18 Prill, 2024 - 9:20 pm
Shkruan: Rrezarta Cikaqi
(Virion Graçi, “Zonja pa emër”, Rezna, Tetovë, 2023)
“Zonja pa emër” është një roman i rëndësishëm në korpusin e veprave të Virion Graçit. Në këtë roman Graçi eksploron temat e individit kundër shoqërisë, pushtetit dhe ndikimin e historisë mbi jetën e njerëzve. “Zonja pa emër” mund të shihet si postskriptum i shumë temave të prozës së shkurtër të Virion Graçit, në të cilën autori shpalos një pasqyrë të përditshme të shoqërisë dhe të individëve të saj, duke i përballur ata me situata dhe dilema të ndryshme që shpesh janë të lidhura me traumën sociopsikologjike.
Në këtë roman Graçi përdor strukturën narrative për të krijuar tension dhe për të theksuar rëndësinë e çështjeve të trajtuara brenda tij. Përdorimi i strukturës jokronologjike është element që shton thellësi dhe kompleksitet në vepër. Duke mos ndjekur një vijë lineare të të rrëfyerit lexuesi përjeton ngjarjet dhe përvojat në një mënyrë të përzier dhe të fragmentuar, siç mund të jenë edhe përvojat reale të individëve në jetën e tyre.
E gjithë ngjarja rrëfehet në vetën e parë, përmes gojës së kryepersonazhit, i cili kundërshton hapur realitetin dhe botën moderne në të cilën jetonte.
Romani ofron një portret të thellë emocional të personazhit kryesor, Veton Lonës, i cili pavarësisht se ishte shkrimtar, studiues, profesor filologjie e anëtar nderi i disa akademive europiane, ai ndihet i humbur dhe i braktisur në botën moderne, duke u përballur me ndarjen dhe presionin e shoqërisë për të qenë konkurrues në një shoqëri që vlerëson vetëm suksesin e jashtëm dhe imazhin e përsosur. Veton Lona ndihet i zhytyr në një realitet ku vlerat e vërteta janë zëvendësuar nga presionet e mediave dhe përfaqësuesit e një kulture tërheqëse dhe hipokrite.
Ai përballet me një krizë identiteti në një kontekst shoqëror, ku standardet e lumturisë dhe të suksesit janë të deformuara nga medie-t dhe imazhet e përsosura që ato promovojnë.
Veton Lona ndihet i humbur dhe i vetmuar nga realiteti, dhe i sfiduar në rolin e tij si bashkëshort, baba, shkrimtar e studiues. Duke analizuar rolet e tij, ai kujton se si kishte qenë një bashkëshort dhe baba i dashur dhe i dhembshur, një mik i mirë për të tjerët, një studiues rigoroz dhe një shkrimtar i respektuar. Megjithatë, ai ndjen se këto cilësi nuk e bëjnë atë më të shquar ose më të jashtëzakonshëm në sytë e shoqërisë. Andaj, ndien fajin për mosnjohjen e tij në shoqëri, duke e cilësuar veten si një jokonkurrues, e duke e quajtur këtë cilësi si një sëmundje të pashërueshme, vdekjeprurëse dhe fatale.
Çdo ditë e më shumë Vetoni e kupton se përvojat e tij personale të lumturisë dhe të suksesit janë të limituara në krahasim me imazhet e paarritshme dhe standardet e pavlerësuara të treguara në medie dhe në shoqëri. Ndjenja e paaftësisë për të përmbushur këto standarde e bën atë të ndihet si një dështak ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.
Ai përjeton një krizë të thellë, ngase ndien se cilësitë e tij jokonkurruese janë shkaktar edhe i humbjes së partnerës dhe familjes së tij. Vetoni përballet me ndarjen nga ish gruaja e tij, Migena dhe nga fëmijët e tij, vajza Donela dhe djali që akoma rritej brenda barkut të Migenës.
“Po më rrëshqasin përditë nga duart dashuritë e mia tokësore, po fillojnë të bien si të ishin prej rëre kështjellat e personalitetit tim si krijues dhe intelektual. Po më firojnë njëra pas tjetrës arritjet, dëshirat, projektet. Kundër kujt të ngrihem, kë të denoncoj si shkaktar te kthimit tim në botën e shurdhët të anonimatit. Përse kështu? Kush më ka nxjerrë nga rruga? Pikërisht qënia ime, cilësitë jokonkurruese të cilat i kam kultivuar si ndëshkim për vetveten dhe si vijë ndarëse me të tjerët. Për të ekzistuar duhet të jesh konkurrues. Isha bashkëshort shembullor por jo më i shquari, jo më i jashtëzakonshmi, jo më i veçanti ndërmjet miliona burrave të martuar; isha i dashur e i dhembshur si prind por midis baballarëve nuk isha më joshësi, më heroiku, më toleranti, më sakrifikuesi.”
Romani përshkruan një ndarje të vështirë, por të pashembulltë, që ndodh në një ambient formal të gjykatës duke theksuar distancën dhe izolimin emocional midis Veton Lonës dhe ish gruas së tij. Teksa prisnin në oborrin e gjykatës fillimin e seancës për t’i dhënë fund martesës shtatë vjeçare, Vetoni përjeton një kthesë kohore, duke u kthyer në momentet e tyre më të lumtura dhe të pasura me dashuri. Ai reflekton mbi të kaluarën dhe përjetimet e tyre, duke sjellë në vëmendje dashurinë e tyre të shkuar dhe duke shfaqur një lloj nostalgjie për kohën kur kanë filluar njohjet e tyre. Kohë kur Vetoni ishte vetëm 21 vjeçar, akoma një student universiteti, ndërsa Migena një gjimnaziste 16 vjeçare, që studionte gjuhën spanjolle. Ai përshkruan Migenën me ëmbëlsi dhe butësi, duke sjellë në vëmendje bukurinë dhe kujdesin që ajo kishte për ta.
Përmes kujtimeve të protagonistit ne futemi në një rrugëtim emocional që na lejon të kuptojmë thellësinë e marrëdhënies së tyre dhe ndjenjat që rëndojnë në këtë moment të ndarjes. Ndarja në mes tyre ndodh krejtësisht e zakonshme, duke i shmangur dramat dhe spektaklet e papërfillshme që shpesh shoqërojnë ndarjet. Ndarja për Vetonin ishte mjaft e vështirë, duke e çuar atë në dëshpërim, çmenduri dhe në vetasgjësim.
II
Përpos pamundësisë për të qenë konkurrues në një botë të tillë, ka shumë faktorë të tjerë që e dërgojnë Veton Lonën drejt një vetëizolimi, me të cilat ai është i zhgënjyer dhe aspak nuk mund të pajtohet. Ai tregon se në politikë dhe në jetën shoqërore, ngjarjet e mëdha të së shkuarës shpesh interpretohen dhe justifikohen në mënyrë që të përshtaten me synimet dhe dëshirat e pushtetarëve aktualë. Ku pas çdo fitoreje të fitimtarit, historitë dhe ngjarjet e mëdha maskohen e ndryshohen, duke sjellë një version të deformuar të së vërtetës, por gjithmonë në favor të tyre.
E ajo që e godsite më tepër ishin njerëzit, se si ndryshonin qëndrimet dhe besimet e tyre, se si i braktisnin vlerat e tyre njerëzore për hir të përfitimeve materiale, e për të fituar atë pak simpati të fitimtarit. Ku humbja e moralit arrin deri në atë pikë sa fshatari del vullnetar për të vrarë bashkëfshatarin vetëm për të rënë në sy. Ku njerëzillëku ka humbur, ndërsa dhuna dhe brutaliteti janë normalizuar. E që me kalimin e viteve të gjitha këto fshihen nga historia, krijohen histori të reja të shtrembëruara, duke maskuar ato plaçkitje e vrasje të qindra njerëzve të pafajshëm, e sikur të mos mjaftonte njerëz të tillë merrnin guximin që para nxënësve të dilnin si veteranë lufte.
Një zhgënjim tjetër Veton Lona e përjeton edhe atëherë kur studimit të tij universitar, në të cilin ishte bashkëautor me një profesor tjetër, që ishte mik i babait të tij, pa ndonjë arsye i ndalohet qarkullimi. Ajo që e zhgënjen Vetonin, është ndryshimi i papritur i qëndrimit të profesorit, se si ai vendos të ndryshojë çdo gjë brenda librit, ai hedh poshtë të gjitha mendimet e qëndrimet, që dikur kishte mbrojtur brenda tij, vetëm e vetëm për t’iu përshtatur kërkesave të
pushtetit dhe libri të qarkullonte lirshëm. Duke ia kërkuar ta bënte të njëjtën gjë dhe Veton Lonës, mirëpo një gjë e tillë ishte e papërputhshme me karakterin e këtij të fundit.
Sikur të mos mjaftonin këto, në fund i lodhur nga çdo gjë që e rrethonte, e madje dhe i tërhequr nga puna, Veton Lona përballet dhe me ndryshimet rrënjësore që kishin filluar të bëheshin nëpër institucionet e ndryshme. Ai përjeton një zhgënjim fatal kur befas takon Bedriun, dhe sheh ndryshimin e tij drastik, nga një punëtor krahu, ishte kthyer në akademik, e ishte bërë epror shefash. Një gjë e tillë ishte e papërballueshme për të, nuk arrinte ta konceptonte dot si mund të bëhej një ngjitje e tillë, si mund të ndryshonte njeriu kaq shpejt e kaq lehtë.
Duke u përballur me të gjitha këto, Veton Lona e kuptoi dhe një herë se ishte i tepërt e i huaj në këtë botë. Më shumë se kurrë e ndien nevojën për t’u arratisur nga kjo botë. Andaj, përmes aktit të vetëvrasjes, ai triumfon mbi banalitetin e një bote në rënie e në zvetënim të pandërprerë.
III
Romani “Zonja pa emër” është një poemë e dhimbshme pikëllimi dhe malli botëror për arrati, në të cilën e larta me të ultën, sublimja me lapërdaren, konkretja me kozmiken si një sistem i pafundëm ndërkëmbyes dikotomish e bëjnë romanin një metonimi të tëhuajësimit, të njeriut të tepërt në këtë botë.(Agron Tufa)
Kur realiteti malcohet keq për personazhin Veton Lona, ai përjeton turbullira të mëdha dhe sfida të pazgjidhshme në jetën e tij. Ndërkohë që ai i përballon këto sfida dhe konflikte, ndjenja e dëshirës për të ikur nga realiteti i vështirë shfaqet në mendjen e tij. Kështu, ai fillon të fantazojë për arratisjen dhe për një jetë më të mirë, fillon t’i dojë ato flatra arratie, që në imagjinatën e tij kanë mirazhin e një femre, të një zonjeje të paemërtuar ndonjëherë.
“ Më thuaj pra ku ishe ti në atë orë? Në atë çast? Në atë sekondë? Përgjigjmu. Përgjigjja është gati, duhet vetëm pak mirësi për ta shqiptuar. Më thuaj, cilin nga pesë miliardë njerëzit e kësaj Toke çoje në parajsë në atë mëngjes të ftohtë? Tregoma të vërtetën. A më dëgjon?”
“Flatrat për t’u arratisur” shfaqen si një simbol i kësaj dëshire për t’u larguar nga realiteti i rëndë dhe për të gjetur një vend të ri, për t’u shmangur nga vështirësitë e jetës dhe për të gjetur një lloj lirie dhe qetësie të cilat janë të pamundura për t’u gjetur në realitetin e tij aktual.
“Zemra ime pushoi së rrahuri, uli kokën, më ktheu krahët dhe u largua qetë qetë për të mos u kthyer kurrë më. Unë mbeta në mëshirën e valëve të liqenit të cilat, kur dielli i mëngjesit po dilte mbi shpinën e malit më nxorën në breg, shumë pranë gjurmëve të tua. Gjatë natës ti ishe zhvendosur edhe pak më tej por tani e saktësova vendndodhjen tënde dhe e di ku të të gjej. Mos u mërzit…”
Pra, Zonja pa emër, së cilës i drejtohet personazhi në veprën e Virion Graçit nuk është një personazh, por një simbol i thellë i dëshirës për shpëtim dhe për arratisje nga kjo botë. Përmes kësaj figure, autori shpalos temat e arratisjes, dhe dëshirës për një jetë më të lumtur dhe më të qetë, të cilën Veton Lona e arrin në fund të romanit, vetëm atëherë kur ndeshet me zonjën e paemërtuar, të cilën e kishte kërkuar me aq ngulm gjatë gjithë kohës, e që bashkimin me të e arrin vetëm duke u hedhur në ujërat e ftohta të liqenit, duke u bërë një me të, për të mos u ndarë më kurrë.
Shënim:
Punimi është prezantuar në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com