9 Shkurt, 2018 - 5:45 pm
Dy njerëz të njohur për idealin e tyre, arritën që të bënin krenarë shqiptarët me një çmim që është jo pak i lakmuar në fushën e paqes dhe stabilitetit mes popujve.
Në vitin 1991, Adem Demaçi do të merrte çmimin Sakharov për Paqe.
Çmimi që jepet nga Parlamenti Evropian i ndahet vit për vit individëve apo grupeve që punojnë për të drejtat e njeriut.
Demaçi do ta merrte çmimin në vitin 1991, si një figurë e cila punoi një pjesë të madhe të jetës për të drejtat e njeriut, duke i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në kohë e regjime të ndryshme. Në vitin 1996 ai do të angazhohej në një prej partive politike në Kosovë, ndërsa në periudhën 1998-1999 ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së.
Kur e pranoi çmimin, Demaçi tha se “liria e fjalës është i pari hap drejt demokracisë. Pa liri të fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk mund të ketë një të vërtetë, dhe pa të vërtetën progresi është i pamundur”.
Të njëjtin çmim në vitin 1998 e morri Ibrahim Rugova.
Parlamenti Evropian e laureoi Rugovën me këtë çmim, si njeri që u përkushtua për principet e rezistencës paqësore ndaj dhunës. Ai mbeti gjithmonë paqësor krahas regjimit serb, e u quajt Gandi i Ballkanit pasi gjithmonë kërkoi dialog me Serbinë në kohën kur ajo dëshironte gjenocid në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në vitin 1992, ai u zgjodh president i një republike që njihej vetëm nga Shqipëria. Çmimin Sakharov për Rugovën përfaqësonte një njohje të sakrificës dhe betejave të shqiptarëve ndër vite.
Edhe Rugova por edhe Demaçi e pranuan çmimin personalisht para të pranishmëve në sallën e Parlamentit Evropian.
Ndër vite çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit e kanë marrë personalitete e grupe të ndryshme. Në vitin 2012-të çmimin e morri regjisori iranian Jafar Panahi, ndërsa në vitin 2013-të këtë çmim e morri Malala Yousafzai. / KultPlus.com