Rexhep Qosja shpallet fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”

10 Prill, 2025 - 1:55 pm

Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Belina Budini, me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga dhe Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Nëpërmjet një videomesazhi, Rexhep Qosja falënderoi përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si edhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për çmimin “Lumo Skëndo”.

“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, u shpreh akademik Qosja, i cili më pas ngriti lart figurën e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme