5 Shkurt, 2019 - 3:30 pm
Një vlerësim i shkurtër rreth veprës artistike, romanit “Rrota e Ujit” e Resmije Kryeziut
Shkruan: Naile Demiri
Autorja, që në faqen e parë të romanit ka cituar :“Ne jemi rritur në këtë qoshe të zisë duke rrotulluar rrotën e ujit me një rrëke lotësh “ të Jalal al din Rumi, që sipas simbolikës bashkëkohore dhe subjektit të veprës në fjalë do thotë se autorja është pjesë e jetës dhe përjetimeve e karaktereve që janë personazhe në këtë vepër artistike. Që në fillim duket se subjekti i romanit është një përjetim të cilin e ka përjetuar autorja dhe nga aty kanë mbetur përjetime të pashlyera në jetën e autores. Pra, romani është një tregim ngjarjesh nëpër të cilat ka kaluar vetë autorja dhe si e tillë, më së miri e ka pasqyruar jetën e njerëzve, e karakteristikë është se, autorja ka pasqyruar vetëm atëherë kur ngjarjet janë zhveshur nga të gjitha ndikimet subjektive dhe kanë mbetur të pastra, pikërisht ashtu siç ka ndodhur. Këtu narratori i gjithëdijshëm, në vetën e parë e herë në të tretën, rrëfimin burimor e të parë të ndodhisë, të ngjarjes, e bën me dialog ose edhe me monolog. Personazhet që flasin me veten, me gjësendet, me kafshët etj, janë jo vetëm imagjinatë, por edhe një aksident shpirtëror që ka përjetuar personazhi duke vëzhguar veten me shpirt e trup të nakatosur. Me një gjurmim shkencor empirik, autorja ngadalë i është afruar ngjarjes e personazheve, duke pasqyruar atë që vërtetë është art i shkruar për një realitet të vërtetë.
Romani “Rrota e Ujit” (me 498 faqe), plotëson të gjitha variantet e përkufizimit të një romani dhe përmbush atë që ka munguar në letërsinë shqipe deri më sot. “Çdo gjë që ka të bëjë me një kohë e cila Detës (personazhi kryesor i romanit), i kujtohej si vegim, herë i dashur, herë i pikëlluar, lidhet më Gjakovën, njerëzit e saj, rrugët drejt Çabratit, Mëhallën e Hadumit , Çarshinë e Madhe, teqetë, tyrbet dhe urat, në tri anët e qytetit, rreth të cilave, si erërat nga jugu, veriu, lindja e perëndimi mbështjellen nga legjendat. Secila e ndërtuar në kohë të ndryshme, secila e ndërtuar në legjendën e vet, por të gjitha të mbarsura me dhembje, rrallë herë me gëzim, jetojnë ndër shekuj nën hijen e Majës së Shenjtë të Pashtrikut. Të gjitha bashkë, e secila veç e veç, lanë gjurmë të thella në jetën e Detës”, ka cituar autorja në romani “Rrota e Ujit”.
Kjo vepër është njëra nga veprat e mëdha në Letërsinë Shqipe, jo vetëm për nga vëllimi, por është e madhe për nga pasqyrimi i ngjarjeve më të mëdha që u kanë ndodhur shqiptarëve, e jo vetëm shqiptarëve, por gjysmës së njerëzimit të botës. Në tërë shtjellimin e veprës marrin pjesë dhe ngërthehen diku më tepër se shtatëdhjetë personazhe e karaktere të ndryshme që përmbajnë koloritin e pasqyrimit e jetës shoqërore tipike gjakovare në periudhën kohore të Luftës së Dytë Botërore edhe atë prej bombardimit të Pejës, në momentin kur gjermanët po tërhiqeshin, e deri te aneksimi i plotë i Dardanisë, i ashtuquajturi “Procesi Prizrenit”, ku edhe përfaqësuesi i Shqipërisë amë, deklarohet se ”është fat i mirë që Dardania po i bashkëngjitet Serbisë Federale” dhe së paku më nuk do kemi barrë as mendore e as praktike për mjerimin dhe varfërinë e këtyre vëllezërve tanë që na kanë këputur shpirtin që nga viti 1912, kur kjo pjesë e atdheut mbeti e pushtuar. “Me paternalizëm në tradhti akoma më thellë”, kursivi im.
Personazhet janë të drejtpërdrejtë, karaktere konkrete, me tipare të përgjithshme të heroikes që përfundojnë në tragjedi, por, ka edhe të tillë, që lozin rolin e xhelatit, personazhe negative, që zakonisht autorja i përmend me përemra si: ata të Shtëpisë së Madhe, këta të tepës, të rrumbullakëtit etj., madje edhe si personazhe kolektive. Personazhet individualë, ata pozitivë, janë njerëz konkret me tipare krejt njerëzore që i përkushtohen të jetuarit e jetës, njerëz të pastër fisnikë e bujarë, njerëz që nuk e shesin atdheun. Përkundër shëmtimeve të trupit që i bëhet nga armiku. “Bukurinë e shpirtit nuk e përlyen trupi i shëmtuar, por përkundrazi, bukuria e shpirtit, atë trup e zbukuron…” po aty.f. 444. Pastaj, janë njerëzit që punojnë, e dëshirojnë çlirimin e punës, nga blegtoria, bujqësia, zejtaria, tregtia e deri te shkollimi i lartë, por gjithnjë fisnikë e bujarë. Dallohen prindërit e Detës dhe farefisi i saj në tërësi, me karakteristika, cilësi e tipare të personalitetit më të njerëzishme, pastaj, Baca Xajë, Ahmet Delija, Fetah Hushi , Meleci, Hata, Meti, Ija, nëna e Metit, Isuf berberi, Bilall telalli, e shumë e shumë personazhe episodike, të cilat autorja i skalit dhe u jep mundësinë e shprehjes së tyre.
Ambienti ku ndodhë dhe zhvillohet ngjarja është jashtëzakonisht kompleks. Aty shfaqen një mori procesesh shoqërore shumë kundërthënëse, procese me antagonizma të papajtuara, që bartin krizën më të madhe të shoqërisë që nga historia e saj. Në një ambient shoqëror ku bëhet kacafytja e njerëzores me injorancën, kalimi i shoqërisë nga një sistem shoqëror njerëzor e demokratik, në një sistem diktatorial e antinjerëzor.
Subjekti i veprës është konflikti shoqëror që nga ardhja e komunistëve në pushtet, nga viti 1945. Shqipëria pushtohet nga komunistët jugosllavë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bashkë më të pushtohet edhe Dardania. Në Gjakovë, me të vendosur i ashtuquajturi Pushteti Popullor, qytetarëve, veçmas atyre të shkolluarave, u zbatohet represioni, dhuna, tortura deri në çmendurinë e tyre. Në pushtet tani janë komunistë, të cilët ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve e bëjnë përmes shqiptarëve të shitur, shqiptarëve kolaboracionist. Gjakova, dikur qendër tregtare me renome, tani shndërrohet në një kasaba, që me vështirësi sigurohet kafshata e bukës. Gjakova, dikur qendër intelektuale, tani udhëhiqet nga njerëz mediokër, njerëz të paditur. Shega, një nga vajzat më patriote e Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë”, e përgatitur për mësuese, shndërrohet në “Hatanë e Urës” të cilën një ditë vërshimi i ujit e bartë dhe e humb pa shenja, ose Muhamet Qazim Luta, një mësues, shndërrohet në një “mulla Maliq, në një sheh që tërë fëmijët e qytetit talleshin me të. Edhe më keq, Meti vdekjen e gjen në zjarr, te furra e Feta Nushit heret në një mëngjes dhe nuk do të ketë varr për të, ngase i janë djegur edhe eshtrat, ka mbetur vetëm pak hi. Prof. Resmije Kryeziu në faqen 414 shkruan: “Përdhosja që i bëhej një familjeje të ndershme ishte gjëja e parë që atë ditë të kryqëzimit e lëndoi thellë. Ishte e vërteta se i ashtuquajturi Pushteti Popullor, fatin e popullit shqiptar ua kishte lënë në duar UDB-së, ku, posaçërisht, ishin në shënjestër të gjithë ata që nuk e pranonin ripushtimin komunist serb. Pushteti ushtarak e kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që nga viti ’45 dhe kurrë nuk ishte ditur se kur do përfundonte. UDB-ja përmes torturave donte t’i detyronte shqiptarët që t’i shesin për “një copë bukë” pasuritë e veta dhe të largoheshin nga vendlindja e tyre. Për UDB-në më të rrezikshëm ishin shqiptarët e shkolluar nga mësuesit që i kishte dërguar në Kosovë, Ernest Koliqi, në kohën kur Kosova ishte pa kufi me Shqipërinë”.
Autorja në këtë vepër brilante letrare ka vënë në pah edhe zakonet prapanike të shqiptarëve si kolektivitetin, zakonet prapanike të “fuqizuara” si kode të mirësjelljes që kanë kushtuar… “ Kur Meti në besim i kishte kërkuar disa këshilla nga Baba Shejh dhe i ishte “rrëfyer”për ato që i kishte përjetuar nga UDB-ja, Baba Shejh i kishte thënë : “Ashtë në të mirën tënde, e të zotit që të jesh bashkëpunues. Meti, këtë përgjigje nuk e kishte pritur” po aty.f. 447. Meti po ashtu edhe sjelljet e babait ndaj nënës së tij – Ijës i kishte gjykuar, etj.
Romani “Rrota e Ujit” e prof. Resmije Kryeziut, mund të krahasohet sot me romanet më të mira që ka Letërsia Shqipe. Këtë tematikë në prozë e kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë. Ismail Kadare në romanin ”Darka e Gabuar”, i cili ka vënë në pah se si komunistët kanë vendosur pushtetin e tyre dhe kanë torturuar njerëzit e ndershëm dhe njerëzit e shkolluar. Me një fjalë, tema të ngjashme kanë pasqyruar edhe shkrimtarët tjerë.
Po ashtu, shpirti aksidentalisht i nakatosur në këtë roman i jep mundësi e kurajë moralit të luhatur, të shpirtit të pastër njerëzor të këndellet dhe të kërkojë lirinë e tij. Kjo vepër letrare, mund të themi se është bërë edhe dramë. Shumë shpejt mund të pushtojë edhe artin filmik. Qëllimi i recensionit është të vihen në dijeni lexuesit tanë se Letërsia Shqipe është pasuruar me një vepër letrare origjinale e të ekuilibruar dhe ia vlen të vendoset në vitrinat e bibliotekës së secilit prej nesh.
Romani “Rrota e Ujit” e shkrimtares Resmije Kryeziut, gjatë muajit mars 2019, do të promovohet edhe ne Kolegjin AAB, ne Prishtine. /KultPlus.com