Romani “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit

18 Janar, 2020 - 6:00 pm

Recension nga Vlora Rexhaj

‘’Iluzione në sirtar’’ I Fatos Kongolit është romani ku fati i artistit dhe letërsisë  sfilitet në periudhën e egër të diktaturës.Autori, Fatos Kongoli, tashmë i përkthyer në disa gjuhë botërore flet me sinqeritet e me guxim intelektual,  për iluzionet dhe mashtrimet,për rëniet dhe ngritjen në jetë dhe letërsi.

Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë Kongoli i kthehet ngjarjeve nga më të rëndësishme dhe traumatike të jetës së tij. Ai ndalet në kthesat më të vështira të jetës dhe  formimit të tij si njeri dhe krijimit të individualitetit të tij prej shkrimtari.

Autori na evokon kujtime nga më të ndryshme ,duke na treguar se sa e rëndë ishte jeta  nën këtë sistem diktatorial,  në  atmosferën mbytëse  të  asaj kohe, ku gjendja shpirtërore, terrori psikologjik që ka përjetuar ai dhe një shoqëri e tërë ka qenë e tmerrshme.

Të qenit në mes dy zjarreve të vazhdonte në letërsi ku çdo gjë  kontrollohej dhe cenzurohej, ku vetëm për një strofë mund të shkoje  në internim apo  në burg apo të qëndronte indiferent  në lëminë që kishte studiuar ishin dilemat që e mundonin.

Paraqitja e një ambienti konkret ,i temave të kohës konkrete, siç është shënjestrimi i intelektualëve të kohës, përcjelljet në vendin e punës, maltretimet psikike nëpër gjykata ku  çdo gjë ishte  e ngulfatur dhe një jetë pa shpresë. Fragmente interesante ishin ato ku Kongoli na rrëfen se si nga një mësues fshati e pozitave të ndryshme që i mbante përfundon i internuar me shumë të tjerë   në fabrikën e çimentos e në kombinatin metalurgjik. Një vend të veçantë në roman zë figura e babait të autorit ,një njeri intelektual e i respektuar i asaj kohe ,ku ai vet detyrohet t’ia’’ imponojë’’ fëmijëve të vetë  profesionet vetëm e vetëm t’i  largoj nga rreziku,

 Ai shpresonte për një jetë më të mirë pas largimit të diktaturës, por  njëjtë del të jetë edhe periudha pas rënies së saj, vendi u  ballafaqua  me një varfëri ekstreme, njerëzit largoheshin nga vendi me shpresë për një të ardhme më të mirë.

Krahas rrëfimeve të jetës ,ai nis dhe zbulon një nga një personazhet e tij.  Ku shumica janë figura reale si  Sejfullah Malëshova, të cilin ai e quan ‘’Profesori’’,apo Liri Belishova të cilën e quante’’Gruaja me syze’’ tek romani ‘’Lëkura e qenit’’ apo Vladimir Shehun ,birin e Mehmet Shehun,për të cilin u tha u vetëvra , të cilin e thërret  shkurt ‘’Ladi’’tek romani ‘’I humburi’’ Madje zbulon se histori personale ai i ka futur nëpër libra, si në rastin e romanit ‘’Kufoma’’ ku tregon episodin e dëshmisë  së gjyqit të një ish-kolegu gjatë viteve të komunizmit. Nëpër romanet e tij mund ta gjejmë autorin te një personazh apo tek tjetri.

Tek ‘’Iluzionet në sirtar’’ hynë dhe dalin përsonazhe të njohur dhe të panjohur, figura publike ,shkrimtarë ,e politikanë,Shuteriqi ,Agolli,Kadare, Bardhyl Londo etj .Në varësi historive , të treguara tonet dhe dramacitetet ulen dhe ngrihen në libër.

Ndërsa titulli i romanit ‘’iluzione në sirtar’’ janë iluzionet personale të  shkrimtarit ,të cilat ai i kishte pasqyruar në të gjitha librat e tij që nga viti ’90 e këtej, ishte zhgënjimi shumë i madh me ardhjen e demokracisë me mungesën e humanizmit edhe pse pritej ndryshe nga të gjithë sidomos nga artistët. /KultPlus.com

Të ngjajshme