23 Mars, 2019 - 4:24 pm
Shkrimtarja angleze, Onjali Q. Raúf, ka fituar çmimin “Waterstones” për libra për fëmijë me romanin e saj debutues, të cilin e shkroi në periudhën e shërimit pas operacionit që ia shpëtoi jetën.
Raúf është themeluese e organizatës bamirëse “Making Herstory”, e cila lufton trafikimin dhe skllavërimin e grave. Pas operimit që iu bë, asaj iu tha se kishte vetëm edhe tre javë jetë. Ndërhyrje të tjera kirurgjike më të vona e më të mëdha ia shpëtuan jetën, por e detyruan Raúfin të kalonte tre muaj duke u shëruar me regjim shtrati, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Gjatë asaj kohe, gjithçka që ajo mund të mendonte ishin gratë që ajo kishte takuar gjatë punës në kampet e refugjatëve në Calais dhe Dunkirk. Një numër i madh i tyre ishin shtatzëna ose me dhimbje. Një grua siriane, Zainab, kishte lindur një djalë që e quajti Raehan.
“Papritmas ky titull, ‘The Boy at the Back of the Class’ u fut në kokën time”, thotë Raúf, fituesja e çmimit të themeluar më 2012 nga rrjeti anglez i shitjes së librave.
“Unë nuk mund të mos mendoj për Raehanin dhe sapo mjekët thanë se isha në rregull për t’u ulur përsëri, fillova të shkruaj. Libri Ishte shkruar për shtatë apo tetë javë”.
Romani tregon historinë e një refugjati nëntëvjeçar të quajtur Ahmet, i cili ka ikur nga lufta në Siri. Kur fëmijët në klasën e tij e kuptojnë se ai është i ndarë nga familja e tij, ata përgatisin një plan për ta ndihmuar. Sipas blerëses së romaneve të çmimit “Waterstones”, libri fitues është një lloj zhanri klasik i së ardhmes që tregon shumë mirë se çfarë tregimesh mund të arrihen.
“Rauf ka shoshitur atë që se çfarë do të thotë të jesh person i sinqertë dhe pozitiv në një histori që shkëlqen me dashamirësi, humor dhe kuriozitet”, ka thënë Martin. “Personazhet e saj dalin nga libri me një buzëqeshje të ngrohtë, të formuar plotësisht si model për jetën e përditshme, të gatshëm për t’u futur në një aventurë ambicioze që është edhe argëtuese dhe jashtëzakonisht e mahnitshme. Librat e fëmijëve kanë një sërë temash të vështira për t’ua përcjellë lexuesve të rinj, dhe Rauf e përqafon këtë me një qasje optimiste”.
Romani u shpall fitues i përgjithshëm i çmimit për librat e fëmijëve me vlerë prej 5 mijë sterlina (5.835 euro) përpara fituesve të kategorive, si libri i Tomi Adeyemi, “The Children of Blood nad Bone”, që ka fituar çmimin për roman për të rritur dhe “The Girls” i Lauren Ace and Jenny Løvlie, që fitoi çmimin për libër të ilustruar.
Raúf ia kushton librin djaloshit Raehan,. “Foshnja e Calais dhe miliona fëmijë refugjatë anembanë botës kanë nevojë për një shtëpi të sigurt dhe të dashur”. Por ajo ka kohë që nuk e ka parë atë.
“Për fat të keq kam humbur kontaktet me ata ditën që takova Raehanin”, ka thënë ajo. “Kur ishim duke e lënë ne pamë policinë që po vinte për të prishur kampin. Kam pasur numrin e telefonit të Zainab dhe u përpoqa ta telefonoja në një tjetër ditë, por nuk ia dola, prandaj nuk e di se ku janë, apo nëse janë mirë. Ai tani është dy vjeç e gjysmë”.
Rauf tani po shkruan një tjetër roman, “The Star Out My Window”, që trajton temën e dhunës në familje nëpërmjet një vajze që shkon në kërkim të një ylli “për shkaqe të trishtuara”. Por fokusi i saj kryesor është bamirësia dhe kampet e refugjatëve, ku ajo vazhdon të punojë në kohën e saj të lirë. “Është shumë sureale, sepse jeta ime e vërtetë kundrejt jetës sime të librit janë botë të ndryshme”, ka thënë ajo. “Po shoh njerëz që janë të shqetësuar, të trafikuar, po përpiqem të merrem me gjëra të rasteve emergjente dhe pastaj në këtë botë tjetër ke shampanjë e gjëra të tjera. Fitimi i këtij çmimi është njëfarë qershie me të vërtetë masive mbi një tortë mahnitëse”, ka thënë autorja./koha.net/ KultPus.com