26 Tetor, 2020 - 10:10 am
Janë tri sheshe kryesore në Prishtinë, minibiblitekat e të cilave po rivitalizohen dhe tani do të quhen minibiblioteka “Musine Kokalari”, minibiblioteka “Ali Podrimja” dhe minibiblioteka “Sartri & Simone”.
Gjithçka filloi në fundvitin 2019. Kryeqyteti i Kosovës brenda 3 muajve u bë me 12 lokacione të reja të librit. Në sheshet, parqet dhe lagjet kryesore u hapën minibibliotekat përmes së cilave u mundësohej qytetarëve leximi i librave përgjatë qëndrimit në hapësira publike dhe shkëmbimi i librave nën moton “sill një libër – merr një tjetër”.
Ndonëse në fillim, hapja e minibibliotekave u vlerësua nga qytetarët, megjithatë bibliotekat e vogla konstant u vandalizuan, u vodhën dhe u shkatërruan duke u nxjerrë kështu pothuajse të gjitha jashtë funksionit të tyre.
Kështu, shkatërrimi i tyre nxiti organizatat dhe institucionet partnere që, përveç rifunksionalizimit të organizoheshin edhe për prurje të reja në minibiblitoeka, duke i bërë këto të fundit edhe më domethënëse.
Së fundmi, organizata ETEA ka njoftuar se partneritetit të organizatave dhe institucioneve që mundësuan hapjen e 12 minibiblitoekave, i është bashkuar edhe “Mural Fest”, me ç’rast tanimë ka filluar rivitalizimi i 3 minibibliotekave të shesheve kryesore në Prishtinë.
Minibiblioteka në Sheshin “Ibrahim Rugova” tani mban portretin dhe emrin e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Portretin dhe emrin e Ali Podrimës e mban minibiblioteka në Sheshin “Adem Jashari”. Ndërsa, Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre janë portretizuar në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”.
Derisa puna po vazhdon në rivitalizimin e plotë të objekteve, organizata ETEA njofton se së shpejti do të bëhet edhe rimbushja me libra dhe kështu minibibliotekat do t’i rikthehen lexuesve, përderisa nuk përjashtojnë rrezikun se të njëjtat prap do të jenë cak i vandalëve me ç’rast bëhet thirrje ndaj organeve gjegjëse që të jenë më të kujdesshme në raport me pronën dhe të mirën e përbashkët qytetare.
Minibibliotekat janë mundësuar nga bashkëpunimi mes organizatës ETEA, Kuvendit Rinor të Prishtinës, Librarisë Dukagjini, Forumit për Iniciativa Qytetare, Komuna e Prishtinës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe së fundmi këtij partneriteti i është bashkuar edhe Mural Fest. / KultPlus.com