28 Janar, 2021 - 11:36 am
Në 85-vjetorin, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare ka rrëfyer më shumë për jetën e tij, duke nisur nga mënyra se si e ka përjetuar pandeminë e COVID-19 e deri te opinioni i tij për politikën aktuale në Shqipëri.
Ky rrëfim është bërë në librin “Kadare, Dialog me Alda Bardhylin, Kohë për rrëfim” të shtëpisë botuese Onufi, përcjell KultPlus.
Si i keni përjetuar këto kohë zhvillimet globale, pandeminë?
-I kam përjetuar natyrshëm. Nuk më kanë shkaktuar ndonjë shqetësim serioz, por kjo vjen sepse, për një shkrimtar, shqetësim serioz është gjithnjë ai që lidhet me krijimin. Këto travaja nuk kanë qenë asnjëherë penguese për procesin e krijimit. S’duhet harruar se, pjesa më e madhe e asaj që shkruhet në botë, harrohet. Ky është një shërim i natyrshëm i herëpashershëm, që e ka përbrenda kjo sferë dhe që e prodhon sa herë asaj i duhet. Mund të duket e pakuptueshme, por ndoshta na lejohet ne shkrimtarëve që në bisedat tona të kemi disa herë një pakuptueshmëri të tillë.
Jeni admiruar shumë, por edhe kritikuar shumë, po kaq shumë keni qene temë diskutimesh mbi raportin tuaj me regjimin, ndoshta dhe për njohjen tuaj ndërkombëtare. Si u përgjigjesh shumë njerëzve që u pëlqejnë që të shohin portretin tuaj me shumë ngjyra?
-Është e kuptueshme për mua, kështu ka qenë gjithnjë për shkrimtarët, siç janë ndonjëherë gjërat tepër të kuptueshme që ngjajnë të pakapshme. Shkrimtari shpesh qëllon që lodhet nga e pavërteta e gjërave dhe kjo lodhje ndonjëherë e rrezikshme, kur ai mësohet me të dhe nis oqeani i madh i shpërfilljes, që është jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Si e shihni politikën tani në Shqipëri?
-Nuk kam ndonjë vizion të veçantë për të
A e ndryshoi komunizmi pikëpamjen tuaj për botën?
-Nuk besoj.
*Këto pjesë nga intervista u mor nga ExLibris print. / KultPlus.com