19 Qershor, 2018 - 10:00 am
Shkruan Makfire Hajdari Kurteshi
Kohë më parë në Ennepetal të Gjermanisë, Lidhje e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani mbajti aktivitetin letrar për të shënuar 80-vjetorin e lindjes të Azem Shkreli.
Manifestimi, para një numri të madh pjesëmarrësish, kishte në program edhe ndarjen e çmimeve për arritje në letërsi. Në këtë manifestim mysafir special ishte shkrimtari i mirënjohur, romansieri Ibrahim Kadriu, me ç’rast u përurua romani më i ri i tij “Të vdekurit e gjallë” për të cilin foli shkrimtari Pal Sokoli.
Këtij romani iu bë një vlerësim nga shkrimtari Pal Sokoli, një vlerësim i thukët, duke i potencuar dimensionet përmbajtjesore dhe artistike, gjegjësisht duke ia vënë në spikamë nivelin artistik që e deshifrojnë si një realizim i rrallë romanor. Shqyrtimi nxori në pah strukturën artistike e cila pasohet si rezultat i përvojës së shkrimtarit.
Romani pasqyrohet si një trinom ku dominojnë tri figura, portrete personazhesh, që përjetojnë humbjen fizike, por që me kohë identifikohen si vlera të realitetit tonë. Autori, sipas vlerësuesit, ka arritur t’i tipizojë karakteret në bazë të të cilave realiteti ynë edhe politik rrumbullakon esencën shpesh tragjike të tërësisë tonë aktuale. Vepra ,,Të vdekurit e gjallë” merr nismën me mendimin e Viktor Hygos, si moto: ,,Luftën e fitojnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”, që mund të kuptohet si dëshmi programore përmes së cilës romani merr frymë.
Me këtë rast para të pranishmëve u zhvillua edhe intervista me shkrimtarin Ibrahim Kadriu, i cili iu përgjigj shumë pyetjeve të paraqitësit të vështrimit mbi romanin, por edhe të të pranishmëve./ KultPlus.com