28 Gusht, 2018 - 1:30 pm
Një intervistë e kërkuar nga një revistë letrare greke në vitin 2002, ku tregon se ato që na bashkojnë me fqinjët tanë janë më të shumta sesa ato çfarë do të mund të na ndanin.
Një rrëfim i çlirët nga Dritëro Agolli, mbi fëmijërinë e tij, mbi jetën e veprat letrare, mbi poetët e miqtë e tij nga Greqia e Lashtë dhe gjithherë magjepsëse.
Dritëro Agolli
Fshati Menkulas, ku linda dhe kalova fëmijërinë dhe rininë e hershme, është në breg të lumit Devoll dhe shtrihet gjysmë ore më këmbë larg kufirit me Greqinë. Ne, djemtë e fshatit, shkonim për t’i kullotur lopët apo dhentë në kodrat e fshatit, përtej lumit, të cilat kishin dhe kanë një emër sllav: Poçrova.
Në këto kodra, që gjysmat ishin të fshatit tonë dhe gjysmat, matanë kufirit, lopët, lopët që kullosnim ne djemtë e Menkulasit, përziheshin me lopët që kullosnin djemtë e fshatrave greke. Dhe ne bashkoheshim: lopë dhe djem. Duke u bashkuar ua dinim emrin njëri-tjetrin: Pavllos, Markos, Spiros, Andonis, Kristos, Juniz e me radhë. Nuk rriheshim dhe nuk vriteshim. As nuk e dinim se çfarë ishim. Dinim se ishim njerëz që flisnim gjuhë të ndryshme. Ata thoshin, kur na takonin: -Jasu! Ne thoshim: -Njatjeta! Pastaj erdhën kohë të vështira. Ne nuk i nxirrnim lopët për t’i kullotur në Poçrava, në kufi. As djemtë e fshatrave grekë nuk i nxirrnin. Kishte filluar Lufta Italo-Greke. Në Poçrovë vërshëllenin dhe pëlcisnin gjylat e topave italianë dhe grekë. Atëherë në shtëpinë tonë erdhi një miku i tim eti, që e quanin Thomas, dhe që im atë i thoshte, Qirio Thomas. Ky Qirio Thomas kishte “ardhur” edhe më parë tek ne në shtëpi, se e kishim mik. Ai i binte violinës dhe im atë e merrte edhe në dasma dhe në festa. Por ishte luftë. Erdhi me të birin e tij Pavlin, që ishte nëntë vjeç, sa ç’isha edhe unë. Qirio Thomas i tha tim eti, me djalin Pavllon e vogël për dore: -Qirio Riza (Riza e kishte emrin im atë, Qirio Riza, mbaje në shtëpi Pavllon, se unë do të shkoj në luftë dhe nuk dihet se si do të ecë puna ime! -Lëre, Qirio Thomas! Pavllon do ta kemi si djalin tim! – tha im atë.
Dhe Pavllua qëndroi në shtëpinë tonë disa vjet. Flinim bashkë në një dhomë, hanim bashkë në një sofër dhe qeshnim e qanim bashkë. Ai mësoi shqip prej meje dhe unë mësova greqisht prej tij. E tillë ka qenë jeta e ballkanasve, bashkë i kanë ndarë gëzimet dhe bashkë hidhërimet. Kur në njërën shtëpi është bërë dasmë dhe i kanë rënë gërnetës, edhe në shtëpinë tjetër është dëgjuar kjo gërnetë. Kur është djegur njëra shtëpi, edhe tjetra është djegur. Kështu, filloi Lufta e Dytë Botërore. Poçrova u mbush me luftëtarë antifashistë shqiptarë dhe grekë. Unë e Pavllua më 1943 e 1944 ishim 12 e 13-vjeçarë dhe ishim korrierë partizanë! Në Operacionin e Qershorit të 1944 të nazistëve fshati im Menkulasi u dogj dhe ne shkuam matanë Poçrovës, në Greqi, atje në fshatin Revan, ku kishte shumë shqiptarë.
Më vonë, kur filluan sulmin gjermanët nga ajo anë, grekrit erdhën nga fshatrat tona. Vërtet, bashkë i kemi mbjellë pemët dhe bashkë i kemi ruajtur nga thatësira dhe ngrica. Edhe poezinë bashkë e kemi bërë. Naim Frashëri kur mësonte në shkollën Zosimea të Janinës pat shkruar në gjuhën greke poemën e famshme “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, ku dëshiron që grekë e shqiptarë të jetojnë si vëllezër. Po edhe gjysmë shekulli më vonë pas Naimit në Zosimea të Janinës, erdhi në Korçë një poet grek, si konsull, si nëpunës diplomatik. Por ky nëpunës, edhe vetë nuk e dinte se do të bëhej një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë dhe më 1963 do të merrte çmimin “Nobel”. As unë, as Pavllua më 1940, nuk e dinim që Seferis, si konsull i ambasadës greke në Korçë, më 1937 shkruante: …(Bëhet fjalë për një poezi të shkrimtarit grek George Seferis të shkruar në Korçë)
Mua fati më ka sjellë jo vetëm të lexoj edhe të përkthej shumë poetë e prozatorë grekë, por edhe të njoh disa prej tyre, madje t’i kem edhe miqë, si Samarakis Antonis, që i kam shkruar edhe parathënien e romanit të tij “Gabimi”, përkthyer në shqip. Kam njohur poeten e famshme, miken e vendit tonë Rita Bumi Paba bashkë me të shoqin e saj, Nikon. Por kam njohur edhe poetin dhe publicistin simpatik të Janinës, Llambros Mallamas. Mos themi pastaj që kam takuar edhe pritur artistin dhe kompozitorin e madh, Theodorakis. Kam njohur edhe poetin dhe skenaristin e filmave Asimogopoulas, që kishte një fytyrë si të gdhendur në gurë. Nuk mund ta harroj as piktorin e njohur grek, burrin e mençur Dhimitër Jolldashi, që duke më dhuruar një album të veprave të tij ka shkruar një autograf. Dhimitër Jolldashi ka ardhur në Tiranë edhe më 1980 edhe është shoqëruar nga Odhise Paskali. Edhe atëherë më të dhënë një libër të tij me autograf. Por mua më ka mbetur në mendje, ai Pavllua, shoku i fëmijërisë, djali i Qirio Thomait, mikut të tim eti, për të cilin kam shkruar një tregim që është botuar në greqi në librin tim. Tregimi mban emrin e librit. Madje edhe libri fillon me këtë tregim. Unë po jap vetëm hyrjen e këtij tregimi që është përkthyer jo vetëm në greqisht, por edhe në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera: ….. Ja, kështu janë punët edhe hallet tona, të mirat edhe të ligat bashkë.
(Tiranë, 11 qershor 2002. Për një revistë greke!)