Romani i Shkumbin Gashit nga Zvicra nderohet me çmimin “Rexhai Surroi”

22 Dhjetor, 2020 - 11:09 pm

Sonte, në një solemnitet online, në Prishtinë është ndarë nga grupi Koha çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari. Ky çmim, për vitin që po lëmë pas, 2020, i është ndarë romanit  ‘Nënë, më fol për ëndërrimtarët’, të Shkumbin Gashit, një shkrimtari të ri ri, i cili prej disa vitesh jeton në Zvicër, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Gashi u është drejtuar miqve të tij virtual me falënderimin që po e publikojmë në vijim: Sot pranova Çmimin prestigjioz të letërsisë, “Rexhai Surroi” për vitin 2020 dhënë nga Grupi Koha. Është padyshim dhurata më e mirë që do të mund të pranoja në – thënë më së lehti – fund të këtij viti për t’u mbajtur në mend përgjithmonë. Siç thoshte Huxley, “Kujtesa e çdonjërit është letërsia personale e tij”, e për mua viti 2020 përbën një kapitull të madh të veprës voluminoze të kujtesës.

Laureatë të mëparshëm të Çmimit “Rexhai Surroi” janë shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe, prej Ismail Kadaresë e Agron Tufës, te Zija Çela, Kim Mehmeti, Binak Kelmendi, Mira Meksi e Ridvan Dibra, e të tjerë shkrimtarë të vlerësuar të letërsisë sonë. Është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe një nder i jashtëzakonshëm të jem në mesin e emrave të tillë, të cilët i kam lexuar me zell e admirim.

Thonë se për të rritur një fëmijë lypset një fshat i tërë. Për një vepër letrare, që unë e quaj fëmijë timin, ndonëse tani fëmija bën rrugën e vet, kërkohet jo vetëm një ide. Jo vetëm net e net pa gjumë, krijim e rikrijim, lexim e rilexim.

Nevojiten edhe njerëz që të mbështesin nga afër. Si në rrafshin personal, po aq në rrafshin e krijimit letrar. Falënderoj gruan time që pati durimin dhe qe lexuesja ime e parë e shkarravinave që gradualisht u bënë fjali, paragrafë e kapituj. Falënderoj redaktoren time Kaltra Bardhi për punën profesionale dhe të palodhshme. Falenderoj Shtëpinë Botuese “Pema” me ekipin e jashtëzakonshëm që e latuan punën time dhe i dhanë formën e duhur. Dhe, kuptohet, falenderoj Jurinë e nderuar të Shtëpisë “Koha” për vlerësimin.

Shkumbin Gashi jeton prej disa vitesh në Olten të Kantonit të Soloturnit. Ai është duke doktouar për psikologji klinike dhe psikoterapi ne Universitetin e Bernës./ KultPlus.com

Të ngjajshme