9 Dhjetor, 2019 - 5:14 pm
Romani “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka sapo qarkulloi në gjuhën persiane nga shtëpia botuese iraniane Degarandishan Publishing House, përkthyer nga Sadaf Abedian, studiuese në Qendrën e Edukimit dhe Përkthimit, në Danimarkë.
“Rrëfenjë me ndërkombëtarë” më parë është përkthyer edhe në Francë, Norvegji e Itali, shkruan KultPlus.
Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve’90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale. Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjent, apo në një humbëtirë ku vendasit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?!
Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri.
Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike.
Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”. Kurse për disa të tjerë, oraret e mërzitshme të ditës nëpër zyra mjaftojnë për hartimin e qarkoreve me kërkesa të rrepta për temperaturën e letrave mbi fotokopjuese….!!
“Rrëfenjat me ndërkombëtarë” qarkulloi në shqip nga Botimet Toena më 2009. / KultPlus.com