20 Prill, 2023 - 1:54 pm
Nga Arbenitë Jakupi
Mbi romanin “Lindur së prapthi” të Rita Petros.
Romani fillon me një prolog me të cilin e njofton lexuesin me një pikë, e cila do të bëhet mandej si një “epitet” i ngjarjeve të autores në roman. Fjala është për titullin, për të cilin na njofton se jo rastësisht kishte ardhur ky titull. Si pasojë e një anomalie që kishte pasur gjatë fëmijërisë më konkretisht gjatë fillimit të ecjes ajo kishte vërejtur se ecja saj nuk ishte si e të gjithë njerëzve “Shikimi im ndaj botës ishte vertikal, nga poshtë-lart”. Personazhi kryesor, pra autorja na jep të kuptojmë që ajo kishte lindur së prapthi nga vjen edhe titulli i romanit. Por si kishte lindur së prapthi?!
– Ti ke lindur anapodha – më thoshte gjyshja nga ana e babit.
– Ti ke lindur së prapthi, – më thoshte gjyshja nga ana e mamit.
– Të gjithë njerëzit, kur lindin, nxjerrin në fillim kokën, ti ke nxjerrë këmbët. Unë e di ç’kam hequr me ty, – thoshte mami.
Po, ishte deri dikund ky “epitet” që autoren e shtyn drejt thyerjes së rregullave shoqërore në kohën e komunizmit dhe thyerjeve të tabuve në demokraci me shkrimet e saj në poezi dhe tash edhe me këtë roman. Romani është i botuar në vitin 2022, ai pra fillon me një prolog pastaj ndahet në 31 pjesë, vazhdon me një nëntitull në të cilin përfshihen edhe 12 pjesë të tjera dhe në fund mbyllet me një epilog. Uni poetik i autores vjen si një çlirim i brendshëm i saj që prek skutat më të thella të jetës në fëmijërinë e hershme dhe në adoleshencë.
Seksualiteti në kohën e errët të diktaturës
Personazhi kryesor në këtë roman na njeh me përjetimet, rregullat, mënyrën e jetesës, rrethanat politike dhe sociale dhe thyerjen e tyre në fshehtësi nga personazhi kryesor dhe brezi i saj.
Autorja zgjedh që përmes rrëfimit që prek kufijtë autobiografikë të na njoftojë që asnjë fuqi diktatoriale nuk mund ta ndal intimitetin, përjetimin dhe emocionalitetin që për shumë njerëz fshihet në mbrendësinë e tyre pa u çliruar dot nga ai. Ashtu siç e thotë edhe autorja në pasthënien e romanit:
“ Nuk kisha qëllim të parë t’ju tregoja historinë time apo të brezit tim në kohën e diktaturës komuniste, por të ndriçoja ato ndjesi e mendime të fshehta, që i mbajmë në zonat e errëta të qenies sonë që nga fëmijëria. “
Rrëfimi i parë në lidhje me përjetimin e të ashtuquajturës “dashuri fëmijërore” na jepet në lagjen e personazhit kryesor, pra autores me një bashkëmoshatar të saj, Milin. Ky mendim për të përveç se ishte shok me të cilin loznin së bashku kishte marrë një kahje tjetër kur shpesh e ndëgjonte gjyshen e saj, e cila shprehte dëshirën për ta martuar me të. Tutje rrëfimi shkon duke treguar një intimitet që personazhi kishte pasur me shoqen e saj, Almën. Në këtë rrëfim të pasuruar edhe me dialog në kohën e tashme, na jep të kuptojmë kureshtjen e dy vajzave në lidhje me seksualitetin, më saktë procesin e krijimit të një fëmije.
Dëshira e personazhit si vajzë së cilës i mungonte të kishte një vëlla shprehet në një dialog që kishte bërë me një shok të saj, Adrianin, ku të dy kishin pirë gjakun e njëri-tjetrit. Dëshira e saj për një vëlla ndërlidhej edhe me dëshirën e të pasurit të njëjtin person edhe të dashur.
Me Adrianin ngjallet edhe dëshira e të qenurit djalë. Adriani, pra, ishte si motiv i personazhit sepse dëshirat e saj ngjasonin me dëshirat e djemve për futboll, lojë luftash e kështu me radhë si dhe e ndjente veten me një fuqi të njëjtë.
Rrëfimi kalon në një tjetër linjë ku personazhi rrëfen për frikën e saj të parë nga një mundësi e ngacmimit seksual nga djemtë e një lagjeje dhe tutje kemi të rrëfyer një paradë, ku ushtarët e Udhëheqësit të madh (Enver Hoxhës) preknin në trupin e vajzave të mitura dhe asnjëra nuk guxonin ta tregonin një gjë të tillë sepse kundrejt ushtarëve askush në atë kohë nuk guxonte të bënte një deklaratë të tillë.Pra, nga ata që në sytë e fëmijëve ishin heronj e mbrojtës nga armiqtë, atë ditë u kthyen në pervers.
Mosedukimi në lidhje me ndryshimet e trupit në fazën e pubertetit tek femrat që zakonisht dhe fatkeqësisht është e pranishme edhe sot në shumë familje shqiptare si diçka “e turpshme” të flitet rreth tyre, na rrëfehet nga zëri i një fëmije, përjetimi dhe njohja për herë të parë me ndryshimet që ndodhen në trupin e saj, pra, ciklin menstrual. Zëri narrativ i fëmijës e shpreh frikën dhe përjetimin e rëndë të një fëmije:
“Kisha filluar të trembesha aq shumë nga rritja. Kushedi sa tmerre do të na ndodhnin, si puna e rrjedhjes së gjakut.”
Rrëfimi i personazhit kalon në një dimension më të thellë kur tregon përjetimin dhe gjetjen e “magjisë së kënaqësisë” që e përshkruan si “elektrizim” dhe “shpërthim të fishekzjarreve”.
Personazhi dhe brezi i saj në këtë pjesë kuptojmë që kanë filluar fazën e pubertetit dhe arritjen e atij “elektriciteti” si një lloj përjetimi intim.
Tutje kemi edhe rrëfimin e saj të parë lidhur me marrëdhënien e parë seksuale me një djalë të quajtur Nardi. Nga ky rrëfim që përkon dhe lidhet edhe me një rrëfim të po këtij lloji me një djalë të quajtur Fredi, kuptojmë se tek i pari personazhi e ka vetëm një ndjenjë atë të tërheqjes fizike, ndërsa tek i dyti e ndjente veten të dashuruar. Zhgënjimin e saj të parë lidhur me dashurinë e kishte pikërisht nga ky djalë, të cilin personazhi e përjeton dhe e përshkruan me nota të thella të vuajtjes, të shprehura në një poezi që ia kushton atij.
Një dialog ta quajmë kështu me nota dramatike dhe një katarsis që e përjetojn personazhet është kur personazhi kryesor së bashku me shoqet e saj të gjimnazit: Almën, Sarën dhe Lidën i rrëfejn njëra-tjetrës ato gjëra të cilat i konsiderojnë të turpshme për t’u treguar; nga rrëfimi i personazhit kuptojmë se gjatë moshës 5-6 vjeçare kishte përjetuar një lloj ngacmimi seksual nga burri i hallës së saj; nga rrëfimi i Almës, kuptojmë se ishte ngacmuar seksualisht nga një burrë i moshuar e po të njëjtën e pohon edhe Lida, e cila tregon edhe një ëndërr që kishte parë, një incest me babain e saj, të cilën e quan si ëndërr e turpshme. Rrëfimi i këtyre vajzave në roman është një lloj ngritje e zërit për sulmet drejtuar ndaj tyre, të cilat nuk patën vend për t’i rrëfyer përveç njëra-tjetrës, ani pse, fjala e tyre nuk u dëgjua asnjëherë.
Autorja në këtë dialog jep mesazhin e romanit të saj që jo vetëm për ngacmimet e pashpalosura, por edhe për të gjitha ato gjëra që i konsiderojnë si tema të turpshme për t’u treguar, për frikën dhe dhimbjen që e mbajnë pa u çliruar dot nga to.
Zëri narrativ, stili, koha dhe hapësira në roman
Në këtë roman kemi të pranishëm narratorin e vetës së parë të ndërlidhur në disa pjesë edhe me dialog të vetës së tretë. Narratori që në këtë rast është autorja, rrëfimin na e sjellë me zërin e fëmijës në fëmijërinë e hershme, duke kaluar në adoleshencë, pra kemi të pranishëm narratorin e vetëdijshëm.
E veçanta e këtij romani është se si narratori luan nëpër kohë. Fillimi i romanit siç e kemi cekur fillon me një prolog, duke vazhduar rrëfimin në kohën e kryer dhe në disa pjesë të shkëputura ndërlidh rrëfimin në kohën e tashme, në kohën aktuale të demokracisë dhe duke e mbyllur me një epilog. Rrëfimi në këto pjesë na jepet nga personazhi tashmë i rritur dhe i martuar, të cilin e preokupojnë hallet dhe gjendja aktuale. Në përgjithësi në këtë roman mbizotëron rrëfimi subjektiv, i cili krijon pasazhe narrative të pasuruara me detaje që i hasim dhe në anën tjetër lidhen me stilin e autores. Për shkak të subjektivitetit, mënyra e rrëfimit tek lexuesit manifestohet me ndjenja, me emocione të ndryshme dhe të shumta për një mori temash, të cilat i prek dhe disa prej tyre janë aktuale edhe në kohën e sotme.
Koha dhe hapërsira në roman janë reale ndonëse nuk jepen emra të rrugëve, qyteteve nga përshkrimi i mjedisit vërejmë se ngjarjet janë të kohës së viteve të 80’ në qytetin e Tiranës. Hapësirat e përmendura në roman janë: pallati, shkolla, rruga e ambasadave, Bulevardi i madh, trotuari i mesit, kino Rinia, studio e shkrimtarit, shtëpia e shkrimtarëve. Përveç hapësirave dhe vendit që janë reale edhe disa personazhe, siç e cek edhe autorja në një intervistë që përmend shokun e saj, Ilirin që humbi jetën si student i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve nga një ortek dëbore, pra në roman e njohim me emrin real përkundër të tjerave personazhe që janë me emra jorealë.
Autorja përdor alegorinë, humorin dhe detajin në shumë pjesë të rrëfimit të ngjarjeve si veçori e stilit të saj.
Bota psikologjike e personazhit vajzë dhe prania e elementit të përrallës
Gjithë romani na fut në botën psikologjike të personazhit vajzë. Mendimet e një fëmije lidhen me të gjitha detajet, rreth gjërave në familje, shoqëri, shkollë e më gjerë jepen përmes këtij zëri; se si ndikojnë fjalët, mënyra e jetesës si dhe përrallat që kishte dëgjuar nga të rriturit dhe që përmes botës së një fëmije mundohet të bënë lidhjen me realitetin.
Këto mendime në roman shpesh na jepen me pyetje retorike dhe në formë monologu që personazhi përdor për t’i theksuar më shumë mendimet e tij.
Një ndër rrëfimet që prekin botën psikologjike të personazhit është ai i vdekjes së gjyshes ku na paraqitet mendimi naiv i fëmijës për vdekjen e gjyshes.
Tutje shamia e bardhë që babai ia vendos gjyshës së saj tek arkivoli ngjallë pikëpyetje në botën e saj:
“E për çfarë do t’i duhej nënës shamia? Ajo nuk i lëvizte dhe as do t’i lëvizte dot duart e as këmbët. Asgjë. Madje as qante dot për veten. Neve po, neve na duhej shamia se bashkë me lotët na rridhnin dhe qurrat.”
Tek rrëfimi me titull “Shtatë pijatat” personazhi e lidh edhe me botën psikologjike por edhe me praninë e elementit të përrallës “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Por si kishte ndikur kjo përrallë në veprimin e personazhit? Në roman rrëfehet për një fqinje të saj, Nonen Merjem, e cila shtronte tryezën me shtatë pijata për shtatë fëmijët e saj. Dëshira e saj që edhe në familjen e tyre të kishte jo vetëm dy pijata, por shtatë ishte sepse ishin vetëm dy motra. Tryezën e shtruar me shtatë pijata e identifikon dhe e krahason me pijatat e shtatë xhuxhëve dhe veten e krahason me Borëbardhën, e cila hante edhe nga pijatat e tyre. Po këtë gjë e vepron edhe personazhi, duke ngrënë ushqimin nga ato shtatë pijata. Tutje rrëfimin e drejton edhe në një linjë tjetër ku e krahason Nonen Merjem me nënën e saj, duke shprehur ankesat se në sytë e saj, Nona Merjem paraqitet si një femër që kujdesej për shtëpinë e fëmijët e saj dhe qëndronte tërë kohën në shtëpi, ndërsa nëna e saj nuk kishte kohë të mjaftueshme për gatime, ajo ishte e punësuar dhe merrej ende me provime.
Prania e elementit të përrallës qëndron edhe në frikën e personazhit për vdekjen e nënës së saj, e cila ndodhej në spital.Imagjinata e një fëmije përshkruhet mjaftë mirë edhe në gjërat e vogla që i lidhte me personazhet e përrallave, ku të bardhën e vezës e krahasonte si një mal me borë në një natë me hënë të plotë.Dëshira e secilit në fëmijëri ka qenë të kishim në shpinë flatra që të mund të fluturonim, personazhi e rrëfen një ngjarje për shokun e saj Milin, të cilin e kishin internuar së bashku me familjen e tij: Sa për Milin, isha e bindur që kishe fluturuar me macen mbi shpinë. A kishte flatra? Sigurisht, nëse dëshiron të fluturosh, të dalin vetë ato në shpinë.”
Rrëfimi ndalet prapë edhe në një tjetër linjë kur personazhi futet në shtëpinë e Milit pasi ishte internuar me familjen e tij dhe e shihte shtëpinë e tij të zbrazur, syri i saj prek një lugë të vogël ku menjëherë lidhet me praninë e elementit të përrallës:
“E mora lugën dhe menjëherë m’u kujtua një përrallë që më kishte treguar gjyshja, se për të shpëtuar nga shtriga, një djalosh ishte larguar bashkë me të gjitha orenditë e tij nga shtëpia. Po kishte harruar një lugë të vogël, që ishte e vetmja që e dinte se ku ishte djaloshi. Luga, nga inati që djaloshi nuk e kishte marrë me vete, i tregoi shtrigës se ku ndodhej ai.”
Naiviteti i një fwmije tregohet edhe në këtë pjesë kur ajo e merr lugën gjoja të mos e merrnin vesh njerëzit e këqijë për vendndodhjen e Milit, ani pse, ishin pikërisht ata që e kishin internuar dhe e dinin vendndodhjen e tij dhe familjes së Milit.
Përveç përrallave që ndikonin në veprimet dhe gjykimet në situatat reale të jetës në fëmijërinë e saj, personazhi vajzë e krahason njërin nga personazhet e romanit me personazhin e përrallave. Fjala është për një vajzë me emrin Maro, të cilën e quan Maro e Përhitura, në vend të epitetit që të tjerët ia kishin vendosur si Maro sakatja. Autorja në këtë rrëfim përdor figurën e simbolit për këpucën e Maros së përrallës me këmbët e përthyera të Maros, fqinjës së saj. Maroja e përrallës po e priste këpucën që i kishte humbur dhe ia kishte gjetur princi, i cili u martua me të ndërsa Maroja e vërtetë po priste t’i vinte një karrocë e premtuar ku në vend të saj i erdhi vdekja.
Pyetjet retorike rreth vdekjes së Maros shprehin atë kureshtjen e personazhit që i japin të veçantën e botës së fëmijës:
“Po si e kishin shtrirë Maron?! I ishin drejtuar këmbët pas vdekjes?!”
Imagjinata e një fëmije shkon aq larg kur në një moment dëshiron ta provojë ndjenjën e prindërve të divorcuar njëjtë, siç e përjetonte Adriani në roman që i kishte prindërit e ndarë dhe jetonte me babain e tij.Elementi i përrallës nuk shkëputet nga bota psikologjike e imagjinata e personazhit në fëmijërinë e saj.
Rrëfimi për shamin e kuqe ngjan me ato mendimet e të gjithë fëmijëve për shkopin magjik që me një lëvizje të tij t’i plotësonim dëshirat tona, në rrëfim na jepet shamia e kuqe ku personazhi priste që me një tundje të saj t’i zhdukej shtëpia dhe të shkonte në mbretërinë e fëmijëve të përrallave.
Bota psikologjike e fëmijës arrin në një tjetër dimension të përshkruar si dramë në vete kur vrasja e një gruaje ndikon thellë në botën psikologjike të saj, ku nga ndikimi i saj shpalos fantazinë e saj përmes pyetjeve që ia parashtron vetes pa e harruar as në këtë pjesë elementin e përrallës:
“Tërë natën më dilte gjumi, pasi shihja në ëndërr se si rrokullisej koka e saj poshtë barelës. Kisha dëgjuar përrallën e Mjekërkaltrit, që u priste kokat grave dhe i varte nëpër mure.”
Në një moment personazhi nga ndikimi i kësaj vrasjeje mendimet i drejton se a mundej edhe babai i saj të bënte të njëjtën gjë me nënën e saj?
Thika e kuzhinës i ngjallte frikën se mund ta priste kokën e nënës së saj dhe si mbrojtje nga ajo personazhi vraponte dhe e përqafonte qafën e saj.
Me nota humori e përshkruan edhe rrëfimin në këtë rast ku personazhi i drejtohej së ëmës:
“Ma, sa qafë të bukur ke. Po shumë të hollë. Pse nuk shëndoshesh më shumë? Të të forcohet qafa.”
Nga ky rrëfim kuptojmë edhe një temë që autorja e trajton, temë kjo ndjeshme që është e pranishme edhe sot, ku me mijëra lajme janë për vrasjet e grave nga burrat e tyre. Kjo dukuri negative ndikon në psikologjinë e fëmijës, por edhe tek të rriturit, rrëfimi këtu jep frikën, dukurinë negative dhe psikologjinë e lëkundur të fëmijes në kohën e diktaturës.
Kryengritja e fshehur e një shpirti që nuk njeh kufizime
Në periudhën e diktaturës nuk lejohej që t’u afrohej afër vilave ku banonin punonjësit e ambasadave, guximi i një fëmije nuk njeh rrezikun që mund ta kishte, dhe personazhi e vuri në rrezik familjen e saj kur nga kurreshtja për të parë më afër një vajzë me një biçikletë të kuqe i afrohet vilës dhe bisedon me atë vajzë që ishte italiane. Nga ky rrëfim kuptojmë edhe rregullat e periudhës së diktaturës ku për këtë veprim të një fëmije babai i saj së bashku me babain e Zanës, shoqës së saj merren në pyetje në komisarat. Familja e saj pra, ishte spiunuar nga fqinjët e tyre të pallatit, dukuri kjo e pranishme e asaj periudhe. Ndikimi i të jetuarit në komunizëm shfaqet edhe në një përshkrim në një lojë që personazhi vajzë bënë me dy shoqet e saj të ngushta, Nezin dhe Tushën, të cilat kishin shkruar nëpër dyer të dhomave parullat e famshme të asaj kohe “Vdekje fashizmit! Liri popullit!” dhe “Të dënohen me pushkatim tradhtarët!”. Personazhi shfaq guximin e saj edhe kur i lexonte nga biblioteka e babait librat e ndaluar në atë kohë përveç guximit që shfaqej në veprimet e personazhit në të njëjtën kohë ajo i përshkruan aq me detaje ato rregulla e kufizime të asaj periudhe.Në një rrëfim tjetër tregon që xhamiat ishin të ndaluara, por kishte edhe kisha që u bënë kino, ruajtja e ikonave që halla e saj, Leni i mbante në shtëpi ishte e ndaluar, në të njëjtën kohë nga ana tjetër personazhi përshkruan edhe gjendjen ekonomike e sociale të asaj periudhe, ku shumë njerëzve u rrezikohej shtëpia që mos t’u rrënohej nga shteti për ndërtimin e ndonjë ndërtese apo hoteli. Personazhit i dukej e çuditshme të përdorej fjala shok/shoqe në vend të fjalës zotëri/zonjë për personat në moshë, rregull ky tipik i mirësjelljes në periudhën e komunizmit. Një tjetër thyerje e rregullave ishte kur personazhi së bashku me shoqen e saj, Loretën dhe shokun e saj, Francin në shtëpinë e tyre shohin një film të huaj, i cili në atë kohë kontrollohej me imtësi dhe shfaqej në ekran i cunguar. Autorja rrëfimin në një fragment e bën nga narratori i tretë kur rrëfen për shoqen e saj të gjimnazit, Matildën që i thyen rregullat për flokët dhe grimin. Në atë kohë stilet dhe grimi ishin të ndaluara për vajzat, Matilda del nga ky kufizim duke vendosur grim dhe duke e mbajtur stilin kapelon që ishte modë e grave në atë periudhë. Personazhi vajzë si dhe brezi i saj thyen edhe rregullin e një feste të çmendur në shtëpi të një shoku, ku personazhi bashkë me ta feston ditëlindjen e 18-të duke u argëtuar me gjëra të ndaluara. Siç e citon edhe autorja:
“Dhe vërtet e kishim fituar një betejë. Ishim argëtuar me gjëra të ndaluara.”
Dëshira për t’i kapërcyer të gjitha kufizimet e rregullat nga një brez, i cili bënte gjërat ndryshe e jep më së miri mesazhin e këtij romani, i cili na vjen nga autorja si mozaik i jetës dhe brezit të saj, por edhe si përshkrim i asaj periudhe të errët diktatoriale në qytetin e Tiranës.
Përfundime
Siç u cek edhe në hyrje të punimit autorja njihet për thyerjen e tabuve me stilin e saj të shkrimit në poezi dhe tani edhe me këtë prozë autobiografike. Ajo preku disa tema tabu që janë aktuale edhe në ditët e sotme si: çlirimi i brendshëm, ngacmimet seksuale, marrëdhëniet seksuale, fazën e adoleshencës, përjetimin dhe perceptimin e botës së fëmijës, edukimi i fëmijëve për njohjen e trupit të tyre, ndjenjën e të qenurit ndryshe nga rregullat e përcaktuara etj.
Letërsia shqipe ka pasur shumë shkrimtarë që kanë shkruar rreth tematikave të tilla, mirëpo autorja me këtë roman na vjen me një rrëfim të drejtpërdrejtë, e cila arrin të prek botën psikologjike të secilit lexues.
(Të gjitha citimet janë nga romani “Lindur së prapthi” të Rita Petros)
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com