5 Qershor, 2019 - 8:00 pm
Një shqiptar emigrant në Itali ka tërhequr vëmendjen e gjithë mediave të këtij vendi, pasi ka shkruar romanin e tij të parë “Ishte një herë një klandestin”.
Eltoj Bida, 41 vjeç ka rrëfyer në gjuhën italiane se çfarë aventurash i janë dashur të kalojë për të ikur nga Shqipëria 25 vite më parë.
“Kur flisja me shokët edhe shoqet e mia edhe se si kam ardhur në Itali, në thoshin të gjithë që duhet që ta shkruaja historinë time. Edhe në fakt ja dola. Libri nis që ditën e parë që u nisa. Ishte viti 1995. Nis me kontrabandierët, që takova për të bërë dokumentet false, por dështova. Kur u ktheva nga Vlora, i thashë tim eti, që nuk kthehem më atje. Nuk kam më të ardhme. Im at më ndihmoi. U nisa me gomone, udhëtimi zgjati katër orë. Në fillim nuk ke frikë fare, por kur je mes të detit mendon, “o kokë, çfarë më bëre”, shikon vetëm ujë, errësirë, edhe një dallgë të vijë dhe do të përfundoje në mes të detit. Në anën matanë na prisnin dy shqiptarë, na kërkuan lekë të tjera edhe më pas na çuan në magazinë”, shprehet Eljton Bida, autori i librit.
Ndonëse, ishte vetëm 17 vjeç kur mori udhën e emigrimit. I kujtohen edhe sot ndryshimet e para, që ka parë në shtetin fqinj.
“Kur isha mbi gomone u bëra pishman. Ndërsa, kur arrita në Itali ndjenja që kisha ishte shumë e madhe, sepse arrita në vendin që kam ëndërruar. Isha shumë i lumtur, aty pashë ndryshimin, pashë në atë kohë se si putheshin në rrugë një burrë e grua, që në Shqipëri kjo nuk ndodhte, plus pashë pastërtinë dhe edukatën. Më pëlqeu menjëherë Italia…”, shton Bida.
Sot Bida është babai i dy fëmijëve. Edhe pse nuk përfundoi dot as gjimnazin në vendin e tij, ai na tregon se flet 6 gjuhë të huaja. Prandaj nuk resht së thëni, se në asnjë vend të botës nuk ta mbyllë askush derën nëse ke dëshirë, që të punosh për të realizuar ëndrrat e tua.
“Në fillim Për disa vite kam punuar në ndërtim. Për 13 vjet punova si recepsionist në hotel. Në ditët e pushimit shkruaja librin. Derisa ja arrita qëllimit, që tani të shkruaj tërë ditën. (qesh) Unë them se nëse një emigrant lexon këtë libër, nga ajo që dëshmon, se “nëse sillesh mirë edhe të ke dëshirën për punë, mund të arrish të jesh një emigrant, që bën një jetë të lumtur”. Unë këtë e tregoj se çfarë ndodh, muaj pas muaj. Ëndrra ime është që emigrantët duke lexuar këtë libër, të mësojnë edhe si si mund të arrijnë të realizojnë një ëndërr…”, shprehet ai/dita.