9 Qershor, 2023 - 10:26 pm
Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në Panairin e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror.
Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit.
Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.
“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.
Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre.
“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje.
Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com