14 Janar, 2024 - 7:00 pm
Shqipëria ka kaluar disa periudha trazirash të cilat për fat të keq kanë prekur dhe shkatërruar institucionet shumë të rëndësishme për kulturën e një populli siç janë bibliotekat.
Biblioteka e qytetit të Prrenjasit u shkatërrua në vitet 90 ndërsa një pjesë e mirë e fondit të librave u zhduk. Tashmë pas shumë vitesh, Prrenjasit i është kthyer biblioteka e cila po pasurohet dita ditës falë nismave “Dhuro një libër”.
“Biblioteka e qytetit të Prrenjasit u shkatërrua gjatë trazirave në vitet ’90, shumë libra u shkatërruar, por arritëm të shpëtojmë disa prej tyre. Tashmë ne herë pas herë organizojmë nisma “Dhuro një libër” dhe të shumtë kanë qenë ata që na janë përgjigjur dhe kanë dhuruar libra për të pasuruar këtë bibliotekë. Bashkëpunimet tona janë sidomos me nxënësit e shkollave të cilët e frekuentojnë bibliotekën dhe më vjen mirë të them që pavarësisht tundimit të madh teknologjik, fëmijët ende lexojnë.””- tha Ida Nofulla, Specialiste biblioteka Prrenjas.
Bashkia e Prrenjasit gjithashtu çdo vit parashikon një fond të posaçëm për pasurimin e bibliotekës dhe kthimin e saj në rëndësinë që i takon. Institucioni i librit duket se ka vëmendjen e nxënësve të shkollave të cilët janë kthyer në frekuentuesit e rregullt të saj./ Top Channel/ KultPlus.com