Rileximi i letrës për “kritikuesit”

28 Maj, 2021 - 1:30 pm

Nga Ibrahim Berisha

Ishte një letër dërguar ka vite që kish zënë vend në arkivin elektronik. E rilexova për të pasur arsye të mendoj sërish për të gjithë ne që shkruajmë…

Kjo ka të bëjë me të grushtuarit me përkëdhelje.

Ju që rrini nën hije dhe vështroni rrjedhën e ngjarjeve, ju që gjuani analiza kritike nga afërsia e oxhakut pa mos e sfiduar të ftohtit e akullt: qetësohuni.

Ne nuk kemi nevojë të na tregoni se në ç’pikë mjerimi kemi arritur, sepse këtë nuk e kuptojmë vetëm tash, e kemi kuptuar kaherë, kemi mbërri deri në këtë stad, sa nuk na duhen analiza.

Nuk na duhen analizat tuaja për ta kuptuar kur gjithçka është më shumë se e dukshme.

Mund ta ruani akoma më shumë dijen dhe energjinë tuaj pozitive, “për ditë të vështira” kur vendi të ketë vërtetë nevojë për ju që të hidhni mendime kritike.

Secila koha ka nevojë për mendime të veçanta dhe kjo më kujton diçka. Më kujton thënien e Max Weberit “nëse në dashuri thuhet mos i rezisto me dhunë të keqës, në politikë thuhet, rezistoji të keqes me dhunë”!

Mund të liroheni pra nga prangat e “ndershmerisë” për të ndershmit, sepse të qëndrosh larg mishërimit me politikën, për t’ mos i vënë vetes emrin politikan, epitet që është bërë sot sinonim i së keqes së pa kompromis, vërtetë është ruajtje e privilegjit,

Por ama, privilegji humbet atëherë kur të skenjohesh në qoshe dhe në emër të dëlirësisë intelektuale fokuson kontributin tëndë vetëm në një sferë që të krijon komoditet dhe emër, ndërkohë që energjia jote duhet të zhvendosë efektin e saj pozitiv atje ku çdo gjë përmbyset.

Neve po heshtim, sepse nuk na ka ngelur armë më e fuqishme se heshtja.

Aty po gjejmë ngushllim duke u strehuar mbrapa buzëqeshjeve të rreme që herë-herë i postojmë në rrjetet sociale, ama juve zoterinjë të nderuar, mos na e rikujtoni se në ç’vurbull të vluar trishtimi po jetojmë, sepse dhimbjes dhe ankthit tonë po i shtoni akoma më shumë aciditet.

“Vendet më përcëlluese në Ferr, u janë rezervuar atyre që në periudhat e krizës morale kanë ruajtur neutralitetin e tyre”, më jipet e drejta ta citoj Dante Aligerin

Mos na gjykoni ju lutem! Jemi njerëz edhe mund të gabojmë, por ama na lejoni të paktën të jetojmë me shpresën e rreme brenda vetës se dita tjetër do të zbardhë me plotë rreze dielli që ngrohin njësoj të gjithë banorët e pallatit, në gjithë botën, sepse mrekullitë ndodhin.

Kjo pra është lutja, mos na “bombardoni” ende më shumë me analiza, sepse ne i besojmë fjalës suaj dhe, kur brenda tyre shihet trishtimi, na shtohet edhe më shumë frika dhe nuk dimë si ta mendojmë të ardhmen tonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme