12 Janar, 2021 - 12:38 pm
Xhemile Hysenaj
Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur Blerina Rogova Gaxha, së fundi ka botuar vëllimin poetik ‘Thasë’. Rogova Gaxha, për herë të parë para lexuesit vjen me një vëllim tejet të veçantë, ku siç ka potencuar vetë autorja, në ‘Thasë’, ajo ka shpalosur zonat më të thella të vetes. Në një intervistë për KultPlus, ajo ka shpalosur më shumë detaje rreth librit të saj më të ri, raportit të saj me letërsinë në përgjithësi dhe rolin e gruas shqiptare në letërsi.
KultPlus: Ky nuk është libri juaj i parë, na tregoni dallimin mes këtij dhe të tjerëve, si dhe na flisni më shumë rreth tyre nëse veç kanë ndonjë lidhje mes vete?
Librat janë fëmijët e mi poetik. Çdonjëri është i ndryshëm, në shpirt, në trup, në fytyrë, por kanë një gjenetikë. Çdonjëri reprezenton një jetë autonome autoriale, një subjekt poetik që rron e krijon dhe vdes me mbarimin e librit. Mbase, me këtë libër kam guxuar të futem në zonat më të thella të vetes. Vizualisht ndërkaq, ky është i pari libër të cilin kam guxuar ta stolisë edhe me ilustrime.
KultPlus: Sa kohë ju ka marrur komplet realizimi i librit dhe na flisni më shumë rreth temës që trajtohet aty dhe pse pikërisht e keni zgjedhur atë temë?
“Thasë” më ka vjedhur një jetë të tanë shpirtërore, ndërsa kohë kalendarike, rreth një vit. Libri i bën jehonë kthimit të qenies te vetja, te vetja si e vetëmjaftueshme. Te gruaja si e vetëmjaftueshme. Humbjen në labirinthin e vetvetes, depërtimin thellë subkoshiencës, nga ku nuk e di se cila udhë ka me u çelë. Udhë kërkimi i rrënjës së plagëve, proces terapie që kërkon transformimin, konfesionin me veten, rilindjen, shndërrimin në flutur a kthimin në tulipan. Zbulimi i sendeve, copëzave tona, sikur i nxjerrim nga arka margaritarët e çmuar të memories sonë, dhe u japim zë, i bëjmë të flasim. Thasë është terrina e shpirit, vetmia e qenies, mitra dhe varri – krijimi dhe mbarimi i qenies.
KultPlus: Si e shihni zhvillimin e letërsisë dhe artit në përgjithësi në Kosovë, a ka shkrimtarë që premtojnë, cilët janë ata sipash jush?
Nëse i referohemi letërsisë së re shqipe, mund të themi se fillimshekulli XXI ka zbuluar zëra të veçantë të shkrimtarëve, të cilët kanë sjellë në letra një moment tjetër që bashkëjeton në misterin e letërsisë. Kjo letërsi kërkon të flasë me një gjuhë të re, të shkelë shtigje të reja, e kërkon shkrimin si vetënjohje, e kërkon poezinë që mban në gjiun e saj qetësinë meditative, por edhe poezinë e refuzimit e të revoltës. Emrat e letrave shqipe i njohim dhe ata kanë shkruar vepra të mrekullueshme, siç ka dhe emra të rinj, zëra të rinj të cilët po lënë gjurmë në letërsinë e re shqipe dhe këta emra janë të shumtë dhe të jashtëzakonshëm.
KultPlus: Na flisni për dallimin në mes grave dhe burrave që bëjne letërsi, nëse konsideroni se ekziston një dallim i tillë?
Letërsinë nuk e shoh të ndarë në sekse, nuk e lexoj nga këndvështrimi gjinor. Por më jep shumë kënaqësi kur lexoj gjëra të bukura të shkruara nga autoret gra. Shkrimi është një aventurë e shpirtit, dhe si e tillë është asnjanëse.
KultPlus: Secili shkrimtar/e ka muzën e vet, në momente bllokimi, ku e gjeni ju inspirimin, në çështje sociale, apo personale?
Në zonat më të errëta të qenies, aty ku mëson t’i japësh zë gjërave të nemitura. T’i bësh të flasin ato që s’kanë zë.
KultPlus: Cili është mesazhi që tentoni të përçoni përmes ‘Thasë’ dhe sa mendoni se do të arrini të përçoni këtë mesazh?
Do të thoja motivim për ta pranuar veten kështu siç jemi e çfarë jemi: qenie të brishta, të thyeshme, të ndarë copash, që përherë mësojmë si t’i mbledhim udhës një nga një copat e vetes dhe të vazhdojmë. A s’është mahnitëse forca me të cilën ripërtërihemi?
KultPlus: Çfarë konsideroni ju të jetë roli i letërsisë në Kosovë dhe cili mendoni se do të duhej të ishte roli i një shkrimtari/e?
Letërsia edukon shije, por edukon edhe qytetari e kulturë, e shkrimtari është me fat që ndonjëherë është i aftë të shoh dhe të shenjojë atë që të tjerët nuk e shohin. Puna e tij është kërkimi dhe zbulimi.
KultPlus: Na flisni për rolin që gruaja ka apo do të duhej të kishte në artin që zhvillohet në Kosovë?
Gruaja duhet t’i prekë ëndrrat që i fluturojnë nëpër qiell dhe t’i bëjë të lulëzojnë.
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për ata që pretendojnë të krijojnë letërsi?
Shpupurisni thellë vetes për t’i dëgjuar tingujt e harruar, udhëtoni nëpër të gjitha tokat brenda vetes, këkojini ato që mungojnë gjithnjë, sepse i madh është shpirti dhe e vogël jeta. / KultPlus.com