Romani “I dashuri unë” i Arben I. Kastratit shpalosi faqet e tij edhe për publikun prishtinas

4 Dhjetor, 2018 - 9:30 pm

Jeta Zymberi

“Ndonjëherë, besoj se ne rrojmë vetëm që të arrijmë të dëshmojmë ndodhitë”, është një prej thënieve që ju shoqëron sapo të hapni faqet e para të romanit “I dashuri unë” të autorit Arben I. Kastrati, shkruan KultPlus.

I nominuar për “Çmimin Kadare”, romani i autorit Kastrati i cili është prezantuar edhe në Panairin e Librit në Tiranë, sonte vazhdoi rrugëtimin e tij në Prishtinë para një publiku të ngrohtë në një ambient poashtu të ngrohtë siç është Galeria “Monet”.

Ky roman shtrihet në periudhën e luftës në Kosovë, ku personazhi kryesor, i cili është edhe aktor, i ndjekur nga paramilitarët serb, hyn në kinemanë e qytetit të fshihet. Në arkivin e kinemasë, që kishte vite që nuk funksiononte, ai gjen shumë filma. Mbrëmjeve, kur NATO-ja bombardonte caqet militare serbe, ai ulej dhe shikonte filma. Duke shikuar filmat e arkivit të kinemasë, ai kujton të shkuarën, dhe kthen ngjarjet në retrospektivë.

Ndërsa sonte, në këtë promovim në kryeqytet, në mesin e të pranishmëve të cilët ishin në numër, autori mori fjalën për të rrëfyer pak nga libri por duke mos zbuluar shumë, sepse atë dëshironte të ja lente lexuesit.

“Në kohën kur personazhi e kthen kohën në retrospektive, fillon e tregon se çfarë kemi kaluar ne si popull gjatë tre brezave, prej brezit të gjyshërve tanë, prindërve tanë dhe brezi i ri. Gjatë atyre përshkrimeve ka ngjarje të larmishme dhe këtu realisht pasi kryhet lufta ai vazhdon të ngelet në kinema sepse mbetet i painformuar dhe ende nuk e di që është kryer lufta, dhe fundin po e ruaj për lexuesin”, është shprehur autori i cili tutje tregon se kjo është një ngjarje e bukur në mes të autobiografisë dhe fantazisë, ku nuk dihet se ku përfundon realiteti dhe ku e merr rrugën tutje imagjinata.

Ky roman i është kushtuar një personi të veçantë dhe shumë të dashur për Arbenin. Bëhet fjalë për nënën e tij e cila sonte ishte e pranishme, e lumtur dhe krenare për të birin. Madje romani edhe fillon me këtë dedikim: “Sime më, Zonjës Alide Vinca Kastrati”.

“Romanin ja kam kushtuar nënës sime. Edhe pse nëna ime tash është e pensionuar, ajo ka qenë 46 vjet mësuese dhe unë kam qenë nxënësi i saj më i vështirë”, është shprehur autori.

Në këtë promovim libri, i pranishëm ishte edhe shkrimtari Agim Vinca, njëherit daja i Arbenit. Vinca shprehi dëshirën të marrë fjalën dhe gjithçka e nisi me pak humor, duke thënë se Arbeni talentin e ka trashëguar nga dajët.

“Arbeni ka dell, ka imagjinatë, dhe i kombinon mirë dokumentaritetin dhe fiksionin, imagjinatën dhe proza kështu shkruhet, nuk shkruhet më si dikur, rrëfim në mënyrën dëftore, në një vend që nuk është askund dhe me personazhe që nuk kanë emra”, u shpreh Vinca për nipin Arbenin.

Autori, për të pranishmit zbërtheu edhe titullin e romanit “I dashuri unë”, për të cilin tha se personazhi i shkruan letër vetës.

Romani ka gjithsej XVI kapituj dhe ka diku rreth 361 faqe.

Krejt në fund të romanit, ju mund të hasni edhe thëniet si:

“I dashuri unë, Arben I. Kastrati

Pavarësisht dhimbjeve, ishte një jetë e bukur shumë. Të tillë e kishte bërë krijimi…

“I dashuri unë: Ti je i veçantë. Ngrije kokën lart, ec me krenari dhe kalo mbi çdo vështirësi…”

Me botues “Artini”, romani është adaptuar skenar filmi dhe xhirimet e filmit fillojnë në shtator të vitit 2019./KultPlus.com

Të ngjajshme