20 Tetor, 2017 - 12:15 pm
Nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë hulumtuar lidhur me punimet e tyre, 40 % kanë prezencë të plagjiaturës. Të njëjtit, si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda Universitetit të Prishtinës.
Këtë hulumtim e ka siguruar Radio Kosova, i cili është bërë nga Instituti Edguard, por që nuk është publikuar ende.
Punimet e disa prej profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë plagjiaturë. Sipas të dhënave që ka siguruar Radio Kosova, punimet të cilat janë rishikuar kanë qenë punime të doktoratave të profesorëve, por edhe publikime të tyre shkencore.
Rinor Qehaja nga Instituti Edguar, i cili është marrë më këtë hulumtim, tha se përkundër që janë cilësuar si të pranueshme nga universiteti gjatë procesit të avancimit të tyre, të njëjtat janë dëshmuar që kanë prezencë të plagjiaturës.
“Të gjeturat tregojnë se nga 70 (shtatëdhjetë) profesorë të cilët janë investiguar dëshmojnë se te numër i madh i tyre ka prezencë të plagjiaturës deri në 40 %. Kjo e bën shqetësues faktin pasi të njëjtit si rezultat i punimeve thirren në titujt e tyre akademikë, por edhe në pozitat e tyre akademike brenda UP-së”, tha Qehaja.
Qehaja sqaron se prezenca e plagjiaturës ka qenë në disa nivele, ku përfshihen temat mes kolegëve brenda vetë fakultetit, mes profesorëve dhe studentëve, e të tjera.
“Punimet e studentit janë përfshirë dhe nuk janë cituar në publikim dhe prezenca në përqindje më të madhe është ajo që nuk ka referenca të mirëfillta se kur është marrë pjesë, paragrafë të caktuar të pa referuara nga punimet ndërkombëtare. Prezenca më e madhe e plagjiaturës është nga tema dhe punime ndërkombëtare për të vazhduar me plagjiaturën që është bërë në bashkëpunim mes kolegëve dhe studentëve”, tha ai.
Ndërsa, Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, tha për Radio Kosovën se Universiteti i Prishtinës ka dizajnuar një sistem vlerësimi të kredibilitetit të revistave shkencore, ku botohen punimet e stafit akademik. Ai tha se kontrollin e cilësisë dhe të plagjiaturës në publikimet shkencore të profesorëve, universiteti ua delegon recensentëve, të cilët e kontrollojnë punimin dhe e propozojnë për publikim.
“Unë nuk mendoj që sa u përket punimeve shkencore, Universiteti i Prishtinës ka problem me plagjiaturën. Këto janë punime në gjuhën angleze të publikuara në revista kredibile dhe i nënshtrohen syrit kritik të tërë komunitetit shkencor të fushës përkatëse dhe nuk mendoj që këtu Universiteti i Prishtinës ka ndonjë problem me plagjiaturën”, tha Berisha.
Nga ana tjetër puna qëndron ndryshe me botimet e doracakëve dhe teksteve interne për përdorim në gjuhën shqipe. Berisha, tha se mbetet çështja e cilësisë në përgjithësi e teksteve të tilla dhe veçanërisht problemi për plagjiaturën.
“Sipas rregullores për botime të teksteve universitare, UP ka një sistem kontrolli e balance që duhet të sigurojë kualitetin e teksteve të tilla, që të mos ketë plagjiaturë në brendi. Ky sistem fillon nga recensentët, me këshillin e fakultetit, redaktorët dhe në fund me këshillin e botimit. Kjo çështje e plagjiaturës do të adresohej mirë po të kishim në nivel kombëtar një sistem, i cili detekton pjesë të ndryshme të teksteve që përputhen ndërmjet botimeve të ndryshme. Është mirë që të jetë e rregulluar me ligj, ku për të gjitha temat që mbrohen nëpër universitete të kalojnë nëpër një sistem softuer dhe pastaj mblidhet fondi i teksteve në atë sistem, detektohen dhe nxirret përqindja se sa përputhen me një tekst tjetër”, tha ai.
Në rast se Senati i Universitetit ka të dhëna dhe fakte për plagjiaturë në punimet e profesorëve, atëherë ai ka një këshill të etikës, i cili në bazë të rregullores përcakton procedurat për masat konkrete. / KultPlus.com