19 Shtator, 2017 - 1:10 pm
Dritëroi deri atëherë kishte botuar tre libra, por “Zhurma e erërave të dikurshme” duket se nuk do të botohej pa zhurmë. “Gabime ideologjike”, “errësim i realitetit”… kështu shprehej një nga gazetarët e “Zërit të Popullit”. Sipas tij, gjëra të tilla ishin të papranueshme. Përveçse u censurua, vëllimi me tregime i Dritëro Agollit do të kritikohej rëndë, madje do të bëhej subjekt kritikash ndër shkollat e mesme.
Për të “luftuar” gabimet ideologjike që ky libër përmbante, edhe Sadijes, bashkëshortes së Dritëroit, atëherë mësuese letërsie, iu kërkua që të kritikonte librin e të shoqit.
Për më tepër tregon vetë Dritëroi në parathënien e botimit të vitit 2006 të librit “Zhurma e erërave të dikurshme”:
Çdo libër ka një histori që lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin “Zhurma e erërave të dikurshme”. Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ’60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën “Ylli”, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë, modern dhe njeri me shije të hollë artistike. Libri u botua më 1964, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë, Safo Markua ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin.
Nga botimi i librit unë mora pesë kopje. Ishte një rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ-së të Partisë së Punës. Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi edhe shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Në atë takim ishim përgjegjësi i shtypit, drejtori i Drejtorisë së Propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari, apo të ndalohej.
Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrësit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj.
Pasi më bënë disa vërejtje të tjera dhe disa këshillime, se si gazetar i “Zërit të Popullit”, ku punoja, duhej të isha shembull për pasqyrimin e realitetit dhe të mos bëja gabime ideologjike, vendosën që libri të shkonte përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjera, të cilat të kishin në qendër “heronj pozitivë”.
Sipas këtij këshillimi, unë hoqa disa tregime si, fjala vjen, “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequra nga shtypshkronja mbetën në duar të dashamirësve. Me gjithë këtë ndryshim, “Zhurma e erërave të dikurshme” filloi të bënte zhurmë. Në shtyp, ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike.
Kritikat u shtuan pas Plenumit të 15-të të KQ-së të PPSH-së së vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Isamail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për mua, ai tha se Dritëro Agolli është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura.
Unë atëherë kisha botuar poemën “Devoll, Devoll”. Koha bënte të sajën. Librit tim me tregime i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi, iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë iu ngarkua mësuesve të letërsisë. Gruas sime, Sadijes, 23-vjeçare, në atë vit e martuar me mua, mësuese e letërsisë në shkollën “Partizani”, i ra shorti të kritikonte burrin e saj, me të cilin kishte tre muaj e martuar. Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m’u drejtua: “Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për librin…”.
Iu përgjigja: “Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!”. Sadija m’u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t’ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante “Zhurma e erërave të dikurshme”. Po kjo është një histori e gjatë, që këto shënime do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë, duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi “Zhurmën…”.
E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo! Dhe ç’të them akoma? Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë. Armët e shpikura vetëm mund t’ia ndalojnë pakëz udhëtimin, por ajo ecën, mjafton që shkrimtari të mos trembet as nga kritikët e sferave të larta zyrtare, as nga kritikët letrarë dritëshkurtër apo dritëgjatë. Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika, dyshon për vlerën e veprës së tij.
Çuditërisht unë nuk iu tremba aq kritikave të djeshme, po aq edhe kritikave të sotme. Edhe kur mendoj për të djeshmen, them me vete: e djeshmja vërtet nuk nxiton, por ngacmon të sotmen. Kjo është e djeshmja. Është një ditë që ka ikur dhe nuk mund ta kthesh si një fletë letre për ta redaktuar.
Fatkeqësisht, ka shkrimtarë që e redaktojnë ditën e shkuar të tyre dhe bëhen qesharakë. Unë gëzohem kur shoh një plak të qeshur dhe trishtohem kur takoj një plak qesharak. Mendoj se libri im “Zhurma” bën pjesë te pleqtë e qeshur dhe jo te pleqtë qesharakë. / KultPlus.com