Roger Scruton: Përse ka rëndësi e bukura

18 Shtator, 2020 - 10:22 am

Përktheu Enkeleda Suti

Arti ka fuqinë që të gjejë të bukurën edhe te aspektet më të këqija të gjërave. Edhe në praninë e vdekjes, fytyra njerëzore mund të jetë fisnike, të tregojë mëshirë. Arti është një mënyrë për të pranuar vdekjen. Arkitektura që nuk respekton të shkuarën, nuk respekton as të tashmen sepse ajo nuk respekton nevojat parësore të njeriut nga arkitektura që ka të bëjë me ndërtimin e një shtëpie të qëndrueshme.
Mjeshtrat e së shkuarës e kanë kuptuar nevojën shpirtërore të njeriut, ashtu siç kanë kuptuar edhe orekset tona më kafshërore. Për Platonin, e bukura ishte rruga drejt Zotit. Ndërsa mendimtarët e iluminizmit, e kanë parë të bukurën dhe artin mënyrën sipas së cilave ne shpëtojmë vetveten nga rutinat e pakuptimta duke u ngritur kështu në një nivel më të lartë.
Por, arti i ka kthyer krahët së bukurës. Ai është kthyer në skllav të kulturës së konsumizmit, duke ushqyer kënaqësitë dhe veset tona dhe duke na zhytur në vetneveri. Për mua, ky është mësimi i formës më të shëmtuar të artit dhe arkitekturës moderne. Ato nuk tregojnë realitetin, por hakmerren ndaj tij, duke na lënë pa atë vend që mund të kishte qenë shtëpia jonë, të pangushëlluar dhe të asgjësuar në një shkretëtirë shpirtërore. Por, rruga nuk ka të bëjë me pranimin e këtij asgjësimi, por me kërkimin e rrugës së shpëtimit për të dalë nga kjo shkretëtirë, në një vend kur e vërteta dhe ideali të ekzistojnë ende në harmoni.
Në jetën time, unë e kam gjetur këtë rrugë më lehtësisht nëpërmjet muzikës sesa nëpërmjet çdo lloj forme tjetër arti. Në këtë do- kumentar e kam përshkruar të bukurën si një burim thelbësor. Nëpërmjet kërkimit të së bukurës, ne i japim botës formën e shtëpisë. Dhe, duke bërë këtë, ne shumëfishojmë gëzimet dhe gjejmë ngushëllim për vuajtjet tona.
Arti dhe muzika i japin kuptim jetës tonë të përditshme dhe, nëpërmjet tyre, ne jemi në gjendje të përballemi me gjërat të cilat na shqetësojnë dhe të gjejmë ngushëllim dhe paqe në praninë e tyre. Ky kapacitet i së bukurës për të zbutur vuajtjet tona është një nga arsyet përse e bukura mund të shikohet si një zëvendësuese e fesë. Përse t’i japim përparësi fesë? Përse të mos themi që feja është një zëvendësuese e së bukurës? Për të shkuar edhe më tej; përse t’i përshkruajmë të dyja si kundërshtare kur në fakt e bukura dhe e shenjta janë dy dyer drejt një hapësire të vetme dhe në atë hapësirë të vetme ne gjejmë shtëpinë tonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme