gjithë jetës. Ai eksploron nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë që i shfaqen si imazhe onirike e sekuenca shkrepjesh të kulluara, për të arritur deri te paraqitja e rëndësisë së përjetimeve të tanishme. E këto përjetime, sipas përceptimit tonë, mund të shihen edhe si një pasqyrim i të zakonshmes dhe rëndomësisë.

Përditshmëria është në qendër të krijimtarisë së Idrizit, ku çdo moment i zakonshëm merr një rëndësi të veçantë. Kjo poezi vendoset në kontekstin e jetës së zakonshme në mënyrë që të shpërfaqen mendimet dhe ndjenjat që vijnë si rezultat i situatave të thjeshta. Duke theksuar thjeshtësinë e jetës, poeti e bën të prekshëm përjetimin e tij. Ndërsa lexuesi që identifikohet me këto situata të zakonshme, më nuk vëzhgon por bashkëndjen me autorin.

“Përvojë dhe thagmë” ofron një reflektim të thellë mbi përvojat e të kaluarës dhe ndikimin e tyre në të tashmen. Kjo lidhje midis të kaluarës dhe të tashmes përkufizon eksperiencën dhe udhëtimin e brendshëm të poetit. Ky udhëtim merr trajtë filozofike përmes dy figurave mitologjike, Abeonës që simbolizon lirinë dhe mundësinë dhe Adeonës që simbolizon pjekurinë dhe rikthimin. Me vendosjen e figurave të tilla përballë njëra-tjetrës, poeti reflekton mbi përvojat e kaluara, që janë të njohura dhe të përjetuara, dhe përvojave të mundshme, që mbeten mistere të errëta. Ndërsa e tashmja përfaqëson dilemat ekzistenciale të njeriut, i cili për të kuptuar rolin e tij në botë, orvatet të zbërthejë qëllimet e jetës në përgjithësi, dhe të përvojës së tij në veçanti. E përmes kësaj përvoje, ku me thagmë trajtohen çastet e vogla e të rëndomta, poeti na fton të reflektojmë mbi vlerën e jetës së zakonshme./KultPlus.com

Të ngjajshme