15 Janar, 2020 - 10:32 pm
Fjalitë e Alan Watts janë në gjendje të trondisin konceptimin tonë për botën, jetën dhe marrëdhëniet, duke na futur në humnerën e frytshme të qenies sonë, shkruan KultPlus.com
“Një person që mendon vazhdimisht se nuk ka asgjë tjetër për të menduar, përveç mendimeve të veta, e humbet kështu kontaktin me realitetin dhe jeton në një botë iluzionesh”.
“Fjalët mund të shprehin vetëm një fragment të vogël të njohurive njerëzore, sepse ajo që mund të themi dhe mendojmë është gjithmonë shumë më pak se ajo që ndiejmë”.
“Qëllimi dhe kuptimi i vallëzimit është vallja. Ashtu si muzika, edhe vallëzimi zhvillohet në çdo moment të rrugës së vet. Një sonatë nuk është realizuar për të arritur akordin final, dhe nëse kuptimi i gjërave qëndron vetëm në fundin e tyre, kompozitorët do të shkruanin vetëm përfundime”.
“Pra, nëse vetëdija ime për të kaluarën dhe të ardhmen më bën më pak të vetëdijshëm për të tashmen, duhet të filloj të pyes nëse po jetoj vërtet në botën e vërtetë”.
“Shkëputje do të thotë të mos kesh keqardhje për të kaluarën ose frikë për të ardhmen, të lësh jetën të marrë rrugën e saj, pa ndërhyrë në lëvizjet dhe ndryshimet e saj, të mos përpiqesh të zgjasësh përhershmërinë e gjërave të këndshme ose të shpejtosh largimin e gjërave të pakëndshme. Ta bësh këtë do të thotë të lëvizësh në kohë me jetën, të jesh në harmoni të përsosur me muzikën e saj që ndryshon. E gjithë kjo quhet Iluminim”.
“Sa më shumë që një gjë priret të jetë e përhershme, aq më shumë tenton të jetë e pajetë”.
“Eshtë krejtësisht e padobishme të themi se nuk duhet të duam të jemi të sigurt. Ajo që duhet të zbulojmë është se nuk ka siguri, se kërkimi i saj është i dhimbshëm dhe që, kur mendojmë se e kemi gjetur, nuk na pëlqen. Gjëja e parë për të kuptuar është se nuk ka shpëtim ose siguri”.
“Çdo person është një shfaqje unike e të tërës, ashtu si çdo degë është një zgjatje e pemës.”
Fjalitë e Alan Watts janë një trashëgimi e çmuar nga e cila duhet të reflektohet dhe të rritet ndërgjegjësimi ynë. Ato na ftojnë të zgjerojmë spektrin tonë pamor dhe mendor për të shkuar më tej. Një koleksion pilulash mençurie për të mbajtur në mend rrugën e evolucionit personal. bota.al. /KultPlus.com