Rushit Ramabajes i dorëzohet Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

15 Shkurt, 2018 - 2:19 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot i ka ndarë shkrimtarit Rushit Ramabajes, Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” ndërsa në këtë ceremoni ka ndarë edhe Çmimet Vjetore për Letërsi, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve tha se këto çmime ndahen për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe se kjo është një arsye që MKRS-së ta vlerësoj punën e laureatëve në këtë përvjetor të rëndësishëm.
“Këto çmime kanë një procedurë që e zhvillon MKRS-së, përcaktohen me një rregullore të veçantë. Juria që e kemi themeluar besoj që ka qenë një juri profesionale e cila ka dhënë një kontribut të çmuar duke pasur parasysh gjithë këtë krijimtari që ka pasur për ta analizuar. Besoj që është bërë një punë e mirë nga të gjithë ju dhe Ministria e Kulturës do të jetë në mbështetje tuajën edhe në të ardhmen”, tha ministri Gashi i cili shtoi se i inkurajon krijuesit që të punojnë edhe më tutje pasi që puna e tyre është një krenari dhe nder i veçantë.


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot i ka ndarë shkrimtarit Rushit Ramabajes, Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” ndërsa në këtë ceremoni ka ndarë edhe Çmimet Vjetore për Letërsi, shkruan KultPlus.

Rushit Ramabaja pasi që pranoi këtë çmim u shpreh falënderues duke thënë se ndihet i lumtur që përmes veprave të tyre kanë arritur që lexuesit sado pak t’ia përçojnë veprat e të mirës dhe humanes. Ai tutje tha se ndihet i nderuar që në dhjetëvjetorin e shtetësisë së Kosovës por e marrin këtë çmim nga shteti ynë dhe ministria e jonë e kulturës, duke uruar që në të ardhmen njeriu të bëhet më i mirë e shteti më i mbarë e më i fuqishëm.
“Çdo krijues i artit dhe rrjedhimisht çdo shkrimtar gjatë gjithë shekullit të vet krijues përpiqet që nga drita e shpirtit të vet të krijoj universin, do të thotë botën fiktive paralele. Pra shkrimtari mbetet një fëmijë e i pandreqshëm dhe po aq naiv, megjithatë me këtë naivitet që shpesh duke çmendurak, arrin të mbroj të bukurën dhe filozofiken, e cila jo rrallë bëhet profecia e së ardhmes”, u shpreh Ramabaja pasi që pranoi çmimin.

Kurse, Çmimi për prozë “Anton Pashku” i është ndarë shkrimtarit Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”, kurse Çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi u është ndarë shkrimtarëve: Ismail Syla për “Atdheu im i ngyrsur” dhe Ragip Sylës për veprën “Kam drojë për ty”. Çmimin “Vehbi Kikaj” për fëmijë dhe të rinj është ndarë për shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” respektivisht Avni Dehari “Flakadanë e Lirisë”.


Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” i është ndarë Arben Veselaj për studimin “Tema Kadareane”, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” i është ndarë Orjela Stefasanit për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet”.

Këto çmime janë ndarë me vendim të jurisë profesionale në përbërje të Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi. Anëtari i jurisë, Shkëlqim Millaku e falënderoi ministrin për besimin e dhënë për të qenë pjesë e punës së mbi 525 veprave për ndarjen e çmimeve. Ai shtoi se kanë hasur në një punë serioze dhe jashtëzakonisht me prurje të reja.
“Kemi pasur një konkurrencë serioze, kemi pasur një prurje serioze, të re dhe të gjithë atyre që nuk i kemi këtu u dëshirojmë që të vazhdojnë punën e tyre sepse me të vërtetë edhe ata kanë bërë një punë të madhe”, tha Millaku sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
/KultPlus.com

Të ngjajshme