21 Prill, 2020 - 11:30 am
Nga Beti Njuma
Na ishte njëherë… na ishte njëherë e në një kohë të lashtë, një katund, në një cep të humbur të Ballkanit.
Ndoshta, diku aty ku sot takohen e ngatërro- hen disa kufij.
Diku aty buzë një liqeni.
Ngjarja ndodh në këtë humbëtirë, atëherë kur nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm. Ndoshta në atë kohë kur Ballkani, apo më mirë Europa Juglindore ishte e ndarë në vilajete, apo ndoshta edhe më herët…
Dikur… dikur…
… Në një kohë të largët, që ne e shohim pak si turbullt, pak si në mjergull atë kohë, kur në këto vise popullsitë merrnin e jepnin gjithçka me njeri tjetrin.
Merrnin e jepnin zakone, kostume, kafshë shtëpiake, gjellë, muzikë (këngë, valle, vaje), përralla, fjalë…
Edhe fjalët hynin e delnin nga njëra gjuhë te tjetra dhe shpesh e ndjenin veten mirë aty ku shkonin, shtonin a hiqnin ndonjë mbrapashtesë, ndërronin ndonjë theks, dhe rrinin rehat e bëheshin një trup.
Ndonjëherë, rrallë, edhe krushqi bënin.
Miqësitë ruheshin por gjithësejcili në punë të tij. Kjo kishte shumë rëndësi.
Pra, në këtë cep të Ballkanit, na ishte njëherë e në një kohë, një katund me pak shtëpi.
Gjithsejcili kishte varkën e tij me të cilën peshkonte në liqen. Gjithsejcili kishte shtëpinë e tij. Gjithsejcili kishte një copë pyll, një cop arë, kaun, delet, dhitë, lopën, pulën dhe gjelin e tij. Kishte gruan e fëmijët e tij.
Katundi kishte edhe një prift që ishte për të gjithë. E donin, e respektonin, i jepnin edhe hakun. Tek roba dhe mjekra e tij shihnin perë- ndinë, apo diçka që nuk e përcaktonin dot. Nuk hynin të gjykonin thellë. Respekti për priftin ishte një traditë, siç ishte traditë që një ditë në fund të vjeshtë së tretë, mbasi ishin mbaruar të gjitha punët dhe prisnin dimrin, të mblidheshin fshatçe e të pinin, të pinin, të pinin e të këndo- nin, sa tu dilnin tëmthat e të pëlcisnin. Kështu ka mbetur zakon, thonin.
Me këtë rutinë, respektonin edhe priftin, festat fetare, Kishën, ardhjen e pranveres, pjelljen e dhenëve… Dhe i respektonin ama.
Koha kishte vënë në vend gjithshka.
E keqja, nëqoftëse kishte qenë ndonjëherë në këto anë, ishte mënjanuar e harruar.
E mira kishte zënë vend kudo.
Katundarët ndihmonin njeri tjetrin pa hile e interesë kur ishte nevoja. Festat i bënin bashkë, për gëzimet e njeri tjetrit gëzoheshin të gjithë bashkë, për hallet e njeri tjetrit hidhëroheshin të gjithë bashkë. / KultPlus.com