25 Janar, 2021 - 11:09 am
Shkrimtari i madh Ismail Kadare, në prag të 85-vjetorit të lindjes ka mbajtur një takim me të rinjtë e klubit letrar të Kavajës.
Gjatë bisedës me ta, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, ai ju përgjigj pyetjeve mbi të gjitha veprat e tij letrare duke nisur nga “Pallati i Ëndrrave”.
Shkrimtari i njohur tha se “Letërsia e ka të vërtetën me vete dhe sinqeritetin po ashtu. Kur është letërsi e mirë them, ajo ka sinqeritetin në vetvete. Ju flisni për “Pallatin e ëndrrave”, që është shkruar në kulmin e diktaturës dhe duhet të ishe shumë i cekët të mos e kuptoje se kishte të bënte e regjimin që jetonim ne”, tha ai.
Duke folur për letërsinë e të shkruarin gjatë regjimit komunist, ai foli për thyerje të ligjeve të shenjta.
“Letërsia ka ligjet e veta, që janë të shenjta e që shpesh shkojnë kundër ligjeve të jetës dhe kundër autoritarizmit shtetëror. Realizmi Socialist, binte ndesh me ligjet e letërsisë dhe po t’i bindeshe mësimeve të partisë ishte të vije duart në kokë”, tha Kadare.
I pyetur nga të rinjtë për poezitë e tij dhe veçanërisht për poezinë ku i drejtohet Pushkinit, ai duke kujtuar vitet studentore rrëfeu ndihmën që kërkonte nga poeti rus.
”Ajo është një poezi që në mënyrë metaforike i jam drejtuar Pushkinit për ndihmë. Doja ndihmë që të ruaja idetë e mia nga ato që dëgjoja në leksione, doja ndihmë të shpëtoja nga parullat e propaganda”, tha ai.
Gjatë takimit me të rinjtë dhe drejtoren e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli, Kadare si rrallëherë foli edhe për lumturinë. ”Lumturia është e pagjendshme, e paarritshme. Ndonjëherë jemi të lumtur dhe e kuptojmë më vonë, sidomos kur shkruajmë letërsi”.
Kohët më të vështira për çiftin Ismail e Helena Kadare, kanë qenë ato të botimeve të “Dimrit te madh”, “Pashallarëve të kuq” dhe “Pallatit të ëndrrave”.
Sipas Helena Kadaresë sidomos pas Pallatit të Ëndrrave ata kaluan një torturë.
Në këtë 85-vjetor një lajm i mirë vjen nga Franca ku një produksion ka blerë të drejtat e librit me kujtime të Helenës, “Kohë e pamjaftueshme” për ta bërë film.
“Ju e dini që kam botuar një libër me kujtimet tona. Dhe na kanë kërkuar të drejtat për ta bërë film në Francë. Do jetë një film artistik. Po merren me gjetjen e aktorëve tani. Sigurisht ata e dinë si do e trajtojnë do zgjedhin vetë pjesët që duan”, tha Helena Kadare.
Takimi me të rinjtë u mbajt në Qerret, pranë shtëpisë ku prej muajsh çifti Kadare po kalon periudhën e pandemisë. /News24 / KultPlus.com