13 Prill, 2018 - 6:08 pm
Në vitet 1980 të gjithë lexonin “Lehtësia e Padurueshme e Qenies” dhe “Libri i të Qeshurës dhe Harresës”. Por, teksa ai po boton një roman për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh, çfarë emri gëzon sot shkrimtarit çek dhe a është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme për shkak të mënyrës si i portretizon gratë?
Në faqen e parë të romanit të ri të Milan Kunderës botuar në Francë vitin e kaluar, kur autori i saj ishte 85 vjeç, dikush po ecte nëpër një rrugicë pariziane, në qershor, pikërisht në kohën kur “dielli i mëngjesit po dilte nga retë”. Emri i tij është Alain. Nuk e dimë ç’moshë ka, apo si duket, por dimë se është intelektual, sepse teksa kalon përbri vajzave të reja me kërthizën jashtë, pamja e tyre e fut në një mori përsiatjesh që orvaten “të përshkruajnë dhe përcaktojnë veçantinë” e “orientimeve erotike” të ndryshme.
E kush tjetër mund ta kishte shkruar këtë pjesë, përveç Milan Kunderës? Dy prej figurave letrare kryesore të romaneve të tij janë të pranishme e të sakta dhe zënë faqen e parë dhe gjysmën e faqes së dytë: së pari, ato shprehin zotërimin e vështrimit mashkullor, i ngulitur mbi trupin e femrës, i “magjepsur” prej tij, duke ngritur një teori të përpunuar mbi bazën e asaj që sheh. Së dyti, majat e larta të kësaj teorie, e cila kridhet “në qendër të fuqisë joshëse femërore”, jo siç perceptohet nga “një burrë”, por nga “një epokë”, dëshmojnë për ambicien e një romancieri, i cili e ka bërë detyrë të jetës së tij që të farkëtojë lidhjet midis ndërgjegjes individuale, rrymave të historisë dhe politikës. Pas më shumë se një dhjetëvjeçari do të botohet në anglisht i pari roman i Milan Kunderës. Libri Panairi i Kotësisë, është përfaqësues tipik, në mos klasik i artit të Kunderës. Është libri i një plaku dhe ndërsa në të rrëzëllejnë shenja të një urtësie të arrirë e të gjallë, do të ishte e habitshme sikur në të të mos kishte diçka vjeshtake. Po t’u hedhim një vështrim kopertinave të pasme të romaneve të Kunderës të publikuara nga shtëpia botuese “Faber”, zbulojmë një mori citimesh prej autorëve të të njëjtit kalibër si: Ian McEwan, Selman Rushdi dhe Karlos Fuentes, shumica e të cilëve janë 30 vjet më të mëdhenj se ai, duke na kujtuar se emri i tij kishte arritur kulmin në vitet 1980, një dhjetëvjeçar kur gjithkush lexonte veprën Libri i së Qeshurës dhe Harresës dhe Lehtësia e Padurueshme e Qenies. Pse dukeshin këta libra aq të ‘pritur’, aq të domosdoshëm në atë kohë? Mos ndoshta, sepse përkonin më së miri me atmosferën e kohës, apo mos vallë mishërojnë diçka më të fuqishme dhe të qëndrueshme? Si do t’i vlerësojë historia? Na duket e drejtë të themi që emri i tij do të bazohet mbi tre romane madhështore të “moshës së mesme”: Libri i së Qeshurës dhe Harresës, Lehtësia e Padurueshme e Qenies dhe Pavdekësia. Para këtyre veprave kemi një triptik të romaneve serio-komike si: Shakaja, Jeta Është Diku Tjetër dhe Valsi i Lamtumirës, që të sjellin në mendje Çekosllovakinë e pasluftës dhe të epokës komuniste, pa përmendur pretendimin për origjinalitet që do të bëhej vula e Kunderës. Më pas, kemi treshen e novelave të shkurtra, të vogla: Ngadalësia, Identiteti dhe Padituria, të cilat vetëm me titullin nxjerrin në pah sa prirjet filozofike, aq edhe statusin e tyre si trillime letrare. Megjithatë, janë librat e moshës së mesme ata që zbuluan se Kundera gjeti jo vetëm zërin e veçantë letrar, por edhe formën e tij të përsosur. Ato janë romane të mërgimit, të shkruara në mërgim. Ai u largua nga Çekosllovakia në vitin 1975, pasi ishte hequr nga puna si mësimdhënës, pa të drejtën për të punuar dhe pasi pa që romanet e tij u ndaluan në bibliotekat publike. Ardhja e tij në Paris, përkoi me një ndryshim të rëndësishëm të drejtimit letrar. Vepra e tij Libri i të Qeshurës dhe Harresës shmang rrëfimin tradicional linear dhe në vend të saj shpaloset si pjesë historish të ndërlidhura, të mbajtura së bashku pjesërisht nga karaktere të përsëritura, por më fort nga tema, fjalë dhe motive të rimarra. Ishte sikur teksa peshonte spirancën e atdheut, Kundera çlironte edhe veten nga prangat e rregullave të zakonshëm. Romani kishte një rrjedhshmëri të pabesueshme, një lehtësi për t’u pasur zili në kalimet e saj nga të rrëfyerit e një tregimi, te të shkruarit e eseve dhe anasjelltas.
Pandashmëria e formës dhe përmbajtjes: kjo është një nga ato çka na mëson vepra e Kunderës. Teksa në romanin Ngadalësia, shkruan në lidhje me librin më të famshëm të autorit Pierre de Choderlos Laclos, Kundera vëren: “Forma epistolare e librit Lidhje të Rrezikshme, nuk është thjesht një procedurë teknike që mund të zëvendësohet lehtë nga një tjetër. Forma është e rrjedhshme në vetvete dhe kjo na tregon se, çfarëdo që kanë pësuar, personazhet e kanë përjetuar për hir të të rrëfyerit të atij përjetimi, për ta përçuar, komunikuar, rrëfyer e për ta shkruar atë. Në një botë të tillë ku rrëfehet çdo gjë, arma edhe më e gjindshme, edhe më vdekjeprurëse, është përhapja e informacionit.
Sigurisht që ky vëzhgim nuk vjen vetëm nga një historian i mprehtë letrar, por nga dikush i cili ka jetuar nën vëzhgimin e policisë sekrete. Të shkruarit dhe ajo çfarë mund të “zbulojë” ai në lidhje me autorët e tij, është një nga temat më të ngutshme në veprën e Kunderës, që nga Shakaj, te veprat e mëvonshme. Te vepra Libri i së Qeshurës dhe Harresës, Tamina, një mërgimtare çeke që jeton në një qytet perëndimor pa emër, do të bëjë të pamundurën për të tërhequr nga vendi i saj i lindjes 11 fletore të humbura. Një nga pengesat me të cilat përballet ajo, është moskuptimi i perëndimorëve: “për t’i bërë njerëzit këtu të kuptojnë diçka nga jeta e saj, gjërat duheshin thjeshtuar”, ndaj ajo ua përshkruan fletoret si “dokumente politike”, edhe pse në të vërtetë janë libra me kujtime, të cilat ajo dëshiron t’i tërheqë jo për arsye politike, por sepse po i zbehen kujtimet për jetën e saj dhe “ajo dëshiron të kthejë në to trupin e saj të humbur”. Shtysë për të nuk është dëshira për bukurinë, por për jetën.
Nëpërmjet kësaj historie dhe të tjerave që lidhen me të, vepra Libri i së Qeshurës dhe Harresës, ndriçon bukur kulmet e jetës sonë, ku identiteti, thelbi i vërtetë i vetes sonë përmes kujtesës, gërshetohet me forcat politike që janë në konflikt me të. Kjo është një temë e pandashme nga konteksti në të cilin u rrit Kundera, bota e komunizmit të epokës sovjetike, një kontekst që magjepsi dhe në një farë mase tralliti vëzhguesit perëndimorë në vitet ’70 dhe ’80 dhe mbi të cilin romanet e tij dukej se hapnin një dritare unike, duke nxjerrë në pah kompleksitetin e tij përzier me ironi të pashoqe, me melankoli dhe ashpërsi intelektuale. Nuk është çudi që kur u botuan për herë të parë, këto romane dukej se ishin ndër dokumentet më të rëndësishme letrare të kohës së tyre.
Pikërisht në gjurmë të këtyre romaneve erdhi një libër që ndër të tjera rrekej t’i shpjegonte këto vepra të mëparshme: Arti i romanit, një koleksion prej shtatë esesh, ku Kundera parashtronte konceptimin e tij mbi traditën romaneske europiane dhe vendin e tij brenda saj. Teksti kyç në analizën e tij ishte vepra Somnambulët nga Hermann Broch, një trilogji të cilën në atë kohë lexuesit bfitanikë e njihnin pak dhe sot lexohet edhe më pak. (Në fakt, në këtë vend nuk gjen dot botime të këtij libri në treg.) Në këto libra edhe Broch u përpoq të bënte një sintezë të llojeve të ndryshme, por sipas pikëpamjes së Kunderës “disa elemente (vargu, rrëfimi, aforizmi, reportazhi, eseja) janë më shumë të ndodhura pranë e pranë, sesa të përziera në një unitet të vërtetë ‘polifonik’. Nën dritën e këtij uniteti, është e vështirë të mos shohësh të gjithë veprën e Kunderës të shkruar pas mërgimit, si një përpjekje për të vazhduar detyrën që kishte filluar Broch dhe si një triumfues në kuptimin që, përzierja që u bën ai këtyre elementeve duket vërtet e përsosur dhe organike.
Megjithatë, e ka arritur vallë Kundera këtë të vërtetë psikologjike për jetën, në kurriz të diçkaje të rëndësishme?
“Romanet e mia nuk janë psikologjike”, pohonte ai në librin Arti i Romanit. – Më saktë: ata qëndrojnë jashtë estetikës së romanit, që normalisht quhet psikologjik”.
Kjo ishte një deklaratë e guximshme mohuese, – një deklaratë e asaj çka romanet e tij nuk janë, por kur erdhi radha për të përcaktuar se çfarë janë, ai ishte më pak i qartë. “Të gjitha romanet, të çdo epoke, shprehin shqetësimin e enigmës së vetes së tyre…Nëse unë e vendos veten jashtë të ashtuquajturit roman psikologjik, kjo nuk do të thotë që dëshiroj t’u heq personazheve të mia një jetë të brendshme. Kjo do të thotë vetëm se ka enigma, pyetje të tjera që eksplorojnë kryesisht romanet e mia…Që të kuptosh veten në romanet e mia, do të thotë të zbërthesh thelbin e problemit të saj ekzistencial. Të zbërthesh kodin e saj ekzistencial”.
Ky “kod ekzistencial”, vazhdonte ai me shpjegimin e vet, mund të shprehet si seri fjalësh kyçe. Për shembull, për Terezën te libri Lehtësia e Padurueshme e Qenies, këto fjalë kyçe do të ishin “trupi, shpirti, marramendja, dobësia, idili, parajsa”. I mahnitur nga madhështia filozofike e atij romani (dhe pa dyshim si shumë lexues meshkuj, të ndikuar nga erotizmi i tij i ftohtë), adhuruesit e Kunderës ishin të lumtur të pranonin përdorimin e kodit ekzistencial si mjet për të portretizuar personalitetin; ose, po ta shprehim sipas termave të një kritike letrare më tradicionale, ata ia falën cektësinë e karakterizimit të tij. Por karakteret janë të prirur të jetojnë në kujtesë më gjatë se idetë. Disa kohë më parë, John Banville shkroi një pjesë interesante duke rivlerësuar librin Lehtësia e Padurueshme e Qenies njëzet vjet pas publikimit të parë. Toni i tij ishte i admirueshëm, por edhe pak skeptik. “U habita se sa pak mbaja mend”, shkroi ai. “Me një titull mjaft të gjetur, libri avulloi nga mendja ime si një tullumbace me ajër të ngrohtë që është lënë të endet e lirë…Nga personazhet nuk kujtoja asgjë, madje as emrat”. Duke pranuar se romani ende ruante rëndësinë e tij politike, ai shtoi: “Megjithatë, rëndësia nuk është asgjë në krahasim me atë kuptim të jetës së ‘jetuar’, të cilën e komunikojnë shkrimtarët vërtet të mëdhenj.
Nga shkrimet e tij, duket se Kundera nuk do ta konsideronte veten si pjesë e kësaj tradite të shkrimtarëve “vërtet të mëdhenj”, drejt të cilëve pa dyshim synonte edhe Banville. Shumë nga romancierët e tij të preferuar, Stern, Didero, Broch, Musil, Gombrowicz, me të vërtetë i përkasin asaj rryme ironikësh, me shkrimet plot nënkuptime, ku autorët janë aq të vetëdijshëm për kontradiktat, grackat dhe prapaskenat e natyrshme në aktin e krijimit të trillimeve letrare, sa në një pikë vetë librat e tyre shndërrohen në parodi, ose në një marrje në pyetje të vetvetes. Vendi i Kunderës brenda këtij panteoni të veçantë duket i sigurt, por me një paralajmërim të rëndësishëm: më pak e pranishme se kudo, ndjenja e Banville për “jetën e jetuar” gjendet në portretizimin që u bën Kundera personazheve femra.
Rasti i feminizmit është parashtruar kundër Kunderës shpesh dhe ndoshta kurrë më me aq oratori sesa nga Joan Smith në librin e saj Misogjinitë, ku ajo mbështeste idenë se “armiqësia është faktori i përbashkët në të gjitha shkrimet e Kunderës mbi gratë”. Për shembull, ajo përmend shumë pjesë, përfshirë edhe një tejet të pakëndshme nga Libri i së Qeshurës dhe Harresës. Në këtë pjesë, rrëfimtari takohet fshehtazi me redaktoren e një reviste, e cila ka vënë veten në rrezik duke blerë artikujt prej tij. Ajo është aq e shqetësuar për takimin, i cili zhvillohet në një banesë krejt të panjohur, sa ajo e bën në pantallona. Megjithatë, kur e takon, çuditërisht reagimi i rrëfimtarit është “një dëshirë e egër për ta përdhunuar…”Doja ta zotëroja të tërën, me të pëgërët dhe shpirtin e saj të pashprehshëm”. (Pa dyshim që është pjesë e zymtë, por më shumë se çdo gjë tjetër, më duket si fyerje për burrat.)
Kundër shembujve poshtërues të autores Smith, duhet të përmendin numrin e personazheve femra, veçanërisht në shkrimet e vona të Kunderës, që të paktën janë po aq të arritur sa ato të personazheve burra. Në një farë mënyre, për mua libri Injoranca është më i parapëlqyeri nga romanet më të fundit të tij. Dhe jo thjesht sepse heroina e tij, Irena, është karakter kompleks dhe dashamirës, ku qëndrimet e saj të nënkuptimshme karshi mërgimit janë hulumtuar me zgjuarsi dhe dhembshuri. Por edhe këtu, në fund të librit imazhi ynë përfundimtar mbi Irenën është ai i përgjimit fshehtazi, i objektivizimit, kur ajo fle lakuriq “me këmbët hapur shkujdesshëm”, ndërsa i dashuri i saj ngul sytë mes kofshëve të saj dhe “vështron për një kohë të gjatë atë vend të trishtë”. Pse e ndien Kundera nevojën për t’i shfaqur personazhet e tij femra me kaq hollësi e mizori të tillë? Dhe si mund të ketë shkruar ai për këtë çështje, një libër prej 150 faqesh me ese mbi romanin europian, pa përmendur qoftë edhe një shkrimtare të vetme femër, përveç Agata Kristit?
E ndiej që nëse do të ketë diçka që do të minojë famën afatgjatë të Kunderës, nuk do të jetë ndonjë mungesë e “jetës së jetuar” në romanet e tij, apo fakti se arti i tij është zhvilluar në një kontekst politik që një ditë (madje më shpejt nga sa mendojmë ne) mund të harrohet: por do të jetë androcentrizmi i tij i madh. Pa e shmangur fjalën “misogjini”, sepse nuk mendoj që ai i urren femrat, ose që është vazhdimisht armiqësor ndaj tyre, duket se ai nuk e sheh botën vetëm nga një këndvështrim tejet mashkullor dhe kjo e kufizon atë që ndryshe mund të ishin arritjet e tij të pakufishme si romancier dhe eseist. Për fat të mirë, krahasuar me pothuajse çdo gjë tjetër që ka shkruar; Festa e Kotësisë është më pak e shformuar nga kjo prirje. Prandaj, edhe pse ky libër nuk mund të jetë një shtesë e rëndësishme në veprën e tij, ende mund të jetë një pikë e mirë rihyrjeje për ata që në të kaluarën janë shmangur nga çështje problematike seksuale, të cilat dërgojnë valë shqetësimi, madje edhe përmes librave të tij më të arrirë.