28 Maj, 2020 - 7:00 pm
Fjalimi i Elie Wiessel i mbajtur në vitin 1999 në Washington DC.
Pesëdhjetë e katër vjet më parë, një djalë i ri hebre nga një qytet i vogël diku në Karpate, u zgjua jo shumë larg vendlindjes së dashur të Gëtes, Wiemar, në një vend të mbuluar tashmë nga turpi i përjetshëm, famëkeqi Buchenwald. Më në fund ishte i lirë, por zemra nuk i gëzonte dhe mendonte se nuk do ta njihte dot më kurrë gëzimin.
I liruar një ditë më parë nga ushtarët amerikanë, ai kujtonte zemërimin e tyre për shkak të asaj që panë në atë vend. Edhe pse nuk e kuptonte gjuhën e tyre, sytë e atyre ushtarëve i thanë atë çfarë donte të dinte: që edhe ata do të kujtonin.
Tani që qëndroj para jush jam plot mirënjohje ndaj popullit amerikan. Jemi në prag të një mijëvjeçari të ri. Çfarë trashëgimie do të na lërë ky shekull që po lëmë pas? Si do të kujtohet në mijëvjeçarin e ri? Sigurisht që do të gjykohet, madje ashpër.
Dështimet e mëdha kanë hedhur një hije të madhe mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, dhjetëra luftëra civile, atentatet ndaj udhëheqësve të botës, gjakderdhjet në Kamboxhia, Nigeri, Indi, Pakistan, Ruanda, Kosovë e Sarajevë; Hiroshima dhe sigurisht Holokausti. Kaq shumë dhunë! Kaq shumë indiferencë!
…
Është vallë e mundur ta shohësh indiferencën si një virtyt? Mos vallë është e domosdoshme ta praktikosh thjesht për të jetuar normalisht, ndërsa bota përreth përjeton trazira? Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese. Është shumë më e lehtë të shmangësh ashpërsi të tilla. Mbi të gjitha është e lodhshme të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e dikujt tjetër….
Indiferenca e zvogëlon kaq shumë personin tjetër. Pas portave të errëta të Auschwitz-it, më i tmerrshmi dhe tragjiku ndër kampet naziste, ishin ata që i quanin “muselmanner”; të mbështjellë me ca batanije të grisura, shtriheshin në tokë me sytë drejtuar nga qielli, duke mos e ditur më se kush dhe ku ishin. Nuk ndjenin më dhimbje, uri apo etje; nuk kishin më frikë nga asgjë; ishin të vdekur dhe nuk e dinin akoma.
Të shtyrë nga tradita, disa prej nesh ndjenë se të braktisesh nga njerëzimi nuk është fundi i botës; mendonim se të braktisesh nga Zoti është më keq sesa të ndëshkohesh prej tij. Më mirë një Zot i padrejtë sesa një Zot indiferent. Për ne, të injoroheshim nga Zoti ishte ndëshkim më i ashpër sesa të ishim viktima të zemërimit të tij.
Mund të jetojmë larg Zotit, por jo jashtë tij. Zoti është kudo. Edhe në vuajtje? Po, edhe në vuajtje. Në një farë mënyre, të jesh indiferent ndaj asaj vuajtje është çfarë e bën njeriun jonjerëzor.
Indiferenca është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja.
Zemërimi, me raste, mund të jetë kreativ. Dikush shkruan një poemë të mrekullueshme, një simfoni, ose bën diçka speciale për njerëzimin sepse është i zemëruar nga padrejtësitë. Indiferenca nuk është kurrë e tillë. Edhe urrejtja, ndonjëherë, mund të shtyjë në përgjigje. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillimi, është fundi. Dhe si e tillë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime agresorit, kurrë viktimës, dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar…
Indiferenca nuk është thjeshtë një mëkat, është ndëshkim. Dhe ky është një nga mësimet më të rëndësishme të nxjerra nga shekulli që po lëmë pas. Në vendin nga vij, shoqëria përbëhej nga tri kategori njerëzish: vrasësit, viktimat dhe indiferentët. Gjatë kohërave më të zymta, në kampet e vdekjes, ne ndiheshim të harruar, të braktisur.
Ngushëllimi ynë i vetëm ishte se ato kampe ruheshin mirë, se ishin sekret, se udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin çfarë ndodhte pas atyre gardheve. Nëse do ta dinin, – mendonim, – patjetër që do të lëviznin qiell e tokë për të ndërhyrë. Por më vonë mësuam se bota e dinte…
60 vjet më parë, njëmijë hebrenj që ishin në anije në St. Louis u kthyen mbrapsht. Ajo anije, që ishte në brigjet amerikane, u kthye. Nuk e kuptoj. Presidenti Ruzvelt ishte një njeri i mirë, me zemër të madhe. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë për ndihmë. Çarë ndodhi? Pse kjo indiferencë?…
Ndërkohë, në këtë shekull traumatik ka pasur edhe ngjarje të mira: disfata e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën e paraardhësve…
Shpesh kujtoj atë djalin e vogël nga Karpatet, i cili e ka shoqëruar burrin që jam sot gjatë këtyre viteve të trazuara. Bashkë ne ecim drejt mijëvjeçarit të ri, të mbushur me frikë të thellë dhe shpresa të mëdha. Filozofia.al / KultPlus.com