Romani “Shitësi” i autorit Andrin Aliu promovohet në KultPlus Caffe Gallery

13 Mars, 2024 - 10:57 am

Romani “Shitësi” i autorit Andrin Aliu do të promovohet më datë 18 mars, ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

“Shitësi” është një roman psikologjik, për të cilin autori ka punuar mbi tri vite.

Gjatë promovimit në panel do të jetë autori Andrin Aliu dhe redaktori i librit Sabit Jaha.

Përshkrimi i ngjarjes në libër

Është vera e vitit 2012, në Prishtinë, kur jeta e Zgjimit, gjimnazist dhe bir i një dëshmori, do të ndryshojë përgjithmonë. Në të njëjtën ditë që ka filluar punën si shitës në një market, rrugës për në apartamentin e tij, ai  do të hasë një afishe ngjitur në murin e një pallati, ku shkruan: Kërkojmë mirëmbajtës të pallatit. Poshtë këtij shënimi është edhe një numër kontaktues. Zgjimit  i bën përshtypje kjo ofertë pune dhe e fotografon afishen, teksa pas disa ditësh ai telefonon në numrin e shkruar në afishe. Shumë shpejt ky djalosh do të takohet me zotërinë që kërkon një mirëmbajtës pallati, dhe do të pranojë ofertën për punë, pa e pasur idenë se punëdhënësi i tij i ri, dikur ka qenë shoku më i ngushtë i babait të tij deri në çastet e fundit të jetës, atëherë kur kishte ndodhur një prej masakrave më të llahtarshme në luftën e vitit 1999, në Kosovë.

Rreth autorit

Andrin Aliu ka lindur më 1 dhjetor 1995 në Podujevë, kurse aktualisht banon në Prishtinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Letërsia është pasioni i tij më i madh.

“Shitësi” shfaqet si një roman psikologjik dhe autori fton të gjithë ata që e duan letërsinë, ta lexojnë këtë libër, sepse sipas tij, nuk do t’iu duhet tepër kohë për t’u bindur se rrëfimi nuk është aspak i zakontë. / KultPlus.com

Të ngjajshme