29 Janar, 2020 - 11:04 am
Nga: Van Christo
Kur qeshë fëmijë, jetoja në Roxbury dhe kujtimet e të dielave në kishën e Shën Gjergjit, fillojnë në moshën 7-vjeçare. Nëna ime, Frosina, më kumtoi se do më merrte me vete në meshën e Pashkëve në mesnatë.
Kisha, asokohe, ndodhej në rrugën “Emerald”, në anën jugore të Bostonit. Kur pyeta se pse ime motër, Jolanda, nuk do të vinte me ne, mëma tha vetëm se ajo ishte, përnjëmend, e vogël. Kjo më bëri të ndihem i veçantë, pasi, asohere, besoja se qeshë me të vërtetë i rritur.
Pasi mëma më shtroi për të fjetur rreth orës gjashtë të asaj nate, në një karrige tek koka e shtratit ajo ndehu teshat më të mira; këmishë e kravatë të karfosura si s’ka më mirë, pantallonat e hekurosura teh, dhe këpucë të zeza lustrafine.
Kur u zgjova nga gjumi ime më kërkoi të vishesha, pasi për pak do niseshim për në kishë. Rrallëkush në lagjen tonë kishte makinë, kështu që na u desh të ecnim disa blloqe deri në rrugën “Tremont”, ku ishte stacioni i automobilave. Më kujtohet si sot dora e mëmës tek shtrëngon timen në nxitim e sipër përanash mejhanesh, derisa më në fund arritëm tek stacioni. Pas robtimit të rrugës deri në South End, më në fund, zbritëm pranë rrugës “Emerald ku ndodhej kisha e Shën Gjergjit asokohe, dhe ime më’ më tërhoqi përmes tre a katër blloqesh të tjera derisa arritëm dhe u futëm në ndërtesë nëpërmjet dy palë shkallësh të thikëpërpjeta.
Kur u futëm brenda, teksa mëma siguroi qirinjtë, nuk mund të mos pikasja se të gjithë qëndronin në këmbë, përjashto një radhë stolash të zbrazët në atë anë të kishës ku uleshin të moshuarit. Gjithashtu vrojta se të gjithë ishin pajisur me teshat më të mira. Pashë një prej moshatarëve të lagjes, Naqin, gjithashtu karfosur si për, siç e quanim ne, të dielë, dhe, more, mund të na e shihje në sy hijeshinë e asaj nate! Por shpejt u lodha nga të ndenjurit në këmbë.
***
Megjithëse nuk mund ta shihja mirë një mesalt ishte ulur në diçka që ngjante me një kuti katrore në të dy anët e altarit, ku Fan Noli këndonte meshën në shqip shoqëruar nga dy psalme, teksa ai hynte e dilte në një dhomë të brendshme duke tundur një enë metalike varur në tre zinxhirë prej nga duhmonte temjani erëmirë. Çfarë do të thotë kjo, thashë me vete. Pastaj, për habinë time të mirë, vrojta se një prej koristeve ishte “xhaxha” Llambi Misho, i cili ia “kthente” Fan Nolit me shumë shend.
Më kujtohet tek mendoja se Llambi këndonte me zë shumë më të lartë se koristi tjetër. Mesha dhe kori shpejt u bënë të mërzitshme dhe kthehesha në të dy anët duke kërkuar me sy ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë. Herë pas herë, mëma do më shkundte në sup për të më mbajtur të përqendruar në atë që ndodhte përballë meje. Fillova të ankohesha se isha i lodhur nga qëndrimi në të njëjtin vend, por ajo vetëm më shesh-sheshte. Pas një farë kohe gjindja filluan të ndiznin qirinj, gjë e cila më gjallëroi së tepërmi. Ime më’ u përkul për të ndezur qiriun tim, duke me treguar si ta mbaja.
Befasisht, një pjesë e dritave u fikën kështu që shkëlqimi i qirinjve sundoi duke krijuar një atmosferë sipërane, dhe më pas të gjitha dritat u shuan dhe kisha u zhyt në errësirë të plotë duke e lartësuar dridhëritjen e qirinjve. E mbajta frymën për një çast dhe pastaj nduka pallton e sime mëje duke e pyetur se pse u fikën të gjitha dritat. “Pusho”, tha ajo “sepse Krishti është këtu”. Gjithë frikë hodha sytë përreth; në fillim nga kupa e ngrehinës, dhe më pas, ngadalë, gjithë tavanin, e në fund në të gjitha anët. Pas pak e nduka përsëri pallton e mëmës dhe pyeta në pëshpërimën e pëshpërimave “po ku është, nuk e shikoj dot?” /KultPlus.com