Rexhep Qosja promovon vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”

6 Qershor, 2019 - 3:05 pm

Në ambientet e Institutit Albanologjik, akademik Rexhep Qosja promovoi vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” me të cilën ka bashkëpunim të gjatë, shkruan KultPlus.

Irena Toçi nga botimet “Toena”, hapi ngjarjen duke treguar për bashkëpunimin më se 20-vjeçar me Qosjen.

“Jemi krenar që ai është pjesë e kolanës së botimeve të Shtëpisë sonë botuese. Është një nga emrat më përfaqësues të historiografisë e letërsisë, shkrimtar mjaft i njohur, politikan, eseist, publicist, politikan e mbi të gjitha studiues i letërsisë. Ky ditar që sot prezantojmë është projekt shumë i madh. Deri më tani janë botuar tetë vëllime të këtij ditari, që është dëshmi historike”, tha ajo në fjalën hyrëse.

Vëllimi i tetë i “Dëshmitar në kohë historike” përfshinë vitet 1999-2001, që janë vitet e protektoratit dhe dalja e Kosovës nga lufta. Shtëpia Botuese “Toena”, ditarët e Qosjes që ai i mban që nga viti i largët 1966, i konsideron si projekte shumë të rëndësishme të veprimtarisë botuese.

Gjatë promovimit të këtij libri, ishin pjesëmarrës figura të rëndësishme të jetës kulturoro-politike shqiptare si Ambasadori i Shqipërisë për Kosovën Qemal Minxhozi, politikania shqiptare Valentina Leskaj e shkrimtari Fatos Kongoli.

Historiani dhe politikani shqiptar Paskal Milo, që ishte pjesëmarrës në panel, tha se ndihet i nderuar për mundësinë që të flas për profesor Qosjen.

“Nuk flas me imponim. As që të kryej ndonjë detyrë, por e ndjej atë që kam thënë dhe që e them sot. Kam emocione sepse kam qenë dëshmitar i atyre ngjarjeve që profesori përshkruan në këtë vëllim. Kam qenë dëshmitar aktiv kur fatet tona u kryqëzuan, në mënyrë të pazgjidhshme dhe ku kontributet tona të përbashkëta sollën veprën historike të papërsëritshme, lirinë e Kosovës dhe Pavarësinë e saj”, tha ai mes tjerash, derisa potencoi se shqiptarët kanë me se të krenohen. Për librin e ri të Qosjes, Milo u shpreh: “Padyshim që libri është dëshmi e pashlyeshme e historisë jo vetëm të Kosovës, por fare mirë mund ta quajmë dëshmi edhe për Shqipërinë”.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës Hysen Matoshi, bëri një rezyme për ditarët, ku përmendi ditarin e famshëm të Ana Frangut, derisa për vëllimin e tetë të profesor Qosjes pati fjalë të mira.

“Vëllimi i tetë i kësaj kolane kronologjike e ofron këtë qasje, kalimin e Kosovës nga një vend i robëruar, në një shtet. Vëllimi i ngjan një jetëshkrimi, ku bëhet dallimi i Qosjes si mendimtar dhe Qosjes si besimtar në institucione. Përsiatja racionale akademike, pragmatizmi politik funksionalizohet me një kontekst të vështirë qeverisjeje në të cilin shfaqen dilemat e tij të mëdha”, potencoi Matoshi, kurse shkrimtari dhe profesori i njohur Agim Vinca po ashtu pati fjalë të mira për Qosjen, të cilin e konsideroi figurë të rëndësishme për kulturën shqipe.

“Në letërsinë dhe kulturën shqiptare, për herë të parë në mos edhe të fundit lexuesi shqiptar ka një vepër në formë ditari me tetë vëllime, me mijëra faqe tekst. Po që se i marrim parasysh edhe veprat “Paqja e përgjakshme” kushtuar Konferencës së Rambujesë dhe “Tronditja e shekullit” për 78 ditët e bombardimeve, të shkruara në formë ditari, atëherë janë gjithsej 12 vëllime të veprës së gjerë të Akademik Rexhep Qosjes në formë ditari”, u shpreh Vinca.

Akademik Qosja, pranoi edhe dhurata. Shkrimtari Mexhid Mehmeti, i cili tha se e ka adhuruar Qosjen qysh prej viteve 60, gjatë këtij promovimi shfrytëzoi rastin t’ia dhurojë disa libra të tij dhe një portret të Qosjes, i cili në fund i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.

“Dua t’ju falënderoi të gjithëve sepse më keni nderuar me ardhjen e juaj në këtë promovim. Edhe unë ju kam nderuar e ju nderoj, kur them ju i drejtohem atij të cilit i takoj unë dhe ju bashkërisht, popullit”, përfundoi Qosja.

Pas përurimit, të pranishmit patën mundësinë ta takojnë autorin, të diskutojnë me të dhe të marrin nënshkrime nga ai. / B. Meholli / KultPlus.com

Të ngjajshme